ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Shqipëria e Bashkuar, ndjenjë dhe arsye

Ka kohë që çështja kombëtare rrëshqet gjithnjë e më tepër në çështje ndjesish e ndjenjash, aq sa duket sikur është thjesht e vetëm ‘çështje zemre’, dashurie ose me ta ndjerë. Që bashkimi i shqiptarëve në një shtet është edhe çështje ndjesish e ndjenjash, çështje shpirtërore, kjo nuk vihet në dyshim, mirëpo Shqipëria e Bashkuar përfaqëson edhe një koncept racional nga të gjitha pikëpamjet ( ekonomike, politike, sociale, kulturore, fetare etj), veçanërisht përsa i përket ekonomisë dhe politikës.

Shqipëria e Bashkuar nënkupton para së gjithash një shtet, dmth një entitet më së pari politiko-ekonomik, parësi që gjithkush e pranon, meqë diskutimet e natyrës politike dhe të zhvillimit ekonomik zënë gjithnjë kryet e vendit. Në një shtet më të madh, me rritjen e fuqisë së tij, prestigjit të tij, në skenën ndërkombëtare, rritet përpjestimisht edhe siguria që shteti u ofron shtetasve. Po kështu një shtet më i madh do të thotë treg më i madh dhe sikundër thuhet ngado, teori e praktikë ekonomike, tregu më i madh është më fitimprurës.

Pra, që në parimet bazë politike e ekonomike, të sigurisë dhe tregut, shihet fare lehtë se një Shqipëri e Bashkuar, meqë përfaqëson një shtet më të madh se Shqipëria apo Kosova, vetvetiu, që në parim i garanton shtetasit shqiptar më shumë siguri dhe më shumë mundësi në ekonominë e tregut, sesa ç’u ofrojnë shtetasve të tyre Shqipëria dhe Kosova. Ky përfundim i thjeshtë e njëkohësisht i pakundërshtueshëm, anashkalohet me një lehtësi të habitshme, thua se nuk po flitet për arsye thelbësore (siguria dhe tregu) po për dukuri, që në shkallën e rëndësisë janë të rreshtueshme nga fundi.

Në fakt, prej sigurisë dhe tregut kemi një sërë rrjedhojash; kështu siguria e lartë është faktor pozitiv në rritjen dhe qëndrueshmërinë e investimeve të huaja dhe anasjelltas, siguria e ulët i tremb sipërmarrësit e huaj; po njësoj sa më i madh është tregu, aq më shumë hapësira për investim ofron dhe anasjelltas. Për krahasim mes Shqipërisë dhe Kosovës, shkalla më e lartë e sigurisë dhe tregu më i madh i Shqipërisë, ndikon në përzgjedhjen prej sipërmarrësve të huaj, përndryshe Kosova me pavarësi të pastabilizuar paraqet një hapësirë më pak të pëlqyer.

Ndërkaq mes Shqipërisë dhe trojeve etnike jashtë saj, veçanërisht Kosova, vërehet menjëherë një plotësim i ndërsjelltë (ose ndërplotësim) i pasurive nëntokësore, i energjitikës, i pozitës gjeoekonomike, posaçërisht vendodhja në rrugët tregtare ndërkombëtare, i bujqësisë e blegtorisë, turizmit etj. Ndërplotësimi  mund të vërehet edhe në aspektin e sigurisë, kontrollit apo presionit ndaj arterieve qendërballkanike dhe të kanalit të Otrantos e dukuri të tjera me rëndësi gjeopolitike.

Ndërplotësimi i burimeve është edhe kriter thelbësor i funksionalitetit të çdo shteti a organizmi mbishtetëror, pra sa më të ndërlidhura janë burimet e 2 a më shume rajoneve a shteteve, aq më i lartë është funksionaliteti i një organizmi politik të përbashkët. Në veçanti, si shembuj ilustrues do të shërbenin plotësimi i ndërsjelltë energjitik, i vendodhjes në rrugët tregtare ndërkombëtare dhe në aspektin gjeopolitik, siguria që buron nga kontrolli dhe ndërprerja e mundshme e aksit ballkanik (sot në duar serbo-greke) , Moravë-Vardar, si dhe bllokimi i Kanalit të Otrantos.

Përsa i përket ndërplotësimit energjitik, kemi nga njëra anë Shqipërinë, e cila bazohet tek potenciali i madh ujor, hidroenergjitik, potencial vetëm pjesërisht i shfrytëzuar, nga ana tjetër kemi Kosoven që bazohet tek rezervat e jashtëzakonshme të qymyrit, me të mëdhat’ në Ballkan. Për krahasim, Greqia nuk ka as potencialin ujor të Shqipërisë dhe as rezervat e qymyrit që ka Kosova ( bile Greqia ka më pak rezerva qymyri se edhe vetë Shqipëria), pra Shqipëri+Kosovë do të mbizotëronin dukshëm energjitikisht ndaj Greqisë (por edhe në Ballkan), biles një Shqipëri e Bashkuar do mund të eksportonte energji drejt Greqisë dhe ta përdorte politikisht, në rast nevoje, si mjet presioni.

Përsa i përket vendodhjes në rrugët tregtare ndërkombëtare, sikundër dihet Shqipëria i hap rrugët detare Kosovës , ndërsa Kosova i hap Shqiperisë Ballkanin qendror e verior. Këtu rol kyç luajnë edhe Shkupi e Kumanova, që praktikisht janë çelsat e tregtisë ballkanike veri-jug. Me anë të të famshmit ‘Korridori 8’, Shqipëria i hap rrugët detare edhe Maqedonisë, sidomos pjesës shqiptare të Maqedonisë . Pra , territoret shqiptare duke pasur rol të rëndesishem për tregtinë ballkanike veri-jug dhe atë lindje – perëndim (Egnatia romake) si dhe plotësuese ndaj njëra-tjetrës, në rast integrimi brenda Shqipërisë së Bashkuar do të sillnin fitime shumë të mëdha tregtare, fitime që sot janë të ulëta për shkak të copëtimit politik dhe ato që janë shkojnë kryesisht në duar  serbe, sllavo-maqedonase dhe greke. Veçanërisht Shqipëria duke u kthyer krejt nga deti dhe Europa imagjinare, ka braktisur rrugët ndërballkanike në duart e armiqve fiziologjike .

Përsa i përket aspektit gjeopolitik të sigurisë, ai i mbrojtjes kombëtare në radhe të parë, dihet që shqiptarët të ndodhur mes serbëve ne veri dhe grekëve në jug, janë në një pozicion të pafavorshëm, i cili përkeqësohet në rast dobësimi  politik dhe sikundër tregon historia e 1912-13 për pak sa nuk ndodhi copëtimi i krejt trojeve shqiptare. Megjithatë, shqiptarët kanë te paktën mundësinë që të pengojnë bashkëveprimin e drejtpërdrejtë serbo-grek, sepse nëpërmjet kontrollit të zonës Shkup-Kumanovë, hiqet çdo mundësi tokësore bashkëpunimi greko-serb. Kjo pozitë, është e vlefshme qoftë në rast lufte hipotetike, qoftë edhe si mjet presioni diplomatik (ndalim i tregtisë psh). Po njësoj nëpëmjet kontrollit të kanalit të Otrantos u heqim Serbisë dhe Greqisë çdo mundësi bashkëveprimi të drejtpërdrejtë, që do të ndodhte logjikisht nëpërmjet porteve malazeze. Pozicioni  mbizotërues i Shqipërisë në kanalin e Otrantos është historikisht i mirënjohur.

Natyrisht aspekti gjeopolitik mund të mos u pëlqejë atyre që përkëdhelin utopinë e paqes së përjetshme, po nëse do u lihej në dorë këtyre individeve, gjeopolitika dhe mbrojtja kombëtare nuk do të ekzistonin fare as si koncepte dhe meqë këto koncepte sot mbizotërojnë në skenën ndërkombëtare, atëherë argumenti (anipse i thjeshtuar) është mëse racional e i mbështetur në realitet.

Pra, Shqipëria e Bashkuar  nuk është vetëm një ide, një ëndërr, një dëshirë, por edhe sidomos një alternativë kryekëput racionale për sigurinë, zhvillimin dhe mbrothësinë e shqiptarëve në Ballkan, prandaj duhet parë edhe si një qëllim në vetvete, një qëllim që jo vetëm nuk bie ndesh me Europën e Kombeve, por është bashkërendës i saj, sepse nuk mund të ketë një Europë të stabilizuar, nëse kjo nuk zgjidh me drejtësi e paanshmëri, çështjet e kombësive të saj, në radhë të parë të shqiptarëve, që janë i vetmi komb i ndarë në 6 shtete, gjë që gjendet vetëm në Afrikë, ku po të shihet harta, kufijtë janë bërë me vizore.

Ledjan Prifti

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen