ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Rreziku i shkombëtarizimit nuk është një trill

Kol. MYSLIM PASHAJ

Libri i Dragoit u jep vendin e duhur vlerave kombëtare të secilit etnitet në Ballkan.

Libri i Dragojt “Rreziku i shkombëtarizimit” nuk mund të jetë një shkrepëse mbi një substancë ndezëse, por në të kundërt, ai jep një kumt për t’i hequr këto mjete, për t’u dhënë vendin e duhur vlerave kombëtare të secilit etnitet në Ballkan, duke mos sjellë askund fantazmat e së shkuarës. Pakica greke ka qenë një urë njerëzore e bashkëjetesës së etnive, të cilat kanë kaluar gjithë dramat në mbijetesën e tyre. Askund në libër nuk shpërfillet vlera e saj në mjedisin e bashkëjetesës sonë të përbashkët.

Shkrimtari dhe publicisti Nuri Dragoj vjen para lexuesit me një libër të ri: “Rreziku i shkombëtarizimit”. Ky botim përkon me fushatën më të debatuar dhe aq shumë të përfolur të regjistrimit etnik dhe fetar, që ka zgjuar përfytyrimet ballkanike të së shkuarës.

Studiues, historianë, linguistë, analistët, gazetarë, kanë dalë nga strehët e tyre dhe, çuditërisht, jo shumë larg mendësisë së strehës, sillen për ditë shtrembërime faktesh historike, për zanafillë pellazge, iliricitetin, popullsi që lëvizin dhe dhënie-marrjet midis tyre, ardhacakë dhe të shpërngulur ndër ploja biblike, histori e tradita, identitete kombëtare etj… vlera dhe supremaci qytetërimesh, gjuhë themelore, ndikime të pushtimeve dhe vlerësime të tyre, rikonceptime qarqesh vorioepirote, demografi e të drejta të njeriut… Diskutimet vijojnë.

Mendoj se edhe libri në fjalë, ndonëse i një natyre tjetër, është pjesë e këtij debati, gjersa edhe për këtë botim ka artikuj kundërthënës. Dragoj përcjell në mënyrën më të thjeshtë, pa bërë asnjë sajesë apo trill letrar, të shumë fakteve që sjellin një realitet të kërcënimit të sotëm, atij të shkombëtarizimit. Që në fillim të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një term të rëndë. Nëse do të hulumtosh më thellë në analizë, mund të dalin dhe shumë përfundime të tjera, por libri ka gjetur një mënyrë ndër më të natyrshmet, një kronikë, ku qëmtohen ngjarje, çelje, sythe, biseda, udhëtime, tubime, konferenca, në të cilat zgjohen fakte trishtuese për temën në fjalë. Ai nuk komenton dhe nuk zhbiron, por e lë lexuesin që të mbajë qëndrim. Edhe kjo është një dhunti që u ngjan atyre mbledhëseve të folklorit apo rrëfenjave me një temë të caktuar. Autori e lë kronikën dhe ngjarjen në dheun e vet, ashtu siç u mboll të rritet, ai as nuk plehëron e as ujit (në vështrimin letrar), dhe kjo është meritë që tharmi të përballë vet natyrën.

E sotmja në Shqipëri duket sikur ka kaluar një stad të ri dhe ne gati e kemi përqafuar Europën, për të cilën po flasim përditë. Por harrojmë se kjo histori dy dhjetëvjeçarësh aq sa na e ka sjellë lirinë e munguar, si në baraspeshë, ftillon një dramë të vjetër me një stil të ri: kërcënimi që vjen nga emigrimi ekonomik, pakësimi i shqiptarëve në shtetin amë, përndezja e orekseve të fqinjëve në Veri, që nuk mund ta pranojnë lirinë e Kosovës, ndërkaq me fqinjin jugor zhvillohet një akt tjetër i tragjedisë së shqiptarëve, kur emigrimi i tyre ekonomik kërkon një haraç thelbor: shndërrimin e tyre, ndryshim të emrave në rrënjë, kushtëzimin e jetës së tyre të ardhme. Dhe po kaq e “mirëmenduar” vjen “zgjatja e dorës së mirë” për të dhënë pensione jo vetëm pakicës greke në Shqipëri, por përfshirë edhe në një gjeohapësirë rreth saj, që përbën edhe një kushtëzim tjetër, që do të biskonte më vonë…

Kaq është sërish pak.

Do të vijonte “rebelimi paqësor himariot për mëvetësi”, monumentimi i varrezave të ushtarakëve grekë, shtrirë në vende që hamendësohen si vorioepirote… hapje e shkollave greke, sulmi ndaj historisë sonë kombëtare, deklarata të zyrtarëve dhe qarqeve të tjera.

Të gjitha këto do ta kishin një kapitull përmbyllës dhe dokument që pritej ndër opinione ballkanase e më gjerë.

Na jepni një statistikë të pakicës greke në Shqipëri. Kjo që solli edhe regjistrimin etnik e fetar tashmë kaq shumë i debatuar.

Rreth këtyre rilevon dhe sjell piketa libri i Dragojt. Aty kemi një kronikë të takimeve, udhëtimeve të tij, të personazheve që takon, të veprimtarive të Kuqezinjve etj.

Autori vijon paralel që të japë një panoramë se si e keqja dhe ora e ligë nuk projektohet vetëm nga jashtë, por dhe nga brenda vendit, duke sjellë përjetimin dramatik, që i shkaktojnë atij qëndrimi i shtetit shqiptar për ligjin e Gjendjes Civile, i cili e lehtëson këtë shkombëtarizim. Pastaj ligji “Pollo” dhe reflektimet ndaj tij.

Nëse mund të quhet aq shumë tronditëse apo një ngjethje njerëzore, se si një përmetar nga Kosina nuk ka lekë t’i blejë libra fëmijës për shkollë dhe merr eshtrat e gjyshit t’i çojë në një Pazar të Ri. Aq sa është drithëruese për vetë shqiptarët e sotëm, nuk ka pse të konsiderohet si një trillim, keqinterpretim me keqdashje të “historisë së varrezave” e nuk ka pse të trazojë marrëdhëniet me pakicën greke dhe fqinjin jugor. Ky është nga ato detaje që më shumë rëndon situatën ekonomike shpirtërore të Shqipërisë, të cilën shtetarët dhe politikanët e sotëm e rrëzëllijnë me nota drite që s’janë reale.

Në këtë libër, ku kemi të bëjmë me publicistikë, analizë, sprova, ditare, rrëfenja, satira, të cilat krijojnë një unitet shkrimor, autori na ka sjellë trajtesa me gjithë emocionet që mbart kjo temë, jo vetëm të identitetit kombëtar, por në një spektër shumë më të gjerë.

Por nuk kemi të bëjmë me një ditar të thjeshtë. Artikuj të përfshirë në libër na cytin që të reflektojmë dhe të kujtojmë se si filloi lëvizja “Kuqezi”. Se ç’mësymje në një formacion të gjerë ndërmori fqinji yni jugor, se ç’ngjarje dramatike u shënuan.

Shkrime të botuara në disa mediume të këtushme e kanë cilësuar librin e Dragojt “një libër që cenon marrëdhëniet e mira që kemi me Greqinë dhe nga ana tjetër tenton të pengojë daljen e së vërtetës në dritë, e cila ka të bëjë me numrin e saktë të minoriteteve dhe minoritarëve apo pakicave etnike, që jetojnë në Shqipëri. (Ardit Levonja, Gazeta Metropol, 26 shtator 2011). Ndërsa në gazetën “Shqip”, datë 29 shtator, librin e cilësojnë si një shkrepëse mbi një fuçi baruti.

A është vallë Ballkani sot një substancë ndezëse dhe si mundet vallë të përsëritet ajo që është thënë dikur se në të vërtetë ishte e tillë?

Rrethana të reja, qasje bashkëkohore na sjellin prirjen për një Ballkan tjetër, i cili, edhe pse ka një histori ndezëse, prapë këtu jetësohen rrënjë kulturash të ndritshme qytetërimi, me kontribute të përbashkëta, të cilat përbëjnë një lëndë të re përbashkuese ndaj Europës.

Arritje të sotme në Aleancën e NATO-s, atë ekonomike (BE), që kanë në dorë instrumente të kontrollit të jetës ekonomike, kulturore dhe ushtarake, e këshilloj se nuk mund t’i shkojë kujt në mendje se fuçia është gati dhe duhet ajo shkrepëse për të cilën folëm atypari. Nëse kujtojmë së toku se ç’ bën sot Europa për të ruajtur Eurozonën dhe për ta mbajtur Greqinë që të mos rrëzohet në greminë. A nuk duhet të na flasë kjo se janë krijuar siguri të reja në Kontinent, të cilat na e largojnë përfytyrimin ndajshtimor që me të drejtë e ka pasur Ballkani. Ndërkaq kjo nuk do të thotë se s’ ka probleme brenda shteteve etnive, interesave, dhënie-marrje kulturash, probleme ende të pazgjidhura.

Subjektet e shkrimeve të ndryshme u ngjajnë më shumë ditarëve që janë mbajtur në këtë rrjedhë kohore, që lidhet kryesisht me regjistrimin etnik dhe fetar. Në libër nuk flitet kurrkund për të ndjashtimuar pakicat etnike e kulturore, askurrkund nuk ka trajtesa shpërfilljeje dhe mosvlesërimi për to. Nuk ka në të ndonjë urrejtje mesjetare dhe as shpikje të armiqve irealë. Pra, libri nuk cenon aspak marrëdhëniet me fqinjët dhe as me minoritetin. Ai bën apel që këto marrëdhënie të ruhen e forcohen më tej mbi bazën e marrëdhënieve reciproke, të respektimit të ndërsjellë. Përkundrazi, në shumë mediume dhe shkrime analitike janë trajtuar dhe trajtohen zëshëm probleme që kanë të bëjnë me politikën e Athinës zyrtare, e cila në raste të veçanta jo vetëm e ka tepruar, por dhe tejshkuar në lëshimet që u ka bërë disa qarqeve të brendshme, por dhe të jashtme, me përfytyrime të gjeohapësirave midis dy shteteve (siç është Vorio-Epiri), dhe kjo është tanimë e njohur.

Tragjizmi i varreve për të cilat në një artikull shtrohet si një shqetësim, është një tragjizëm që nuk ngrihet për të drejtën që ushtarëve grekë, të cilët duhet ta kenë një varr mbi tokën ku ata kryen aktet e tyre ushtarake, po ajo ka një lidhje me përfshirjen e njerëzve të kishës apo të njerëzve të thjeshtë në dëshmitë e tyre tronditëse.

Libri i Dragojt “Rreziku i shkombëtarizimit” nuk mund të jetë një shkrepëse mbi një substancë ndezëse, por në të kundërt, ai jep një kumt për t’i hequr këto mjete, për t’i dhënë vendin e duhur vlerave kombëtare të secilit etnitet në Ballkan, duke mos sjellë askund fantazmat e së shkuarës. Pakica greke ka qenë një urë njerëzore e bashkëjetesës së etnive, të cilat kanë kaluar gjithë dramat në mbijetesën e tyre. Askund në libër nuk shpërfillet vlera e saj në mjedisin e bashkëjetesës sonë të përbashkët. Në këtë libër nuk kemi të bëjmë më armiq irealë, siç thuhet në një artikull në gazetën Shqip (shih: Në shkrepëse sipër fuçisë së Barutit e V. Kristo, datë 29 shtator 2011).

Dragoj gjithnjë në optikën e tij, edhe pse është i kujdesshëm, për ta ruajtur ndjenjën e masës, herë-herë dalin si prej një munxe apo mallkimi të hershëm, personazhe tragjikë tipik ballkanas, po ama jo të sajuar, si: vjedhësi i varreve në Boboshticë, gurë të rinj me shkronja greke futur ndën dhe, ai fshatari me eshtra në torbë, anonimatë që kërcënojnë me mesazhe apo që të prekin në krahë…Teksa kalon duke të kujtuar e silueta fantazmagorike, e të gjitha këto nuk e cenojnë vërtetësinë e lëndës, por janë pjesë e një tabloje reale.

Te kjo lëndë e gjerë me Boboshticën e traumatizuar për konsullin grek “Kisha misterioze brenda Pallatit të Kulturës”, “Megali Idheja dhe Naçertania”, “Kombi shqiptar nuk asimilohet kurrë” “Intensifikohet hapja e shkollave të huaja”, “ Tadiç zgjon fantazmat”, “ Një komb një pasaportë”, “Përrallat për Epirin” etj. gjejmë ndërthurje mendimesh e ndjenjash, që i shërbejnë synimit të këtij libri.

Nuk duhet të harrohet që kombet kanë orë të këqija, por edhe orë të mira.

A nuk është një orë e ligë kjo kur këtu në Shqipëri i bërët fresk regjistrimit etnik e fetar, ndërkaq Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin e gjendjes civile. A nuk jemi vallë në një orë të ligë kur nuk bëhet pothuajse asgjë për çështjen “Ҫame” dhe askush prej ҫamëve të martirizuar nuk mund të shkojë i lirë në shtetin fqinj, kur heshtet për gjeostrategjikë e hapësirave detare arbërore, kur në indiferentizmin kulmor kriminal lihen të lënduar e ndërkallur në dhe minatorët shqiptarë të kromit ndaj koncensioneve të huaja. A nuk jemi në një orë të ligë kur fshati shqiptar braktiset, kur rinia kërkon të emigrojë, kur këtu brenda mbetet vetëm një numër fatal shqiptarësh, rreth 2 milionë.

Kundër kësaj ore të ligë përpiqet edhe Dragoj, një ndër ideusit dhe oranizatorët e palodhur të lëvizjes “Kuqezi”, i cili jep një kontribut të shquar edhe me librin e tij të fundit “Rreziku i shkombëtarizimit”.

Metropol 4/10/11

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen