ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Rraqet ideore të patriotizmit ‘të ri’ dhe nacionalizmi i munguar

Ka vite që në opinionin publik, here pas here, hidhet ideja e një patriotizmi të ri, modern, që sheh nga e ardhmja, si kundërvënie e atij tradicional, të cilit i mvishen edhe epitete qëllimisht e tinëzisht përkeqësuese. Edhe së fundmi, në çështjen absurde të rishikimit të historisë, iu vunë fajet patriotizmit të vjetër, tradicional, i cili na e paskësh paraqitur turkun gabimisht si pushtues e jo si administrator, gjetje moderne kjo për konceptin e vjetër të Baba Sulltanit që ‘na donte fort’.

Këtë patriotizëm të ri, deri më sot, s’e ka marrë vesh kush se ç’është në të vërtetë, sepse nga pikëpamja kuptimore ky del të jetë thjesht produkt i mohimit të disa dukurive të vëna në dyshim të të ashtuquajturit patriotizëm i vjetër, ose e thënë ndryshe i janë asgjësuar disa dukuri atij të traditës dhe me mohimet/negativët është mbledhur një grumbull rraqesh ideologjike, me saktë retorike, e mendohet se me këto rraqe do të ndërtohet ngrehina e re patriotike.

Serioziteti i këtyre rraqexhinjve vërehet fare mirë tek shterpësia e mendimit ndërtues, ngjajnë me evgjitët e 1990-1991 që mblodhen zhele në Europë dhe i dhanë jetë në Shqipëri firmës së njohur Gabi, firma që ka veshur më shumë shqiptarë në vitet ’90 sesa çdo firmë tjetër veshjesh. Po njësoj këta rraqexhinj, duke mbledhur mbeturina ideologjike, kanë ‘edukuar’ me mendimin perëndimor më shumë shqiptarë sesa çdokush tjetër.

Patriotizëm i ri apo i vjetër janë thjesht përdorime retorike të konceptit të patriotizmit, për të mos thëne se në thelb vetë fjala patriot vihet abuzivisht në vend të fjalës nacionalist, pasi në asnjë doktrinë politike, në asnje cep të politologjisë, përsa u përket vendeve me një etni sunduese, e cila i jep natyrën e vet, frymën e vet shtetit kombëtar (Shqiperi, Itali, Poloni etj), fjala patriot nuk gjendet si e ndryshme kuptimisht nga nacionalist. Patriot është fjalë letrare ose e nevojshme kur duhet korrektesa politike, por aty ku duhet nxjerrë e vërteta, përdoret gjithnjë nacionalist.

Pra këta, për asnjë moment nuk kanë pasur parasysh të vërtetën, në fakt është e pamundur me gjetë trajtime profesionale të ketij të ashtuquajturi patriotizëm të ri e as ka për tu gjend’ ndonjëherë, biles s’ka për tu kaluar ndonjëherë nga faza sipërfaqësore e shtrimit të çështjes tek ajo e thellimit.

E vërteta, përkundrazi kalon nga trashëgimia kombëtare, ku bën pjesë edhe nacionalizmi ‘i vjetër’, kalon nga identiteti kombëtar, ku proçesi i farkëtimit është kryer nga ky nacionalizëm ‘i vjetër’,  kalon nga shqiptaria, ku sërisht meritën e zbulimit dhe pahnxjerrjes e ka padyshim mendimi nacionalist. Pra, nuk ka kurrfarë të vërtete të shqiptarit pa kaluar, pa u falur, tek ky nacionalizëm ‘i vjetër’.

Ka gjëra për t’u ndryshuar, patjetër që ka, mund të sillen risi, por kjo nuk e bën ‘të ri’, kjo vetëm e përshtat me kohën, pa humbur esencën. Kjo esencë ndoshta mund të rrjedhë ndonjë ditë me humbjen e tipareve gjuhësore në favor të ndonjë gjuhe tjetër apo me ndryshime etnike, por derisa të jete e paprekur, nacionalizmi a patriotizmi ‘i ri’ ka për të ngelur vetëm një koncept retorik e asgjë më shumë.

Ajo për të cilën ka nevojë sot nacionalizmi nuk është ndonjë domosdoshmëri historike e shndërrimit, por përpunim i gjithë lëndës së prodhuar në 170 vjet, prej fillimit të Rilindjes, përpunim mbi baza politologjike, në mënyrë që veprimtaria e tij të mos kushtëzohet vetëm në çastet e nevojës, buzë humnerës, por të jetë një pengesë e përhershme dhe e pakapërcyeshme për antishqiptarët jashtë e brenda vendit, si dhe të ketë një vizion të brendshëm politik, ashtu sikundër kanë gjithë nacionalizmat anembanë Europës, vizion i cili padyshim bazohet tek natyra sociale e kombit.

Ky nuk është ndonjë patriotizëm i ri, por është nacionalizmi i munguar, mungesë për shkak të dumbabizmit e komunizmit, mungesë për ‘faj’ të vizionit pozitiv politik të nacionalistëve të cilët kanë qenë gjithnjë tepër demokratë, idealiste e të përparuar, për një komb gjithnjë të prapambetur e tepër pragmatik, që gjithnjë i ka drejtuar sytë tek i forti i rastit, tek makiavelisti e mashtruesi i radhës.

Prapambetje e pragmatizëm janë dyshja e skllavit, bujkrobit, çifçiut, ashtu sikundër zhvillim e idealizëm jane receta e dekadencës, kështu që prapambetja kërkon idealizëm dhe zhvillimi pragmatizëm. Përsa kohë që ne shqiptarët do të pranojme dyshen, prapambetje e pragmatizëm, sikundër kemi bëre në 100 vjet shtet, po më të këputurit e Europës kemi për të ngelë e po politikanë hajdutë e vrasës kemi per të pasë mbi krye.

Nacionalizmi i traditës ofron atë idealizëm të shëndetshëm, të cilin në botën e sotme post-ideologjike nuk e gjen dot askund tjetër, ofron vlera të qëndrueshme e të provuara në kohë, të cilat ne ditët e sotme të vlerave relative e të përkohshme nuk gjenden askund, ofron edhe idenë e shëndetshme sociale, që në kohën e sotme të shpërbërjes e atomizimit të shoqërisë nuk gjendet askund, prandaj hedhja poshtë e tij për një ‘te ri’ imagjinar është si të ndërrosh gurin e çmuar me një qelq të ngjyrosur.

Ledjan Prifti

2 KOMENTE

agim suli

18/10/2011

arrow

pershendetje te gjithe atdhetareve kudo qe ndodhen.
-nje sugjerim mirdashes per zotin ledjan prifti.-
zoti ledjan, se pari dua tju falenderoj per frymen atdhetare qe udheheq mendimin tuaj gjat pershkrimit te persiperm. por njekohsishte dua tju them me keqardhje se —- kur flasim si atdhetare, per ceshtje atdhetare, ne nje faqe te krijuar nga atdhetaret me synim frymezimin e atdhetarizmit— mendoj se te pakten eshte detyrim moral te mos shprehesh me fjale te huaja, dhe sidomos perdorimi i fjaleve te nje kombi i cili ka vepruar dhe vazhdon te veproj me synime shfarosese (te pakten kreret e tij) ndaj kombit tone, kjo te pakten tregon padije.

mar shkak nga -1-shpjegimi i fjales patriotizem qe ju e zevendesoni me fjalen nacionalizem, kur patriotizem ne shqip do te thote atdhetarizem ndersa nacionalizem do te thote kombe-komtarizem.
-2- fjala epitete eshte fjale greke dhe do te thotembiemer.
-3- perdorni me siper shprehjen-rraqe ideologjike, me saktë retorike, kjo eshte nje shprehje shum fatkeqe sepse si njera dhe tjetera jane fjale greke te deformura dhe epara do te thote mendim dhe e dyta do te thote rrjedh foles.
-4- perdorni fatkeqsishte shpes fjalen greke -etnike- duke zevende suar me te fjalen ton – kombetare.
-5-,perdorni gjithashtu shprehjen — përpunim mbi baza politologjike– fjala e fundit e ksaj shprehje eshte nje fjale greke qe do te thot qyteshmeria, eshte nje shkenc qe merret me studimin e perberjes kobetare te qytetareve dhe gjithashtu me studimin e zakoneve dhe te moralit te qytetareve.
-6-fjala pragmatik qe ju perdorni nuk ka asnje lidhje me rrjedhen e kutimit te shprehjes ne te cilen ju e keni vendosur. ajo eshte nje fjale greke qe do te thote aktualishte.
-7- –ashtu sikundër zhvillim e idealizëm jane receta dekadences.– ndershmerisht ju them se fjala (e deformuar) dekadences nuk ekziston ne asnje gjuh te botes.
-8- gjithashtu perdorni te deformuar fjalen greke atomizimit. qe do te thote vetvetezimit.
——————————————————————————
githashtu perdorni pa qene e nevojeshme shume fjale nga gjuhet latine. s.p.sh– koncept-parim — socjale-shoqerore — vizione-veshtrime– etje.
me se fndi dua t’ju them se ndrhyrja ime nuk eshte ne asnje menyre sulem ndaj jush, por thjeshte nje sugjerim miqesore.
me respekte agim suli.

Ledjan

21/10/2011

arrow

Përshëndetje z. Agim!
Falemnderit për ndërhyrjen tuaj, të cilën e vlerësoj dhe me të cilën jam plotësisht dakort në parim (fjalë shqip parim, nga i parë,i pari).
Për fat të keq është e vështirë nga pikëpamja kuptimore të përdoren disa nga sugjerimet tuaja, jo ngaqë s’keni të drejtë, por sepse fjalorët e shqipes janë nxjerrë nga akademikët dhe si rrjedhojë janë përdorur gjithandej, prandaj edhe zëvendësimi i tyre është i vështirë. I vështirë por jo i pamundur, prandaj në parim jam plotësisht dakort, nesër ndoshta gjendja mund të ndryshojë e zëvendësimi të bëhet i mundur.

Gjithë të mirat!
Ledjan Prifti

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen