ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Regjistrimi i popullsisë 2011: Shqipëria si Italia?

Numërimi i popullsisë dhe zbulimi i karakteristikave të saj strukturore, përditësimi dhe rishikimi i listave, përcaktimi i popullsisë ligjore është e nevojshme për qëllime ligjore dhe të zgjedhjeve të përgjithshme. Një objektiv tjetër i këtij proçesi është mbledhja e informacionit për karakteristikat numerike dhe strukturore  të ndërtesave të banimit.

Nga data 1-21 tetor Instituti Statistikor (INSTAT) do të realizojë regjistrimin e popullsisë të quajtur “Census”, nëpërmjet një pyetësori prej 40 pyetjesh, i cili do t’u parashtrohet qytetarëve nga anketuesit që do të paraqiten në shtëpitë e tyre gjatë kësaj periudhe.

Për herë të parë që nga vitet ’30 të shekullit të kaluar, nëpërmjet dy pyetjeve të fundit, të cilave mund të zgjidhet të mos u jepet pergjigje, do të mblidhen statistika mbi përkatësinë etnike dhe fetare.

Duke u kthyer për një çast tek objektivat e censusit lind natyrshëm pyetja: përse duhen këto pyetje nëse nuk kanë asnjë vlerë ligjore dhe informative?

Pikërisht në këto pika fillon përplasja ndërmjet ligjores dhe joligjores, ndërmjet integritetit kombëtar dhe përçarjes së tij, ndërmjet integrimit aq të dëshiruar e të kërkuar nga shqiptarët dhe vetveçimit nga Evropa që po përpiqemi prej vitesh të fitojmë. Të gjithë shqiptarët, kush më shumë e kush më pak, e dinë që kjo pjesë e proçesit të regjistrimit  është e lidhur drejtëpërdrejtë me politikat përçarëse dhe përfituese të ushtruara në mënyra të ndryshme prej disa vitesh  nga disa prej fqinjëve tanë (veçanërisht Greqia, Maqedonia dhe Serbia).

Sikurse 500 vjet më parë, fatkeqësisht, 20 vitet e fundit shqiptarët, për arsye të rënduara ekonomike e burokratiko-ligjore, kanë qenë të “detyruar” të ndërrojnë fenë, emrin dhe në disa raste edhe kombësinë. Me ligjin e miratuar në mënyrë jo të rregullt nga parlamenti më 7 korrik 2011, qeveria aktuale shqiptare nuk bën gjë tjetër veçse ligjërimin dhe “moralizimin” e këtyre veprimeve, duke mohuar shtetasit e saj, duke mos i mbrojtur siç thuhet në Kushtetutën e Shqipërisë, por duke ia “dhuruar” ofruesit të parë, në të mirë të financimit të disa shkollave, rrugëve apo një sërë pensionesh poshtëruese.

Nuk janë të paktë debatet e ndezura rreth kësaj çështjeje, veçanërisht që kur Levizja Aleanca Kuq e Zi filloi aktivitetin e saj për të ndërgjegjësuar, në mënyrë intelektuale e patriotike, shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve tona politike përmbi pasojat e rënda afatshkurtra dhe afatgjata, rrjedhojë e paevitueshme e këtij proçesi: ndryshime antikushtetuese në regjistrimin e gjendjes civile, regjistrim kombëtar fiktiv, humbja e unitetit dhe integritetit kombëtar.

Shqipëria ka nevojë të hyjë në Evropë nëpërmjet emancipimit, integrimit dhe bashkëpunimit me vendet perëndimore, duke përvetësuar rregulloret e BE e duke ndjekur shembujt demokratike të fqinjëve jo ballkanas.

Për analogji edhe në Itali dhe Maqedoni në muajin tetor do të realizohet regjistrimi i popullsisë. Në Itali çensusi i 15-të do të zhvillohet në bazë të Rregullores (EC) Nr.763/2008 të Këshillit Evropian në lidhje me regjistrimin e popullsisë.

(http://eurlex.europa.eu/JOHtml.do?uri=OJ%3AL%3A2008%3A218%3ASOM%3AIT%3AHTML)

Në pyetësorin italian, që do të jetë i disponueshëm edhe online prej 9 tetorit, nuk ka as edhe një hije të vogel pyetjesh mbi fenë dhe kombësinë megjithëse Italia është një shtet ku proçesi i globalizimit dhe, si rrjedhim krijimi i një diversiteti kombëtar të brendshëm, prej 30 vitesh po ecën me hapa frenetike. Mesa duket qeverisë italiane i intereson shumë më pak se qeverisë sonë se cilin Zot, në toke a qiell, adhurojnë shtetasit e saj ; mbase sepse Italia ndan të njëjtin qiell por jo tokë me Greqine e Serbine !? Perkundrazi, një nga risitë e regjistimit të vitit 2011 në Itali është proçedura më e lehtë e këtij proçesi dhe më në shërbim të qytetarit duke siguruar kështu një informacion më të detajuar, afate kohore më të gjata të perpunimit të të dhënave në mënyrë që rezultatet të jenë sa më funksionale, duke patur parasysh edhe ndryshimet e brendshme territoriale të vendit. Për më tepër sot në Evropë nuk ka asnjë vend, përveç Francës, ku vitin e kaluar presidenti Sarkozy, i shtyrë nga qëllime të përmirësimit social dhe integrimit të komunitetit afrikano-verior të shumëpranishëm dhe jo nga qëllime personale e politike diskriminuese e përçarëse, emëroi një qytetar algjerian (Yazaid Sabeg) në drejtimin e një agjensie për regjistrimin e popullsisë në bazë etnie dhe feje. Edhe, megjithatë ky proçes ngeci pas një kohe shumë të shkurtër pasi Këshilli Kushtetues e klasifikoi atë si një thyerje të së drejtave qytetare. Diversiteti i popullsisë është tashmë një karakteristike strukturore e të gjitha shteteve evropiane dhe jo vetëm, por mbi të gjitha është pjesë integrale e politikave dhe reformave sociale përparimtare që të gjitha shtetet zbatojnë për integrimin dhe mbrojtjen absolute të dinjitetit të qytetarëve të tyre. Qeveria shqiptare, nga ana tjetër, duket sikur po bën të pamundurën për të ndezur një konflikt të brendshëm midis qytetarëve duke u sjellë si një ushtar i mirë në duart e fqinjëve ballkanas që historikisht, nëpërmjet armëve në fillim e « zonjës » para  e lojrave politike më pas, kanë dashur të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit tonë. Rritja fiktive e numrit të minorancës greke në jug dhe asaj serbo-malazeze nëe veri nuk do të bëjë gjë tjetër veçse zvogëlimin e Shqipërisë etnike, do të nxisë përçarjen e komunitetit, që prej qindra vjetësh jeton, bashkëjeton e ndërthuret në mënyrë të natyrshme, por që, më në fund, do të përmbushë të gjitha premtimet e bëra nga Z. Sali Berisha që prej vitit 2007 aleatëve të tij greke, duke i justifikuar si një proçes normal në një shtet demokratik.

Cfarë do të jetë në ditët e ardhshme një i ri himariot ose dropullit me një prind të krishterë e një myslyman : i krishterë-grek? myslyman-shqiptar? apo i lirë të zgjedhë së çfarë i intereson më shumë në atë moment, gjithmonë nën perspektivën që pas 10 vjetësh mund ta pyesin përsëri e do të ketë mundësinë për tu korrigjuar në rast përgjigjieje të gabuar. Eshtë e gjitha një farsë, një zhurmë e madhe mbase për të mbuluar problemet e vërteta që ka Shqipëria në këtë periudhë krize ekonomike, financiare, punësimi e zhvillimi. Eshtë detyrë qytetare për shqiptarët, në këtë periudhë të vështirë, të ndërgjegjësohen për të drejtat e tyre. Rreziku nuk janë ata, të drejtat nuk janë pretendime të paligjshme, por ligje të shkruara. Forca intelektuale, shpirtërore e kulturore që karakterizon popullin tonë e që është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e larmishmërisë së mbrojtur në mënyrë fanatike për qindra vjet duhet të bëhet mburoja kryesore kundër këtij proçesi hipokrit, meskin e uzurpues.

Shqipëria nuk është Italia, as si Italia por ka të gjitha mundësitë për të realizuar më së miri procesin e Integrim Asocimit në Evropë, përmes reformave sociale, arsimore dhe ekonomike konstruktive dhe përparimtare. Përvetësimi i Rregullores EC 763/2008 dhe ndjekjave e procedurave evropiane do të ishte me siguri një hap përpara në këtë drejtim. Italia është shumë afër dhe për drejtuesit dhe intelektualët miopë të Shqipërisë nuk do të ishte e pamundur të shikonin zhvillimin social dhe integritetin e këtij populli rrënjësisht e plotësish katolik por që po ndërton xhami, sinagoga dhe kisha ortodokse e manastire për minorancat e vjetra dhe të reja që bashkëjetojnë e ndërthuren gjithmonë e më shumë brenda kufijve të vendit. Vetëbesimi nuk fitohet duke ulur kokën, duke u shitur tek blerësi i parë, duke u vetëmohuar por duke mbrojtur të drejtat themeltare të qytetarëve e duke realizuar një  unitet të plotë të  popullit tonë pavarësisht kufijve politikë, fizikë  e fetar. Krenaria e të qenurit shqiptar  që shpeshherë duket sikur zhduket sapo kalojmë kufirin tonë dhe kur na pyesin për kombësine hezitojmë ose pergjigjemi me gjysëm zëri sikur po rrëfejmë ndonjë krim apo justifikojmë ndonjë gabim, duket sikur po fiket edhe brenda vendit tonë meqenëse vetë qeveria jonë po na pyet për kombësine dhe identitetin kombëtar.

Në tetor duhet të tregohemi të gjithë shqiptarë, krenarë për të qenurit shqiptarë dhe, duke mos u përgjigjur dy pyetjeve të fundit të pyetësorit, të mos bëhemi pre dhe në të njëjtën kohë bashkëpunëtorë të një plani të errët kundrashqiptar.

Ina Bubuni – Milano 30.09.11

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen