ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Regjistrimi, një census plot me cene

Nga Anila Dushi, Anila Peçi, Bardha Nergjoni

Vijon procesi i censusit të popullsisë dhe banesave. Por procesi i informimit të mediave është bllokuar. I vetmi kanal komunikimi i lejuar tashmë është përmes zyrës së shtypit sipas së cilës, proçesi i censusit ka vijuar normalist dhe në dinamikën e parashikuar. “Bazuar në të dhënat e mbledhura deri ditën e martë, janë kryer anketime deri në 21% të banesave në të gjithë vendin”.

Ndalohen anketuesit dhe kontrollorët për të folur në media

Në përpiekjet e bëra ditën e djeshme nga Shekulli për të marrë një intervistë apo deklaratë publike nga anketues dhe kontrollorë, për të marrë një informim për sa i përket vijushmërisë së këtij proçesi dhe problemeve të ndryshme që ato kanë hasur në terren, ato u shprehen se ka një urdhër të drejtuesve të censusit ku ndalohen për të folur për mediat. “Neve na është thënë se nuk duhet të shprehemi për mediat, pasi ka një zëdhënëse për shtyp e cila mundet të njoftojë mediat lidhur me proçesin” deklaroi një nga anketuesit e njësisë bashkiake numër 10. Pas zbulimit të këtij urdhri, e pyetur nga Shekulli Vjollca Simoni u shpreh: “është diçka normale, pasi çdo anketues dhe kontrollor ka për detyrë vetëm të plotësojë pyetsorët dhe jo të përgjigjet për mediat. Ato janë trainuar për këtë punë dhe për mediat jemi ne që mundet të përgjigjemi.” Ky udhër ndalon direkt informimin e qytetarëve lidhur me ato probleme të cilat mundet ti shfaqen anketuesve në terren, ndaj frika e çdo anketuesi dhe kontrollori për tu deklaruar nuk i lejon ata të shprehen përveçse nën zë.

Problemet gjatë procesit

Pas një vëzhgimi në terren lidhur me këtë proçes dhe nga pyetjet nën zë të disa anketuesëve janë pikasur disa probleme lidhur me zhvillimin e proçesit. Ka persona të cilët refuzojnë të përgjigjen për pyetsorin dhe kryesisht janë ato persona të cilët mbështesin lëvizjen e Alencës KuqeZi, gjithashtu ka edhe nga ata persona të cilët nuk janë të bindur për këtë regjistrim dhe deklarojnë se të dhënat e tyre i kanë të regjistruara në gjendje civile dhe nuk kanë pse ti përgjigjen këtij peytësori. Një tjetër problem u shfaq edhe në njësinë bashkiake numër 9 ku një anketuese e kësaj njësie, u shfaq në dyert e familjarëve e ndjekur nga një kamera e një Televizioni, gjë që hasi në kundërshtime të forta të familjarëve të cilët refuzuan ti përgjigjen anketimit. Lidhur me këto probleme drejtuesit e censusit nuk kanë treguar asgjë dhe në komunikimin e tyre për mediat janë shprehur se kanë qënë disa raste të izoluara dhe INSTAT ka ndërhyrë për garantimin e një proçesi normal. Gjithashtu lidhur me ngatërrimin e personave me regjistrimin e gjëndjes civile, taksave, pronave dhe kombësisë, ato janë shprehur se ky census është thjesht një matje statistikore që i nevojitet popullit dhe politikbërësve dhe nuk ka lidhje me asgjë tjetër.

Etnia dhe feja

Dy nga pikat më të diskutuara të pyetësorit të censusit kanë qenë ato në lidhje me vetëdeklarimin e fesë dhe të etnisë.

“Nuk ka asnjë problem lidhur me reagimin e familjarëve tek përgjigjen për këto dy pyetje” tregon zëdhënësja për shtyp. Pa dashur të identifikohet, një anketuese e njësisë numër 9 u shpreh se në lidhje me etninë, kishte shumë persona që janë shprehur kundër deklarimit, por, tek e fundit, nuk zgjidhnin opsionin e mosdeklarimit, por deklaronin të gjithë që ishin shqipëtare. Lidhur me fenë ajo tregon se nuk kishte ngurrime nga familjarët dhe zgjedhjet e tyre ishin të ndryshme, “Përgjithësisht të gjithë e deklaronin fenë, por kishte raste që zgjidhnin dy opsionet e tjera, ku shprehet se ‘je besimtar por nuk i përket ndonjë besimi’ ose ‘nuk je besimtar dhe nuk i përket ndonjë besimi fetar’. Ishin të rrallë personat që nuk shpreheshin lidhur me këtë pyetje.”

21% e banesave është kontrolluar

E pyetur lidhur me detajet e  proçesit zëdhënësia për shtyp u shpreh se është herët për të pasur detaje të këtij proçesi pasi, ato mundet të dalin vetëm pas mbylljes së tij dhe përpunimit të të dhënave. Ajo shprehet se është arritur të sigurohet deri tani një plotësim të pyetësorëve deri në 21 përqind të banesave, por detaje të tjera nuk ka.

Njoftim nga censusi

“Do të jenë qytetarët e Shqipërisë ata që do të përfitojnë nga ky proces. Dhe janë qytetarët ata të cilët meritojnë një falënderim të veçantë për përgjegjësinë dhe angazhimin qytetar, jo vetëm duke iu përgjigjur Censusit, por edhe duke raportuar për parregullsitë e hasura. Ftojmë të gjithë qytetarët që do të vizitohen së shpejti nga anketuesit tanë t’i presin ata me mikpritjen tradicionale që karakterizon këtë vend e të japin pa droje të dhënat e tyre siç kanë bërë kahera në këto troje.”

Në Shkodër formularët plotësohen vetë

Për procesin e regjistrimit të popullsisë, edhe zyrat e rretheve janë ndaluar të japin informacion. Kjo pohohet nga zyra e e Instat në Shkodër , e cila vetëm ditën e parë të fillimit të proçesit dha informacion se ai ka nisur pa probleme, ndërsa me ardhjen e urdhërit nga Tirana, të marrësh informacion zyrtar për ecurinë e këtij proçesi është e pamundur. Por pavarësisht kësaj, në Shkodër proçesi ka nisur dhe ndonëse në ditët e para, nga vëzhgimet e bëra dhe deklaratat e qytetarëve vërehen dhe probleme. Në Shkodër janë shfaqur anketues që plotësojnë me laps formularin duke thënë se do e punojnë më ngadalë e me kujdes kur të jenë më të qetë. Po kështu ka patur raste kur anketuesit nuk e tregojnë fare formularin por marrin të dhëna në fletore duke thënë se kjo shkurton kohën dhe është në dobi të dy palëve. Janë konstatuar raste kur nuk bëhen fare pyetjet për deklarimin e etnisë  dhe fesë ,megjithëse ato janë facultative dhe duhen pyetur të anketuarit nëse duan ti përgjigjen.Mungesa e plotësimit të 120 pyetjeve të formularit por dhe shënimet e marra me laps apo në fletore të zakonshme për shumë pak nga pyetjet e formularit, kanë rritur dyshimet e qytetarëve për vërtetësinë e tij.Në qarkun e Shkodrës janë angazhuar për këtë proçes 800 rregjistrues, nga të cilët 640 janë për rrethin e Shkodrës. Qytetarët shkodranë shprehen se janë informuar perms mediave se do gjobiten në rast se mashtrojnë me të dhënat personale apo refuzojnë plotësimin e formularit. Por ndërsa në mjaft familje njerëzit janë angazhuar në veprimtari të tjera, kryesisht punë, mosgjetja në banesë është e mundshme. Anketuesit janë të detyruar të lënë shënim kur nuk gjejnë njeri në banesë, por dhe kjo nuk e siguron se qytetarët e marrin njoftimin, ose ka patur raste që njoftimi vetëm ka treguar se ka qenë anketuesi por nuk ka dhënë numër kontakti të tij. Duke qenë se shumica e personave të angazhuar si anketues në Shkodër nuk përdorin formularin drejtpërdrejt por shënime ose e plotësojnë me laps, qytetarët shprehen se kanë dyshime se të dhënat me ose pa dashje mund t’u ndryshohen dhe në rast verifikimi do të penalizohen pa të drejtë.

Në Himarë, mbështetësit e Dules refuzojnë pjesëmarrjen

“Është një proçes që po ecën gati me ritme normale” – shprehet për ecurinë e proçesit drejtorja e Instat për Vlorën Elsa Bezhani. Pyetur për vijimësinë e tij në Vlorë, Bezhani shprehet se proçesi e ka marrë tashmë këtë formë, ku anketuesit janë shpërndarë në të gjitha zonat.

Bezhani tha se për proçesin janë marrë të gjitha masat për përgatitjen teknikisht të njerëzve që do të jenë në terren, por edhe harmonizimin e gjithë strukturave, duke qenë se nuk janë thjesht anketuesit, por edhe struktura e mbikqyrësit, inspektorët e kontrollorët.

“Anketuesit që punojnë në terren për procesin e censusit 2011 janë trajnuar teknikisht për të marrë konceptet bazë të censusit të cilat janë mbi banesat, mbi konceptet për njësinë ekonomike familjare, për bërthamën famijare, për vëndbanuesin e zakonshëm ose atë prezent dhe jo prezent dhe disa koncepte të tjera që janë pjesë përbërse e formularit që të do të aplikohet nga cdo anketues në terren”. Pyetur një nga anketueset që po punon në lagjen Kushtrimi, ajo shprehet se kryesisht janë mirëpritur nga familjarët, por edhe marrë përgjigje nga ta. “kam patur vetëm një rast, ku gruaja e shtëpisë tha se nuk ju pranojmë, por kur shkuam herën e dytë, gjithçka shkoi normalisht”. Mësohet se pak më tepër vështirësi ndeshin anketuesit në zona paksa më të thella të rrethit të Vlorës, ku  anketuesit kanë shprehur shqetësimin se nuk kanë munguar familjarë që preferojnë të përdorin përgjigjet ironizuese për pjesë të veçanta të pyetësorëve. Po kështu në zonën e Himarës, ka mbështetës të Dules, të cilët kanë refuzuar të jenë pjesë e këtij proçesi. Gjithsesi duke qenë se anketuesit kanë detyrimin ligjor të shkojnë tre herë pranë këtyre familjeve, ato ende nuk janë raportuar si problematika të mirëfillta. Në Vlorë operojnë gjithsej 650 anketues, ku 325 prej tyre janë angazhuar vetëm me qytetin.

Në Elbasan, komunat nuk kanë ambjente për CENSUS

 Një pjesë e komunave nuk kanë vënë në dispozicion zyra për regjistrimin e popullsisë në qarkun e Elbasanit. Prefekti Shefqet Deliallisi në një takim me kryetarët e komunave u ka bërë thirrje të riparojnë problemet që kanë lindur me ambjentet për të ndihmuar procesin e regjistrimit të popullsisë në njësitë e tyre vendore. Kryekomunarët kanë deklaruar se në disa njësi vendore mungojnë ambjentet për ti vënë në dispozicion për CENSUS-in. ata thonë se e kanë të vështirë të gjejnë të tilla ambjente dhe për këtë gjë duhet të ishin kontaktuar më parë. Prefekti u kërkoi që të marrin masa për të gjetur një zgjidhje mbi problemet e lindura që procesi I regjistrimit të popullsisë të mos pengohet nga infrastruktura. Kryesisht një problem të tillë e hasin komunat e largëta në qarkun e Elbasanit.

Shpëtim Idrizi: Konsull, largohu!

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka kërkuar dje nga shteti shqiptar largimin e konsullit grek në Korçë, i cili prej disa ditësh po bën një fushatë të hapur duke kërkuar që shtetasit shqiptarë të vetëdeklarohen si grekë gjatë procesit të censusit. “Nga mënyra si po zhvillohet procesi në rrethe të caktuara, nga përfshirja e faktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë, në veçanti e Greqisë, ne jemi të mendimit se faktorët rajonalë, në veçanti Greqia po luajnë me disa skenarë. Këtë e tregojnë dhe qëndrimet e ndryshme të zërave brenda minoritetit, apo dhe angazhimi aktiv dhe i kundërligjshëm i konsullit grek në Korçë, për të cilin ne bëjmë thirrje dhe njëherë që ai të nxirret sa më shpejt jashtë vendit si person i padëshiruar. Ky njeri është duke shkelur ligjin shqiptar, është duke inkurajuar qytetarët shqiptarë të shkelin ligjin për censusin. Lajmet për fotokopjime të formularit dhe dorëzim të tyre në konsullatën greke të Korçës janë dëshmi e qartë e dhunimit të ligjit shqiptar për anonimitetin e deklarimeve”,- tha dje Idrizi.

Censusi ka lënë jashtë objektit të tij çamët dhe pronat e tyre në Greqi, por për partinë që përfaqëson interesat e këtij komuniteti ky nuk është aspak një problem. “Shqiptarët e Çamërisë i dinë mirë pronat, shtëpitë, lugët, pirunjtë që i kanë lënë pas në atë genocid dhe atë masakër. Ata dinë edhe llogaritë bankare, deri tek gjëja e gjallë”,- tha Idrizi

NJË KOMENT

Pellazg Iliria

21/03/2012

arrow

Ne Vlore nje pjese e mire e atyre qe benin anketimin ishin kryesisht antare te partise
te drejtave te njeriut dhe te PD e PS, nje pje e madhe regjistrohesh neper fletore
kur nuk gjenin njeri neper banesa nuk linin shenim se kur do te vinin perseri,
dhe per cudi keta regjistrues ishin edhe punonjes se bashkise dhe qarkut.

Peshendetje nga Vlora

Pellazg Iliria

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen