ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Pse iu drejtova publikisht kryeministrit…

21

Nga Abdi Baleta

Të nderuar lexues të “Bota Sot”

Nuk kisha dëshirë t’ju ftoja të lexoni një tjetër analizë timen kaq shpejt, pas botimit të shkrimit “Qershori i tretë erdhi në janar”. Por ngjarjet në Shqipëri po rrokullisen rrëmbyeshëm e me shpejtësi. Shqipëria dhe i gjithë kombi shqiptar janë përfshirë prej disa muajsh në një spirale zhvillimesh të shumta, të rrëmujshme, të dëmshme dhe kërcënuese. Kjo na bën të mos heshtim edhe kur nuk kemi dëshirë e oreks të madh për të folur. Tashmë fjala e çiltër e dalë nga dëshira shqiptare prej shumë vitesh ka humbur peshën e vlerën që duhet të ketë në mendimin e praktikën politike në vend dhe në perceptimet publike.

Po vërejmë prej kohësh se ata që kanë në dorë timonin politik e pushtetor dhe të punëve të shtetit (përfshi këtu dhe opozitën zyrtare) nuk kanë dëshirë të dëgjojnë këmbana alarmi për fatet e rrezikuara të vendit e të kombit. Edhe opinioni publik shqiptar, brenda e jashtë Shqipërisë është tulatur, i hedh sytë dhe i drejton veshët me apati e përtaci ndaj mendimit nacionalist dhe dridhërohet më shumë se sa zgjohet nga shkundjet që i bëhen. Për fat të keq vemë re se politikanët e pushtetarët përpiqen shumë që qytetarët shqiptarët të përgjumen e të ngushëllojnë veten si “gomari në ëndërr” (kur gomarin po e shqyente ujku ai thoshte me vete “inshallah jam në ëndërr”). Politikanët që qeverisin dhe ata në opozitë po luftojnë vetëm për pushtet. Të gjithë i ka përpirë kokë e këmbë makutëria e pasurimit, i ka thithur deri në grykë këneta e korrupsionit, i ka çorientuar verbëria e mendjes, zbraztia e shpirtit kombëtar, psikoza e mania e vetëshqyerjes politike dhe psikologjia e zvetnimit shqiptar përpara trysnisë së faktorëve armiqsorë ndërkombëtarë, në radhë të parë para trysnisë së politikave serbe e greke.

Megjithatë, do të ishte e pamoralshme për cilindo që i thotë vetes shqiptar të dëshpërohet tej mase nga kjo gjendje, të pajtohet me këtë gjendje dhe të qëndrojë sehirxhi, pa bërë edhe atë pak gjë që është ende e mundur të bëhet, të thotë fjalën e vet si duhet thënë. Pikërisht për të mos rënë në pozitën e një sehirxhiu të dëshpëruar para zhvillimeve që po ndodhin, më datën 10 shkurt 2011, në programin “Fokus” të gazetarit Robert Papa, i cili transmetohet nga kanali televiziv “Koha” në Tiranë, vendosa t’i drejtohesha publikisht kryemnistrit të Shqipërisë, Sali Berisha, për të shprehur një sërë shqetësimesh të mia dhe për t’i kujtuar disa zhvillime politike të 20 viteve të demokracisë. Disa ndodhi tipike nga vitet e shkuara nuk duhen harruar në këto çaste kur Shqipëria po përballet me dy fushata të egra politiko-juridike e diplomatike të rrezikshme:

1-Me rrjedhojat e grushtit të shtetit të 21 janarit 2011, që ende nuk ka dështuar plotësisht dhe qëndron pezull mbi kokat e shqiptarëve për t’u përsëritur.

2- Me ofensivën e re në rritje të serbëve nga veriu e të grekëve nga jugu për të gjunjëzuar politikisht kombin shqiptar dhe për ta shpërbërë sa më shumë atë, duke e kthyer Shqipërinë në venbanimin e një “shoqërie multietnike”.

Mësymja ekspansioniste e shkombëtarizuese greke në Shqipëri ka marrë përmasa shumë të gjera dhe tone shumë të larta agresive në prag të regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, i planifikuar të fillojë në muajin prill, sipas një formulari skandaloz, që nuk i gjendet shoqi në praktikën e regjistrimeve të popullsisë në asnjë shtet të Europës. Ky formular është konceptuar sipas orekseve të Greqisë dhe nën trysninë e Greqisë si një instrument administrativ antikushtetues e antiligjor për të rritur artificialisht dhe arbitrarisht numrin e “pakicës greke” në Shqipëri dhe të pakicave të tjera me qëllimin përfundimtar që Shqipëria të shpallet vend e shoqëri shumëkulturore e shumëetnike dhe të mohohet e drejta e Shqipërisë për të mbetur si deri tani, një shtet unitar kombëtar shqiptar.

Lidhur me këtë fushatë të rrezikshme greke më është dashur të flas hapur me zemërim, por me argumenta të ftohta, në disa emisione televizive. Në programin “Fokus” të datës 10 shkurt e pashë të arsyeshme t’i drejtohesha vetë kryeministrit të vendit, Sali Berisha, si vijon:

“I nderuar kryeministër,

Së pari, po të drejtohem si një qytetar i Shqipërisë me kombësi shqiptare, i besimit mysliman, që për gjuhë amtare kam gjuhën shqipe, por që flas dhe katër-pesë gjuhë të tjera. Megjithatë, asgjë nuk do të mund të më shtynte e të më kalonte në anën e një kombësie tjetër, edhe sikur unë vetë ta dëshiroja një gjë të tillë.

Së dyti, po të drejtohem si ish-diplomat shqiptar, si ish-ambasador, përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në OKB, në kohën e regjimit komunist (gjë për të cilën e ndjej veten të lumtur e krenar), si jurist, si specialist i marrëdhënieve ndërkombëtare, si ish-pedagog i së drejtës ndërkombëtare publike në Universitetin e Tiranës dhe si ish-kryetar gjykate rrethi (Pogradec).

Së treti, të drejtohem si ish-deputet i Partisë Demokratike, i zgjedhur dy herë drejtpërsëdrejti, jo nga lista shumemërore, në Berat (një nga zonat më të vështira për Partinë Demokratike), si ish-pjesëmarrës aktiv në të gjitha etapat e lëvizjes për demokraci në Shqipëri, si ish-sekretar i Forumit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, që u krijua pak ditë pas themelimit të Partisë Demokratike.

Së katërti, të drejtohem si ish-deputet i Partisë Demokratike. Kësaj partie ia kam shpëtuar dy herë nderin e Partisë dhe të vetë kryetarit të saj të atëhershëm e të tanishëm, në përballjet e forta me planet qëllimkëqija të shovinizmit grek kundër Shqipërisë. Më 2 shkurt 1992, mbajta në parlament një fjalim kundër orvatjes greke për ta kthyer Shqipërinë në shtet federal. Atë ditë arrita të bashkoj gjithë deputetët e parlamentit, të shumicës qeverisëse nga Partia Socialiste dhe të opozitës nga Partia Demokratike, ku bëja pjesë edhe unë, në një qëndrim unanim për ta përjashtuar OMONIA-n (organizatën antishqiptare, që vepron në emër të minoritetit grekofon në Shqipëri) nga rrethi i subjekteve zgjedhore. Grekët synonin ta kthenin sistemin politik të Shqipërisë në një sistem politik federal mbi baza etnike,  synonin të rikthenin në jetën politike shtetërore të Shqipërisë famëkeqin “Protokoll të Korfuzit” të vitit 1914, që e shkëpuste Shqipërinë e Jugut në formën e “Autonomisë së Vorio Epirit”. Herën e dytë ia kam shpëtuar nderin Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj të atëhershëm e të tanishëm kur veprova me shpejtësi në parlament për të prishur një ujdi të keqe e dinake që po pranonte grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Kam penguar miratimin e famëkeqit “Amendamenti Makariadhi” në prill të vitit 1993. Ky amendament i hapte rrugën ligjore legalizimit të praktikave shkombëtarizuese të Greqisë në Shqipëri, në kurriz të kombit shqiptar. Ai amendament synonte të vendoste në ligjin kushtetues shqiptar “të drejtën e çdo banori të Shqipërisë për të zgjedhur e shpallur vetë, sipas qejfit, kombësinë”.

Për këto qëndrime e veprime që bëra atëherë jam sulmuar pa pushim gjatë këtyre 20 viteve nga politika dhe propaganda e Greqisë, nga greqizma, nga grekofilia shqiptare, nga e majta në Shqipëri; madje jam sulmuar disa herë edhe nga propaganda e Partisë Demokratike, sidomos nga gazeta e zelltarit të kësaj Partie, Mero Baze dhe e mercenarëve publicistikë të PD-së. Mero Baze sot është një përgojues i shëmtuar i vetë kryetarit të PD-së dhe njëkohësisht kryeministër i vendit.

Së pesti, të drejtohem si kryetar i Partisë “Rimëkëmbja Kombëtare”, një parti nacionaliste, që e di se nuk e pëlqen. Por Shqipëria ka sot më shumë se kurrë nevojë pikërisht për nacionalizëm, pavarësisht se mund të na etiketoni si “ekstremistë”, apo “politikanë nacionalistë të tipit Zhirinovski (në Rusi)”. Të drejtohem edhe si publicist e analist politik që jam marrë gjatë shumë viteve me problemin e minoriteteve kombëtare, me trajtimin teorik të problemit të kombit e të kombësisë dhe të çështjes kombëtare shqiptare.

Pra, nuk po të drejtohet thjesht një qytetar shqiptar i përfshirë rastësisht nga impulse emocionale të çastit, por po të drejtohet një shtetas shqiptar që i grumbullon të gjitha këto cilësi, që ka një përvojë prej disa dekadash në diplomaci, në jurisprudencë, në politikë, në parlamentarizëm, në publistikë, që ka bërë debate e retorika të vazhdueshme mbi këto probleme.

Nuk mund të rri pa të thënë publikisht se e quaj veten si politikani shqiptar që të ka mbështetur më shumë se gjithkush tjetër në çastet më të vështira të karrierës tënde politike, madje dhe duke të mbrojtur nga sulmet e padrejta që ju janë bërë në kohë të ndryshme, edhe kur të kundërshtoja për qëndrime të caktuara. Mbi të gjitha, unë të kam përkrahur fuqimisht, kur të tjerët që i mbaje afër dhe i përkëdhelje të tradhtonin paturpësisht. Më shumë se çdo politikan tjetër kam mbrojtur rolin e vështirë politik që i takoi Sali Berishës të luante. Jam i vetmi që kam arritur deri atje sa të deklaroj publikisht se “do ta mbroj Sali Berishën (rolin e tij politik) edhe nga vetë Sali Berisha sa herë të lindë nevoja”. Këtë kam bërë, këtë po e bëj dhe tani dhe do ta bëj përsëri, sepse kam çmuar e çmoj se kjo i shërben Shqipërisë, edhe në raste kur mund të mos i pëlqejë vetë Sali Berishës. Këtë nuk e them për të lavdëruar veten. Këtë e kanë vënë re me kohë vëzhgues të mirëfilltë të politikës shqiptare me ndjenja kombëtare, brenda dhe jashtë Shqipërisë, sidomos gjatë ngjarjeve të rënda të vitit 1997, kur të braktisën shumë nga mjeranët e tu të afërm.

Kam vepruar kështu për hir të demokracisë, pa ndonjë interes vetiak, pa të lypur ndonjë gjë, pa pritur e pa marrë shpërblim politik, mirëkuptim, apo thjesht mirënjohje njerëzore. Dhe ju nuk më keni dhënë asgjë të tillë. Por kjo nuk e ka ndryshuar gjykimin tim politik për rolin tënd në politikën shqiptare, për meritat e mangësitë e veprimtarisë tënde politike. Të kam kundërshtuar fort në momentet kur gabimet e tua (gjithmonë sipas gjykimit tim) mund të dëmtonin ose po e dëmtonin rëndë Shqipërinë dhe demokracinë, por sidomos kur dëmtonin interesat madhore të kombit shqiptar në tërësi.

Kam kundërshtuar qysh në fillim (korrik1991) mbështetjen që i dhe ligjit famëkeq nr. 7501 “Për Tokën”, që e kam cilësuar qysh atëherë shkatrrimtar për Shqipërinë. Kam thënë qysh atëherë në praninë tënde në forumet e Partisë Demokratike se ai ligj ishte përpunuar në kuzhinat juridike të Athinës e të Beogradit, për të futur ngatërresat e vëllavrasjet në Shqipëri dhe për të legalizuar grabitjet e tokave shqiptare nga grekët e serbët në Greqi, në Kosovë e në Shqipëri. Tani vetë po e ndjen pështjellimin e madh që ka krijuar ky ligj në Shqipëri. Po e ndjen se ky ligj të ka mbetur si gjyle e rëndë lidhur me zinxhirë nëpër këmbë. Për këtë u paralajmërove në kohë, por nuk e dëgjove këshillën e mirë.

Me të njejtën dëshirë të mirë e sinqeritet kësaj radhe dua të të bëj një paralajmërim tjetër publikisht, nga pozita e qytetarit dhe e shtetasit shqiptar që përshkrova më lart: Mos e lidh emrin tënd me këtë regjistrimin famëkeq të popullsisë në Shqipëri, që është menduar të bëhet sipas “Formularit Pollo”. Ky do të jetë një gabim fatal në dëm të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.Do të jetë njëkohësisht një njollë në jetëshkrimin tënd, që nuk do të arrish ta heqësh kurrë dhe me asgjë.

Mos ia hap zyrtarisht e ligjërisht rrugën kthimit të shqiptarëve në grekë. Ti e di fort mirë sa mjete të fuqishme dhe sa shumë njerëz ka tani Greqia në dispozicion në Shqipëri për të manipuluar regjistrimin dhe rezultatet e regjistrimit, në rast se ky regjistrim do të bëhet, sipas “formularit Pollo”. Prandaj të bëj thirrjen: mos ia ler këtë bela në derë Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Mos u dorëzo para ish-kryeministrit shoven grek, të ndjerit Elefter Venizellos, 90 vjet pasi ai dështoi ta arrinte këtë fitore, në kohën kur shteti shqiptar nuk ishte ngritur ende në këmbë, por sa kishte filluar të lëvizte gjymtyrët si fëmija kur ngrihet të ecë për së pari, duke u mbajtur për muresh.

Paraardhësit e tu në ato karrige ku ulesh ti me qeverinë e sotme edhe në atë gjendje të mjeruar të shtetit të ri shqiptar i qëndruan fort planit djallëzor të Venizellosit që të organizonte një plebishit në Shqipërinë e Jugut, ku njerëzit të shpreheshin nëse ishin grekë apo shqiptarë, duke synuar e shpresuar kështu t’i tregonte Europës se Shqipëria e Jugut ishte greke. Pushtetarët dhe partiotët shqiptarë të asaj kohe e mposhtën këtë politikë të Venizellosit dhe Greqinë dhe i bënë një shërbim të madh shtetit dhe kombit shqiptar. Dhe Europa i mirëkuptoi, megjithë ndikimin e madh të Venizellosit në diplomacinë europiane. Përse sot, në vitin 2011, Shqipëria të dorëzohet para Venizellosit e Greqisë aktuale?! Përse Europa nuk e kuptoka dot se si qëndron e vërteta, kur normat e kësaj Europe i japin të drejtë Shqipërisë e jo Greqisë në këtë pikë?!

Mos ia ver një vulë të keqe karrierës tënde politike. Çmoj se karriera tënde, megjithë kritikat që kam shprehur dhe kam për të, ka dhe mjaft gjëra pozitive, duke përfshirë më madhoren këmbënguljen tënde për ndërtimin e “Rrugës së Kombit” drejt Kosovës. Ruaji gjërat pozitive, pa shtuar njolla në këtë karrierë. Karriera politike sado e gjatë qoftë është e përkohshme. Kurse biografia politike mbetet e përhershme. Mos e njollos biografinë politike duke hapur e shtruar “rrugën antikombëtare” të greqizimit të shqiptarëve në masë.

Më 21 janar 2011 e mbrojte Kryeministrinë, e ruajte demokracinë, i shërbeve si asnjëherë tjetër Shqipërisë. Po kështu duhet të mbrosh Shqipërinë edhe nga sulmet që i vijnë nga fqinjët grekë. Siç mbrojte Kryeministrinë nga “dajakxhinjtë” shqiptarë të shtyrë nga autorët e grushtit të shtetit, mbroje dhe Shqipërinë nga “dajakxhinjtë” grekë të shtyrë nga politika shoviniste e Greqisë, nga sulmet që po bën Greqia për ta përfunduar regjistrimin e popullsië në Shqipëri ashtu si do ajo, sipas “formularit Pollo”. Sulmi që po i bëhet kombit shqiptar nëpërmjet këtij formulari është dhe më i keq për Shqipërinë, për shqiptarinë e për shqiptarësinë se sa sulmi i “dajakxhinjëve” shqiptarë për të marrë pushtetin në Tiranë më 21 janar 2011. Sulmi nëpërmjet “regjistrimit të mbrapshtë të popullsisë” është me të vërtetë “sulm ballor” kundër pranisë kombëtare shqiptare në Ballkan.

Mos u lëkund nga trysnitë politike e diplomatike, as nga rrethanat e rënda që të janë krijuar me tentativën për grusht shteti. Mos u step nga dashakeqësitë e llafet që lëshojnë armiqtë e tu politikë, apo ndonjë individ sherrxhi si akademiku nga Kosova, Rexhep Qosja. Mëria e këtij njeriu për Sali Berishën ka kapërcyer çdo kufi të imagjinueshëm. Nga mëria për Berishën, akademiku e vllau nga Kosova tregohet i gatshëm të nxisë flakët e luftës civile që Shqipëria të përvëlohet një herë në pesë vjet. Pse e ka vallë këtë mëri të madhe Rexhep Qosja për Sali Berishën, se nuk dimë që Saliu t’i ketë bërë ndonjë gjë të keqe, siç më ka bërë mua për shembull? E ka këtë mëri “për hir të Shqipërisë”, apo për ndonjë arsye tjetër?! Edhe nëse ai nuk e duron dot Sali Berishën si tip njerëzor, si politikan, nuk ka asnjë të drejtë të predikojë djegien e rrënimin e Shqipërisë. Apo duhet të fillojmë të mendojmë se “mërinë për Berishën” mos vallë e ka vetëm si maskë të dëshirës që ta shohë Shqipërinë të djegur e të përvëluar sa herë e majta humb pushtetin, apo nuk arrin dot të marrë pushtetin me zgjedhje? Ka ardhur koha që Rexhep Qosja të shpjegohet më qartë në këtë pikë e të mos fshihte më pas “mërisë patologjike” të tij për personin e Sali Berishës.

I ashtuquajturi “regjistrim i popullsisë”, sipas formularit që është paraqitur, nga pikëpamja juridike nuk është aspak një regjistrim normal, por është një plebishit i maskuar, është ai plebishit që kërkonte antishqiptari grek Elefter Venizellos para 90 vjetësh në Lidhjen e Kombeve, në Konferencën e ambasadorëve në Paris e në gjithë forumet diplomatike të Europës.

I ashtuquajturi regjistrim i popullsisë, sipas formularit të hedhur në qarkullim, nga pikëpamja etnologjike është një akt i pashembullt padrejtësie që çon drejt kryerjes së një krimi të genocidit kundër kombit shqiptar. Ky regjistrim synon të shndërrojë administrativisht me vënien e një kryqi në një copë letër sa më shumë shqiptarë në grekë, pra të gërryejë themelet e qenies kombëtare (etnologjike) shqiptare. Ky regjistrim vepron në drejtim të zhbërjes kombëtare të shqiptarëve.

Ky quhet genocid sipas të drejtës ndërkombëtare. I ashtuquajturi regjistrim i popullsisë, sipas formularit që qarkullon, nga pikëpamja politike i çon drejt tradhëtisë kombëtare e shtetërore ata që e kanë konceptuar, e kanë përgatitur, e kanë hedhur në qarkullim dhe po përpiqen ta venë në jetë. Të përgatisësh një dokument që të çon drejt genocidit në dëm të kombit tënd është tradhëti kombëtare dhe shtetërore, sepse funksionarët shtetërorë kanë detyrë të mbrojnë qenien e kombit të tyre, jo t’u shërbejnë politikave të huaja rrënuese për kombin e shtetin shqiptar.

I ashtuquajturi regjistrim i popullsisë, sipas formularit që qarkullon, i tundon dhe i nxit qytetarët e kombësisë shqiptare të paformuar mirë apo të pakujdesshëm në teknikat juridike në Shqipëri të bëjnë me ose pa dashje vetëvrasje kombëtare. Çdo deklarim i një personi me kombësi shqiptare se i përket një kombësie tjetër shton një akt të shëmtuar të vetëvrasjes së kombit. Formulari pikërisht këtë bën, shtyn ose justifikon personat me kombësi shqiptare të përfshihen në një vetëvrasje kombëtare masive administrative.

“Formulari Pollo” bie ndesh me kushtetutën dhe me legjislacionin e Shqipërisë, bie ndesh me të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të personave që u përkasin minoriteteve të njohura e të përcaktuara tashmë në Shqipëri. Mos i lejoni këto shkelje të rënda të të drejtave të kombit shqiptar, e të funksionimit të mirë të shtetit shqiptar. Mos lejoni që nën maskën e “regjistrimit të popullsisë” të bëhet plebisht për qenien kombëtare shqiptare në Shqipëri e në Ballkan. Mos lejoni që nën maskën e “regjistrimit të popullsisë” të bëhet ndaj kombit shqiptar një “genocid i butë”, i ambalazhuar me dinakërira legjendare greke. Mos i leni shteg tradhtisë kombëtare në emër të ushtrimit të funksioneve shtetërore. Mos çilni shtigje për “vetëvrasje kombëtare” të shqiptarëve për hir të kënaqjes së tekave të minoritarëve grekofonë dhe të trysnive greke”.

Për të kuptuar dhe më mirë arsyet që më kanë shtyrë të mendoj dhe të shprehem kështu po u drejtohem një sërë dokumentesh juridike, historike e politike shqiptare dhe ndërkombëtare për të sqaruar si qëndron çështja e trajtimit të minoritetit grekofon në Shqipëri sipas të drejtës ndërkombëtare, të drejtës së brendshme shqiptare dhe sipas dinamikës së marrëdhënieve midis Shqipërisë e Greqisë.

Tiranë 15 shkurt 2011

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen