ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Premisat mbështetëse të racionalitetit historik që paraqet Aleanca Kuq e Zi

Tashmë  kushdo e ka vënë re, se Aleanca Kuq e Zi përfaqëson një realitet të qartë në hapësirën publike shqiptare. Nuk mund të gjendet në hapësirën qytetare një lëvizje tjetër, ku shprehja e Hegelit; ç’është reale është racionale, merr një vlerë kaq të shkëputur nga relativja dhe spekullimi. Mund të pohohet edhe e anasjellta, se premisat racionale i dhanë mundësi AK-së të bëhet realitet i padiskutueshëm e i painjorueshëm i hapësirës publike.

Ndër premisat racionale mund të shquhen; domosdoshmëria historike e atdhetarisë, nevoja e sintezës së moralit kombëtar me parimet morale perëndimore dhe pjekuria e idesë, se shteti është i kombit e jo i parive. Në thelb, të treja këto premisa gjenden edhe në Kushtetutë, jo më kot mbrojtja e Kushtetutës përfaqëson edhe synimin imediat të Aleancës e për këtë, pa asnjë lloj dyshimi, një meritë e veçantë i takon kryetarit, z. Kreshnik Spahiu.

Përsa  i përket domosdoshmërisë historike të atdhetarisë, mund të thuhet se përsa kohë që shteti-komb përbën të vetmen alternativë në rang botëror, po për aq kohë mund të flitet për domosdoshmërinë historike të atdhetarisë. Ndërlidhja që ekziston mes atdhetarisë dhe shtetit kombëtar është e pashkëputshme, e pazhbëshme dhe e pazëvendësueshme.

Faza romantike në Europë e rrjedhimisht Shqipëri, nuk shërbeu vetëm si ngjizëse e përforcuese e ndërgjegjes kombëtare, por edhe si mekanizmi i vetëm racional, që mund të zgjidhte paradoksin mes ekzistencës së shteteve kombëtare dhe sovranitetit që i takonte monarkut (e Zotit). Zgjidhja e paradoksit kaloi nëpërmjet transferimit të sovranitetit nga monarku (me tej diktatori) tek populli i parë si komb , jo thjesht si tërësi nënshtetasish.

Kjo u mundësua falë frymës kombëtare, e cila prej mëse 200 vjetësh kryen funksionin e saj thelbësor të ruajtjes së racionalitetit të shtetit kombëtar, nëpërmjet ngulitjes së idesë se sovraniteti i takon kombit, ide kjo që është kthyer në vlerë të mirënjohur demokratike. Këtu qëndron edhe domosdoshmëria historike e frymës kombëtare, në mungesë të së cilës sovraniteti e rrjedhimisht shteti kthehet në plaçkë lufte për fitimtarin politik.

Përsa i përket premisës së dytë kemi nevojën e kapërcimit dialektik hegelian, nëpërmjet proçesit tezë-antitezë-sintezë. Kështu morali kombëtar ose shqiptar, i kodifikuar në ndërgjegjen e çdo shqiptari, pavarësisht moralit fetar, përfaqëson padyshim tezën. Ky moral historik, është gjendur përballë palës dialektike, që përfaqësohet nga parimet morale demokratike, të cilat përfaqësojnë njëfarësoj moralin ‘historik’ të Perëndimit duke nisur nga revolucioni francez. Këtu kemi antitezën, e cila përjetohet tashmë, ku më shumë e ku më pak, që prej kohës së Rilindjes, gjatë së cilës shqiptarëve iu ofrua modeli perëndimor.

Faza finale e antitezës, mund të shquhet tek Shqipëria e 20 vjetëve të fundit, e pikërisht mungesat shqiptare në përthithjen e modelit, janë dëshmia më e qartë, se shqiptarët kanë nevojë për fazën e sintezës, në mënyrë që identiteti kombëtar, i cili bazohet gjerësisht edhe tek morali kombëtar, morali historik, të mos humbasë dhe as shqiptarët të mos humbasin autenticitetin e tyre, veçanshmërine e tyre, individualitetin e tyre mes kombeve të botës.

Kemi të bëjmë me një fazë ku shqiptari pajtohet me esencën e vet, me qenien e vet, ku veturrejtja zëvendësohet nga ndërgjegjësimi i së paevitueshmes, ku shqiptari del nga bota adoleshenciale e ëndrrave me bukuri, përsosmëri e të ardhme të ndritur dhe pajtohet me veten që sheh në pasqyrë. Ndërkaq, shqiptarë të tjerë të kapur fort pas tezës (moralit kombëtar) duhet të pajtohen me idenë e ndryshimeve në të, pasi në një botë dinamike, ndryshimi është jo vetëm pjesë e jetës, por kusht i domosdoshëm për përmirësimin.

Përsa i përket premisës së tretë, një vështrim i shpejtë i historisë vërteton menjëherë se shteti i Shqipërisë, esencialisht ka qenë gjatë gjithë historisë, i mbizotëruar haptazi nga paritë, por jo si pari përfaqësuese të kombit, përkundrazi si pari përfaqësuese të interesave të veçanta, partikulariste, sundim të një krahine mbi të tjerat, me fise e klane shqiptarësh që zëvendësonin njëri-tjetrin, në emër të doktrinash politike gjithfarësh e ironikisht në emër të popullit.

Ky zakon i mbrapshtë shtetformimi e qeverisjeje, ka rrënjë të thella në Shqipëri, mirëpo është ndoshta edhe  shkaku kryesor i prapambetjes së vendit, i prestigjit të ulët të shtetit   shqiptar përballë fqinjëve si dhe padyshim një ftesë e përhershme për fqinjët dhe këdo shtet të huaj, për të futur hundët në punët e shqiptarëve, me pasoja që dihen e ndihen. Vazhdimisht nacionalistët i janë kundërvënë ketij zakoni, por gjithnjë pa sukses, megjithatë si forca e vetme në Shqipëri  që i ështe kundërvënë historikisht këtij zakoni, qysh prej Rilindjes, u takon përsëri atyre t’i kundërvihen me gjithë fuqitë, edhepse tashmë në shtresa të gjera të popullsisë është pjekur ideja, se pa hequr qafe njëherë e mirë këtë zakon të mbrapshtë, nuk ka për të pasur as Shqipëri të fortë, as Shqipëri të zhvilluar e as Shqipëri europiane.

Shteti nuk është pronë private e një familjeje, klani a fisi, por është pronë e përbashket e gjithë shqiptarëve, shteti është kombëtar, dmth i takon kombit. Meqë zakonet janë të vështira për tu hequr, duhet marrë në konsideratë edhe përdorimi i mjeteve jo tamam paqësore. Ashtu si për barin e keq nuk ka mënyrë tjetër përpos shkuljes edhe në këtë rast, imperativi kategorik është kalimi i shtetit të Shqipërisë ne duart e shqiptarëve, duke e shkulur zakonin me gjithë rrënjë. Pra, nevojitet përvetësimi i shtetit prej shqiptarëve.

Si përfundim, nga këto premisa  racionale, që jane veç tre nga shumë, arrihet të kuptohet qoftë edhe pjesërisht, suksesi i kësaj lëvizjeje ndër shqiptarë anembanë botës, mbështetja në rritje e sipër, aktivitetet në shtim të vazhdueshëm, strukturimi përherë e më qartë i Aleancës. Po kështu, duke marrë për bazë këto premisa, nuk është e vështirë të parashikohet, nga njëra anë, një rrugë e shtruar përsa i përket përkrahjes popullore e nga ana tjetër një rrugë me pengesa gjithfarësh, që do të vendosin si kundërshtarët ideologjike, ashtu edhe armiqtë e shqiptarisë, të cilët, siç dihet mirë nga historia dhe tashmëria, nuk kanë përtuar asnjëherë të fusin hundët në punët e shqiptarëve.

Ledjan Prifti

 

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen