ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Prej debati kush frigohet?

debati

Prej disa muajsh, Aleanca Kuqezi ka ndërmarrë disa nisma të rëndësishme për interesin kombëtar, të cilat në çdo vend tjetër normal do të ngjallnin një debat të gjerë publik mes gazetarëve, studiuesve dhe personazheve publike në vend. Një gjë e tillë, sigurisht ka ndodhur në njëfarë mase edhe në vendin tonë, por vetëm në njëfarë mase ama…

Një prej nismave më të debatuara të Aleancës Kuqezi ka qenë çështja e regjistrimit të popullsisë dhe banesave. Kjo çështje e ka ndarë shoqërinë në dy llogore, njëra është kundër regjistrimit mbi baza etnike dhe fetare dhe pala tjetër është kundër këtyre të parëve. Duke qenë se një sërë akademikësh, gazetarësh, juristësh e personazhe të tjerë publikë kanë argumentuar rrezikun e regjistrimit mbi baza etnie dhe feje, do të ishte me vend që edhe pjesa tjetër të parashtronte argumentet përse ky regjistrim duhet bërë në këtë mënyrë, cilin shtet marrin si model dhe çfarë të mirash i vijnë vendit tonë nga inventarizmi i fesë dhe etnisë. Sot, rreth gjashtë muaj më vonë, besoj se është e qartë se Aleanca Kuqezi është pro regjistrimit të popullsisë, por kundër regjistrimit të besimit fetar dhe etnisë, por ende nuk dihet qëndrimi i shumë aktorëve të tjerë në vend, të cilët ose nuk kanë folur për këtë temë, ose kanë folur përçart.

I njëjti fat, sigurisht e priti edhe nismën e fundit të Aleancës për rishqyrtimin e toponimeve, e cila, në vend që të ngjallte debat rreth emrave sllavë të qyteteve shqiptare, ngjalli sërish debat rreth Kreshnik Spahiut dhe Bamir Topit. I gjithë ky reagim nuk mund të mos i ngjasojë rastit sikur dikush shkon tek mjeku dhe mbas ekzaminimit të një sëmundjeje, në vend që të merret me diagnozën, fillon e merret me atributet personale të mjekut. E kështu shoqëria jonë, në vend që të marrë kurën e nevojshme, fillon të refuzojë sëmundjen, duke ndihmuar në degradimin e gjendjes së vet.

Personalisht mendoj se çështja e toponimeve duhet të nxisë debat të studiuesve, historianëve, etnografëve e etimologëve, të cilët të sqarojnë arsyet e mbivendosjes së toponimeve sllave mbi toponimet ilire. E sigurisht më pas debati duhet të ndiqej nga juristë, të cilët do të duhet të gjejnë rregullimin juridik për këtë çështje. Shqetësues nuk besoj se duhet të jetë debati rreth kësaj çështjeje, por ndryshimi i toponimeve shqiptare në Çamëri dhe ndërrimi i tyre me toponime greke. Nga ana tjetër Greqia, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, madje (së fundmi) edhe Kosova kanë një ligj për toponimet e tyre, duke synuar ruajtjen e identitetit dhe simboleve kombëtare. Po Shqipëria përse duhet të heshtë për këtë çështje? Unë nuk marr përsipër të them nëse do të ishte më mirë ta quajmë Pogradec apo Enkelana, por sigurisht që mendoj se ne duhet padyshim të diskutojmë për këtë gjë. Ne jemi një shoqëri e hapur dhe këto çështje, sigurisht që duhet t’i nënshtrohen debatit të gjerë publik.

Sigurisht që nuk kam qenë dhe nuk jam kurrsesi kundër skanerit të publikut dhe të medias për cilindo prej nesh që ndërmerr një nismë publike, por kurrsesi çështjet personale nuk mund të ishin domeini kryesor i një debati kaq të rëndësishëm për vendin tonë. Populli ynë do të thoshte se “nuk mund të jetë më i rëndë bishti se sqepari”. Kështu ata që angazhohen të flasin rreth aktivistëve të Aleancës Kuqezi, minimalisht do të duhej që më parë të shprehnin pozicionin e tyre për këto çështje të ngritura.

E në fakt, kush i trembet debatit? Pa dashur të analizoj arsyen e mosarsyeve të disa prej analistëve në vend, unë do të thoja se ai që ka argumente rreth një debati, kurrsesi nuk do t’i shmangej atij. Shmangia është karakteristike ose për ata që i janë shteruar argumentet ose për ata që qëllimisht duan të krijojnë një kakofoni zërash për të mbytur zërin e së vërtetës. Mendoj se nuk ka kurrfarë rëndësie për publikun se cila është e ardhmja e Aleancës Kuqezi, apo cili është qëllimi i individëve të përshirë në të. Madje edhe sikur të gjitha legjendat urbane të hedhura në qarkullim kohët e fundit të ishin të vërteta, prapë kjo nuk do të ndryshonte asgjë në jetën e shqiptarëve. E kundërta ndodh me çështjet që ka ngritur Aleanca Kuqezi, secila prej tyre ka një rëndësi specifike për të tashmen, por kryesisht për të ardhmen e vendit tonë.

Brezat e ardhshëm pak do t’ju interesojë kush ka qenë Endrit Shabani, Kreshnik Spahiu, Vangjel Dule apo Genc Pollo. Atyre do t’u duhet të përballen me pasojat e çorbës që po gatuhet sot. Një shprehje e urtë thotë se “një brez mbjell pemën dhe një tjetër qëndron në hijen e saj”. Pasardhësit tanë do të jenë të interesuar që në vend të një druri të shtrembër, ne t’ju trashëgojmë një pemë të shëndetshme e jetëgjatë. Sa për emrat tanë, do t’ju kujtohen vetëm për të na mallkuar nëse kemi vendosur t’i zhurisim nën diellin përvëlues të grekut e /a të serbit.

botuar ne Gazeten Shqip dates 07 Gusht 2011

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen