ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Plehrat dhe marrëzia gjermane e Berishës

Nga Dr. Guxim Kola

Në vazhdën e konkurrencës së fortë që “Shqipëria berishiane” po i bën Gjermanisë doli nga pluhuri i kohës dhe marrëveshja e paraardhësit të Berishës (Fatos Nano) mbi importin e plehrave nga Italia fqinje. Atë që nuk arriti ish-kryeministri Nano po e tenton me forcë Berisha. Sapo mori vesh që Gjermania importon plehra nga Italia, Berisha sulmoi furishëm me ekspertë e specialistë, me qëllim që të bëjë edhe ai një marrëveshje, sepse nuk mund ta linte konkurrentin e tij të vetëm në Europë për rritje ekonomike, që të kishte prioritetin mbi plehrat e Italisë, sidomos ato të Napolit.

Edhe pse Shqipëria, ndryshe nga Gjermania nuk ka industri të përpunimit të plehrave, edhe pse Shqipëria ndryshe nga Gjermania nuk ka kapacitete të kontrollojë përzierjen me plehrat normale të mbetjeve toksike ose të mbetjeve të tjera që kërkojnë trajtim special, edhe pse ndryshe nga Gjermania, Shqipëria akoma i lë plehrat e saj nëpër pirgje gjigande të ekspozuara ndaj elementëve atmosferikë, përsëri Berisha këmbëngul në absurditetin, në marrëzinë e përpunimit të plehrave italiane .

Ndërsa Presidenti Topi në mbrojtje të Kushtetutës e hodhi poshtë këtë marrëveshje të turpshme, Berisha vazhdon me marrëzinë e tij, me konkurrencën imagjinare ndaj Gjermanisë, marrëzi që ka kosto të papërballueshme për Shqipërinë.
Kjo marrëveshje, e cila cënon rëndë interesin kombëtar është në vazhdën e stilit qeverisës të kësaj maxhorance që për interesat e saj politike dhe mbijetesën e saj nuk tregon asnjë skrupull, por është gati të shkelë me këmbë çdo parim kushtetues dhe të bëjë marrëveshje ku cenohet rëndë interesi kombëtar dhe ekuilibrat ekonomike të shtetit.
E nisi që në fillim të mandatit të tij me të ashtuquajturën “rruga e kombit” pa pyetur për asnjë ligj shqiptar, që pati pasoja të pariparueshme në ekuilibrat ekonomikë, që ka lënë dhe do të lërë pasoja për brezat e ardhshëm; nuk pyeti për interesat kombëtare as me hapjen e shkollave greke në territorin shqiptar, me hapjen e varrezave të ushtarëve grekë në territorin shqiptar, me ndërtimin e një kishe gjigande të sponsorizuar nga Greqia ngjitur me ministrinë e mbrojtjes, që arkitektonisht ngjan me flamurin grek. Në stilin e tij politik ku arma e tij kryesore është lobimi, ai bleu helikopterë nga Franca, jashtë çdo lloj interesi të ushtrisë dhe ekonomisë shqiptare, po ashtu anije luftarake që vetëm luftarake nuk janë, përsëri jashtë çdo interesi të marinës ushtarake dhe të ekonomisë shqiptare e mund të përmendim shumë raste të tjera, ku shkelet rëndë interesi kombëtar, më flagranti ishte marrëveshja e famshme e kufijve detarë me Greqinë, që cënonte në mënyrë të pariparueshme tërësinë territoriale të shtetit shqiptar.
Të gjitha këto marrëveshje kanë një emërues të përbashkët, që Berisha bën pazare me këdo duke mos respektuar asnjë ligj shqiptar dhe duke përdhosur interesin dhe integritetin kombëtar vetëm në interes të mbijetesës së tij politike. Për Berishën shteti shqiptar është çifligu i vet, me të cilin mund të bëjë çtë dojë, sikur me qenë në mesjetë dhe jo në shek 21. E ka nxjerrë Shqipërine në ankand për 1 euro, u ka dhënë ‘carta bianca’ gjithë sipërmarrësve dhe pseudo-sipërmarrësve të huaj, sikundër e pamë në rastin e minatorëve dhe punonjësve të metalurgjikut. Krejt sektorët strategjikë jane shitur apo pritet tu shiten ca të huajve të dyshimtë, shpesh thjesht emra pas të cilëve fshihen njerëzit e Klanit Berisha.
Ditët e fundit për të kudërshtuar marrëveshjen e importit të plehrave, në një hotel luksoz të Tiranës, një grup intelektualësh të “pavarur” krijuan të ashtuquajturën “aleanca kundër plehrave”dhe nga kafenetë e restorantet luksoze ku mblidhen gjithnjë, po tentojnë të krijojnë nje tjetër projekt, sepse niveli i tyre i jetesës  kërkon financime të vazhdueshme nga fondacione të ndryshme, që mbijnë çdo ditë në Tiranë e diçka duhet bërë për t’i merituar këto financime.
Veçse nuk është kjo rruga që duhet ndjekur për të rritur ndjeshmërinë e përgjegjësinë civile në Shqipëri, përkundrazi është nevojë urgjente që Shqipëria të ketë lëvizjen e saj ekologjiste, që fushën e saj të veprimit ta ketë në terren dhe të luftojë çdo përpjekje të kësaj qeverie ( e të tjerave që do vijnë) dhe të çdo subjekti që dëmton territorin e mrekullueshëm shqiptar. Duhet që sensibilizimi i shqiptarëve të vijë nga çdo forcë progresiste shqiptare dhe mbi të gjitha duhet ti mëshohet fort faktit, që kjo marrëveshje cenon rëndë interesin kombëtar, se nuk është një çështje politike e PD-së apo PS-së, por nje çështje e të gjithë shqiptarëve, sepse këtu nuk dëmtohet socialisti e fiton demokrati, përkundrazi këtu dëmtohet Shqipëria, dëmtohen të gjithë shqiptarët.

Tashmë po bëhet gjithnjë e më e qartë, se jo vetëm me Berishën nuk fitojnë të gjithë, si thoshte një sllogan i vjetër, por me Berishën humbasin të gjithë shqiptarët, ky nuk është më kryeministri por kryerreziku, kryerezili e kryefaqeziu i Shqipërisë. Ky nuk është më Kryeministri i Shqipërisë, por Kryeplehu që duhet përpunuar.

2 KOMENTE

olsi

30/10/2011

arrow

Mos shkoni me larg….Por kujtoni filmin OKTAPODI sepse dhe berisha eshte nje nga tentakulat e ketij oktapodi qe helmon vendin tone me plera

Artan

04/11/2011

arrow

Nga nje Pleher ç’far pritet?! Plehera.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen