ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Përtej keqkuptimeve me kombin!

Nga: Dr.PERPARIM KABO

Marshimi i “Aleancës Kuq e Zi” nuk do të ndalet sepse po troket dita e rregjistrimit të popullësisë. Përtej një procesi të domosdoshëm me rëndesi demografike dhe statistikore, ekonomike dhe pronësore, do të gjenden”farat” e një shpërthimi popullor, kundër atyre argumenteve të ndjeshmërisë së lartë, që cënojnë identitetin kombëtar! Në Kosovë protestohet se dukimi shkollor nuk përfshin në kurrikul edhe edukimin fetar. Jepen si argumente fakte nga realiteti në vendet e zhvilluara, si Gjermania, apo SHBA. Por nuk sqarohet se atje, ky lloj edukimi nuk bëhet në kuadrin e nje nxënësi praktikant, por si një e drejtë e studimit të liturgjisë prej një inidvidi laik! Shqiptarët në Mal të Zi, ankohen, sepse në rregjistrimin e popullësisë të ndoca muajve më parë, shifrat në % duken të tkurura. Rastësisht apo me qëllim, kjo mbetet të sqarohet! Në Maqedoni, 10 vjet pas “Paqes së Ohrit” një pjesë serioze e politikës shqiptare atje, është e pakënaqur nga vënia në jetë e këtij detyrimi me “vulë” ndërkombëtarësh.Në Greqi, brezat e rinjë të emigrantëve shqiptar janë braktisur totalisht dhe gjuha e mëmës, shqipja, është zevendësuar me gjuhën zyrtare, atë greke, sepse ajo mësohet në kopshte dhe në shkolla, ajo dëgjohet në kishë, ajo është gjuha e “nunasë” që të bënë edhe “dhoro”!

Ç’po ndodh me kombin? Duket se kjo pyetje, apo diçka më shumë se e tillë qëndron pezull! Ka që janë të alarmuar se po zhbëhemi dhe po humbasim! Ca tjerin retorikë! Ka që shprehen me përemra, ata, ne, frika nga ai, frika nga ne!Ka që nuk përballojnë dot situatën dhe me nervozizëm shajnë, nëmin dhe fyejnë “beniaminët” e tyre të djeshëm, që vet i pompuan dhe i ngritën në nivele të tilla përgjegjësie shtetërore. Nëse problematika me kombin, me çështjen kombëtare ende të pa zgjidhur, (sa kohë që pronat e shqiptarëve në territorin e shtetit grek nuk do të marrin zgjidhje ligjore dhe përfundimtare) nuk do të kuadratohen në koncepte shkencore dhe formulime legale, për aq kohë, “këmbanat” e shpirtit të trazuar do të bihen, pse jo të bashkëshoqëruara edhe me cedime që bartin kosto!Studjuesi i shquar francez Domenique Schnapper, në librin e tij me titull,”Mbi idenë modern të kombit”, nënvizon se “kombi është bashkësia e qytetarëve”! Sipas tij bashkëjetesa e gjatë, historia e përbashkët dhe gjuha zyrtare, normat civile të gjithëpranuara, e krijojnë këtë bashkësi.Në Francë, vërtetë sheh njerëz me ngjyrë që konsiderohen francez.Shumica e tyre vijnë nga ish-kolonitë franceze ku gjuhë zyrtare ka qenë gjuha frënge; ndaj ky mjet universal komunikimi dhe identifikimi nuk është pengesë, për “francezin-algjerian”, “francezin-maroken”, “francezin-senegalez”, apo “francezin-vietnamez’! Por kur vjen puna, tek konstitucioni shpirtëror fundamental, që është themel në civilizime, tek besimi fetar; këtu ka dallime, madje edhe distancë qytetrimesh.Ndaj si thotë Schnapper:”Parimi i laicitetit është pjesë përbërëse e kombit demokratik, me që është ana politike dhe jo ana fetare ajo që e krijon lidhjen”! Në Francë pati debate të forta për çështjen e mbajtjes së shamisë së kokës edhe në shkollë, por ishte”Asambleja Kombëtare” e Republikës Franceze që i tha asaj një Jo-kategorike!

Kuptimi serioz dhe rigoroziteti në mbrojtje të laicitetit të shtetit në botën e sotme globale, është me rëndësi të dorës së parë.Interferimi fetar-laik, dhe shkelja në kufijtë e njëri tjetërit, është e pashmangshme, sa kohë është i njëjti njeri që beson në zot dhe i falet atij dhe, po ai është i detyruar të bindet në ligj dhe të zbatojë rregullat, sepse në “fillim është rregull pastaj vjenë liria”; ky është parim bazë i liberaldemokracisë! Brenda njeriut janë të dy ndërgjegjet, edhe ajo fetare edhe ajo laike. Të dyja krijojnë moral. Të dyja prodhojnë energji pozitive. Të dyja kanë lidhje me autoritetin, njëra me providencën sipas parimit “Zoti është rruga”, tjetra me ligjin, sipas parimit “të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”! Nuk mund të thuash se feja nuk të shpie tek liria. Por nuk mund të pranosh nga ana tjetër, se religjioni dhe vetëm ai e shpëton njeriun nga e keqia që hynë brenda tij nga jeta e shthurur e laicitetit qytetar! Është e vërtetë që Tokvili ia njihte fetarise së krishtere mbizotëruese në Amerikë, si dhe përfshirjen në botën e brendëshme shpirtërore të vlerave protestante, faktin që amerikanët kishin ditur të bashkonin”frymën e fesë me frymën e lirisë”. E rëndësishme kishte qenë, se jo pa kosto të një fondamentalizmi religjioz, (gjurmë të të cilit i gjen edhe sot në SHBA), u arritë në breza që të plazmoheshin ato norma dhe parime kristiane me një përmbajtje antropologjike dhe që vijnë si porosi të Jezusit! Është fakt se në të gjitha besimet, të Lindjes së Largët, Orientit dhe të Perëndimit, në Mitologjinë Afrikane dhe të zonave të tjera, doktrinat morale fetare dhe mitiko-morale, janë të mbarsura vetëm me një “kod”, atë, “të përsosje së njeriut” me vlera humane. Deformimet shpaguese deri në marrjen e jetës së tjetrit dhe vetflijimeve me qëllime të tilla, nuk kanë lidhje me fetë, por me keqinterpretime të tyre! Veçoritë etnokulturore dhe më tej në histori, ato kombëtare që, lidhen me lindjen e kombeve, si dhe ndryshimet gjeopolitike që rrodhën nga vendimet në “Marrëveshjen Vestfalisë”-1648, e futën Europën në një udhëtim decentralizues. Vendet dhe popujtë e tyre ju larguan formalisht por edhe në përmbajtje një unifikimi religjioz dhe një administrimi radikal Papnor. Protestantizmi i dha udhë autoqefalisë.Kështu protestantizmi anglez i cili u quajt në mënyrë kuptimplote Anglikanizëm, ose ndryshe, “Individualizëm Kombëtar”, ishte dhe mbetet një model që tregon se edhe religjioni është në shërbim të kombit dhe interesave dhe identitetit të tij historic, por jo mbi identitetin kombëtar. Ishte ky individualizëm kombëtar që, krijoi tek kombi anglez individualizmin qytetar! Mos harojmë se konfensioni religjioz është një çështje krejt personale, imtime dhe afektive në një privasi të plotë.Si vinte në pah, John Lock;” besimi është çështje krejt private e besimtarit, si është për të punimi i tokës, fejesa e vajzës apo biznesi”!

Kombi si një bashkësi e qëndrueshme dhe dinamike, ka nevojë për ngjizje për çimentim dhe për kohezion dinamik! Ndaj “integriteti kombëtar” nuk mund të zgjidhet as me “kryqëzata”, as me “ceremonial”, as me “njërin kundra tjetrit”. Një komb i integruar do të thotë jo thjesht dhe vetëm të qenit brenda një shteti të vetëm kombëtar.Ky do të ishte rasti ideal.Por ja që mobiliteti njerëzor, është i lashtë sa vetë njeriu! Gabimet e institucioneve vendimmarrëse në histori për territoret dhe popullësitë, vijnë deri në ditët tona si plagë që dhembin! Ribërjet gjeopolitike me ndryshime kufijsh, janë të pamundura sot! Lëvizin njerëzit, idetë, kapitalet, dhe jo tokat, ujërat apo kufijtë. Prona është e shënjtë, dhe amanetin e saj “nuk e tret dheu” sepse ajo është ndërtuar me gjakun dhe kockat e brezave.Ndërsa kufijtë nga vija ndarëse shtete-kombesh(border) janë kthyer në vija konvencionale shtetesh(frontier). Prona edhe jashtë atdheut tënd, bazuar në ligj(prona është 9/10 ligj dhe 1/10 është asset) e jep frutin, të ardhurën apo dividentin! “Shteti, administrata, parlamenti, pushteti vendor dhe sindikatat japin ndihmesën e tyre për integrimin kombëtar, duke organizuar jetën publike sipas rregullave të zakonshme që pranohen nga të gjithë”!Këto rregulla nuk janë lokale por ndërkombëtare dhe globale.Kërkesat që rrjedhin nga interesi privat dhe interesat publike kanë tagër juridike pa kufizim territorial, prandaj ka gjykata ndërkombëtare dhe arbitrazh ndarkombëtar! Rregullat fetare nuk e kryejnë dot këtë detyre sepse ka më shumë se një besim fetar dhe rregullat e sejcilit prej tyre, nuk ka kurrësesi si të ndodhi që të pranohen nga të gjithë;pra nga besimtarë të feve të tjera, apo nga njerëz që nuk besojnë fare në ndonjë fe! Shkolla, qoftë kur s’është publike por edhe kur është e kontrolluar nga shteti si ent privat arsimi, hedh themelet e edukimit me vlerat civile dhe normat qytetare që pranohen nga të gjithë pa përjashtim, pavarësisht nga dallimet që ata kanë! Kjo ndihmon për krijimin e qytetarit i cili ka obligim aksiomatik t’i ushtrojë të drejtat e tij dhe t’i plotësojë detyrimet ligjore e qytetare. Përndryshe nuk mund të ketë komb modern!

Mbi të gjitha është shkolla që i formon qytetarët.Me gjuhën kombëtare ajo i bën qytetar të kombit të vet.Me gjuhët e huaja shkolla dhe dijet plurale i bën ata qytetar global! Çdo mbyllje në gjuhë të veçanta me “sebebin” e pakicave kombëtare edhe kur ato bashkësi nuk i plotësojnë kushtet si të tilla, u sjell dëm këtyre komuniteteve dhe vetëm atyre! Një antropologji e hapur dhe shumëgjuhëshe si edhe është ajo shqiptare, është shëmbull i bashkëjetesës larg mbylljes dhe ksenofobisë! Shoqëria në të gjitha kohërat ka pasur nevojë për njeriun me moral, si ritual njerëzor por edhe si norma të etikës, pa të cilat komunikimi nuk funksionon! Durhein, në sociologjinë e tij modern e nënvizonte se, “shkolla ka rëndësi të dorës parë në formimin moral të një vendi”!Kombet edhe në kohët tona të modernizmit dhe postmodernizmit,kalojnë vetëm nga ky shteg, nga edukimi shkollor civil dhe laik! Format e tjera të edukimit, përfshi edhe atë fetar, janë plotësonjëse dhe të dobishme!
(GSH/Balkanweb) 7 shtator 2011

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen