ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

PDIU-ja ndjek AK-në me një deklaratë për 103 vjetorin e alfabetit shqip

Aleanca Kuqezi  (AK) bëri sot një deklaratë për shtyp me rastin e 103 vjetorit të alfabetit të unifikuar shqip, i vendosur nga Kongresi i Manastirit. Kjo deklaratë është në vazhdën e temave patriotike që AK-ja  ka zhvilluar që nga krijimi i saj. Në të thuhet se 103 vjet pas asaj ngjarjeje madhore për gjuhën shqipe, shqiptarët ende nuk kanë unifikuar abetaren dhe sistemin arsimor, qyteti i Manastirit është lënë në harresë nga politikanët shqiptarë, dhe ata kanë përdhosur veprën e shquar të rilindësve. Sipas AK-së, arsimi shqiptar, sidomos ai universitar, është në gjendje të vajtueshme, ku korrupsioni po shet e ble  diplomat e masterat.

Për të mos mbetur mbrapa, siç ka ndodhur rëndom kohët e fundit, PDIU-ja doli dy orë më pas me një deklaratë të ngjashme me të AK-së, duke theksuar se sot, në 103 vjetorin e alfabetit shqip, fryma byzantine-osmane nuk ka më vend në Ballkan. Në dallim nga AK-ja, PDIU-ja është shprehur në deklaratë në mbështetje të protestës së arsimtarëve shqiptarë në Maqedoni.

Kjo garë e PDIU-së me AK-në për çështje që kalojnë përtej kauzës së komunitetit çam, shpjegohet ndoshta me frikën në radhët e mazhorancës aktuale rreth një fuqizimi elektoral të AK-së, e cila me gjasa të mëdha, do të futet si një parti më vete në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Mbetet të shihet se sa e aftë do të jetë PDIU-ja të dalë përtej sinorit të saj tradicional elektoral.

E.Zaloshnja

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen