ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Pakti detar, skandali i fshehur ne nenin 53 te ligjit te 2008

Kush mendon se e keqja ka një kufi, apo se kjo klasë politike ia ka bërë tashmë të gjitha Shqipërisë, duhet të korrigjojë sërish mendim: Shqipërisë i janë hequr kufijtë zyrtarë me një ligj të vitit 2008…

Kush mendon se e keqja ka një kufi, apo se kjo klasë politike ia  ka bërë tashmë të gjitha Shqipërisë, duhet të korrigjojë sërish mendim: Shqipërisë i janë hequr kufijtë zyrtarë me një ligj të vitit 2008 dhe ka dyshime të forta që kjo është bërë për ti hapur rrugë pretendimeve të Greqisë për “kufi  të ri detar” me Shqipërinë, pra për famëkeqin Pakt Detar të qeverisë së Sali Berishës, të rrëzuar më pas nga Gjykata Kushtetuese. Ligjet e hartuara për kufijtë, përkatësisht në vitet 1970, 1976 dhe 1980 janë shfuqizuar në vitin 2001. Në ligjin e këtij viti janë përcaktuar kufijtë tokësorë dhe detarë të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë në vitin 2008 qeveria ka miratuar një ligj tjetër për menaxhimin e kufijve duke shfuqizuar të gjitha ligjet paraardhëse. Tashmë i vetmi vend ku janë përcaktuar kufijtë e shtetit tonë janë arkivat ndërkombëtare dhe ligjet e shteteve fqinje.

 

Ligji i vitit 2001

Në prill të vitit 2001 parlamenti shqiptar ka miratuar ligjin për “Kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, në të cilin sanksionohet se kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë përcaktohet në aktet ndërkombëtare. “Kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë është i paprekshëm. Ai tregohet me anë të shenjave të veçanta artificiale ose natyrore të vendosura mbi sipërfaqen tokësore dhe ujore. Vijat e hequra perpendikularisht (lart e poshtë) mbi vijën e kufirit në sipërfaqen tokësore dhe ujore përbëjnë përkatësisht, kufijtë e hapësirës ajrore, të nëntokës dhe të shtratit e të nëntokës së ujërave të brendshme dhe ujërave territoriale të Republikës së Shqipërisë”,- thuhet në ligj.

Për sa i takon kufijve detarë, ligji i vitit 2001 sanksionon: Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj, në një gjerësi prej 12 miljesh detare, duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit (Kalasë së Turrës), derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i Ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjiut të Gramës, dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke deri përmes Kanalit të Korfuzit. Gjerësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det deri te Kepi i Rodonit shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav (Mali i Zi). Janë ujëra të brendshme të Republikës së Shqipërisë ujërat e Detit Adriatik dhe të Detit Jon që shtrihen brenda vijës së drejtë bazë që përshkon derdhjen e Lumit të Bunës, kepat e përmendur më lartë dhe vijës së drejtë bazë që përshkon Kepin e Gjiut të Gramës, Kepin e Gjiut të Palermos, Kepin e Qefalit, Kepin e Sarandës, si dhe ujërat këtej vijës kufitare të liqeneve dhe lumenjve kufitarë.

Kjo i jep të drejtë Shqipërisë të ushtrojë sovranitet e saj mbi ujërat territoriale dhe të brendshme si dhe në hapësirën ajrore. “Republika e Shqipërisë ushtron sovranitetin e saj mbi rrafshnaltën (shelfin) kontinental për qëllime kërkimi dhe shfrytëzimi të burimeve të saj natyrore”,- thuhet në ligjin e vitit 2001. Sipas tij, Dekreti nr. 4650 datë 9.3.1970 “Për kufirin shtetëror të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, ndryshuar me dekretet nr.5384, datë 23.2.1976 dhe nr. 6181, datë 26.4.1980, shfuqizohet.

 

Ligji i vitit 2008

Ndërkohë shtatë vite më pas Kuvendi ndryshon ligjin për “Kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”. Në nenin e parë të këtij ligji thuhet: “Me këtë ligj rregullohen kontrolli dhe mbikëqyrja e kufirit shtetëror, misioni i Policisë Kufitare dhe të Migracionit, bashkëpunimi policor ndërkufitar, bashkëpunimi brenda strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe bashkëpunimi me agjenci të tjera, të cilat kanë detyrime ligjore për sigurinë në kufi”. Në tërësi ligji i vitit 2008 rregullon mënyrën e funksionimit të pikave të kalimit kufitar, mënyrën se si do të ruhet kufiri nga policia, sistemin e hyrje daljes së shtetasve me viza etj. Por në këtë ligj nuk bëhet asnjë ndarje e kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe në nenin 53 të shfuqizohet ligji i vjetër i kufijve. “Ligjet nr.8771, datë 19.4.2001 “Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, nr.8772, datë 19.4.2001 “Për ruajtjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë” dhe çdo dispozitë tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen”,- thuhet në ligjin e vitit 2008, i cili është ende në fuqi.

 

 

Ujërat territoriale shqiptare

Ato fillojnë nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit (Kalasë së Turrës), derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i Ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjiut të Gramës, dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke deri përmes Kanalit të Korfuzit.

Gjerësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det deri te Kepi i Rodonit shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav (Mali i Zi).

Ujëra të brendshme janë ato të Detit Adriatik dhe të Detit Jon që shtrihen brenda vijës së drejtë bazë që përshkon derdhjen e Lumit të Bunës, kepat e përmendur më lartë dhe vijës së drejtë bazë që përshkon Kepin e Gjiut të Gramës, Kepin e Gjiut të Palermos, Kepin e Qefalit, Kepin e Sarandës, si dhe ujërat këtej vijës kufitare të liqeneve dhe lumenjve kufitarë

 

 

Përkufizimi i Shqipërisë në enciklopedi

Shqipëria kufizohet nga Mali i Zi në veriperëndim, Kosova në veri, nga Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë në lindje dhe Greqia në jug. Në kufirin natyror perëndimor Shqipëria ka dalje të hapur në Detin Adriatik dhe në jugperëndim në Detin Jon. Gjatësia e vijës kufitare të Republikës së Shqipërisë është 1094 km, nga të cilat 657 km vijë kufitare tokësore, 316 km vijë bregdetare, 48 km vijë ndarëse përmes lumenjve dhe 73 km përmes liqeneve.

Sipërfaqja e përgjithshme është 28.748 kilometra katrorë. Gjatësia e përgjithshme e vijës kufitare është 1094 km, nga te cilat janë: 657 km (kufi tokësor), 316 km (kufi detar), 48 km (kufi lumor) dhe 73 km (kufi liqenor).

Në veri e verilindje ka 529 km vijë kufitare me Malin e Zi, Kosovën dhe ish-Republikën jugosllave të Maqedonisë, ndërsa në jug e juglindje me Greqinë një vijë kufitare prej 271 km. Në perëndim Shqipëria laget nga Deti Adriatik e në jug-perëndim nga Deti Jon.

 

 

Heqja e kufijve, i hapi rrugën Paktit Detar me Greqinë. Gjoni: Akt i pastër tradhtie

Anëtarët e Komisionit të Sigurisë kanë dhënë dje alarmin për heqjen e kufijve të shtetit shqiptar me ligjin e miratuar nga mazhoranca e sotme në vitin 2008. Sipas nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni, ligji në fjalë lejon përcaktimin e kufijve me “marrëveshje dypalëshe” qeveritare. Ai e cilëson këtë veprim si një tradhti kombëtare që kanë kaluar pa u ndjerë dhe për këtë kërkon nisjen e hetimeve nga Prokuroria. “Më 24 janar 2008, qeveria i paraqiti për miratim Kuvendit projektligjin “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”. Me hyrjen në fuqi të këtij, ligji, u shfuqizua ligji i mëparshëm i vitit 2001 ku sqaroheshin qartë të dhënat lidhur me shtrirjen territoriale të Shqipërisë nga jugu në veri.”,- thotë Gjoni në këtë intervistë për “Shekullin”.

 

Zoti Gjoni, anëtarët e Komisionit të Sigurisë kanë shprehur shqetësimin se një ligj i 2008 i ka hequr Shqipërisë kufijtë.. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?

Jo vetëm kemi ngritur shqetësimin, por do të thosha alarmin për një gjë që askujt nuk mund t’i shkojë ndër mend.. Që pas 100 vjet shtet shqiptar, del një qeveri si kjo e Sali Berishës, që haptazi dhe me veprime konkrete si askush më parë, kryen një akt të pastër tradhtie kombëtare që nuk ka asnjë justifikim. Për këtë Sali Berisha duhet të përgjigjet. Sa i përket projektligjit, ky duhet urgjentisht të rivendosë atë ç’ka është ç’bërë me ligjin e 2008. Ligji nr 9861 datë 24.1.2008 “Për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror”, nuk ka asnjë nen që të lidhet me kufirin tokësor dhe astë detar. Në lidhje me kufirin në përgjithësi, ka vetëm një nen dhe pikërisht nenin 3, sipas të cilit “Kufiri shtetëror i RSH është i vendosur dhe rregullohet në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi si dhe traktateve dypalëshe apo shumëpalëshe të lidhura me vendet e tjera.” Një përcaktim i tillë krijon pasoja të rënda për integritetin territorial të Shqipërisë pasi me shfuqizimin e Ligjit 8771 të vitit 2001 në tërësi dhe në mënyrë të veçantë shfuqizimin e nenit 3 të tij, Shqipëria ka humbur vijën kufitare. Një përkufizim i tillë i rrezikshëm shtron disa pyetje:  a. ) deri në momentin që nuk kemi nënshkruar dhe për rrjedhojë nuk kemi ratifikuar marrëveshje me Greqinë dhe Malin e Zi, a ka kufij detarë Republika e Shqipërisë me këto vende? b) Për sa kohë me Greqinë ende nuk kemi nënshkruar ndonjë marrëveshje dypalëshe për kufirin tokësor (pasi pala greke gjithnjë ka refuzuar një gjë të tillë), a është i vlefshëm në bazë të Ligjit të 2008 Protokolli i Firences, (Protokolli i Firences i 27 janarit 1925, në aneksin III është përcaktuar se “kufiri tokësor pret Detin Jon në Gjirin e Ftelias, sipas një vije pingule me drejtimin e përgjithshëm të bregut deri në kufirin e ujërave territorial. Rrjedhimisht, kufiri detar duhet të fillojë në mesoren e baraslarguar nga pika bazë në Gjirin e Ftelias me pikën bazë në Kepin e Sideros dhe të vazhdojë drejt veriut sipas “mesit të Kanalit të Korfuzit” ) për sa kohë që neni 3 i ligjit të 2008 kërkon traktat dypalësh apo shumëpalësh dhe jo Protokoll?

 

Çështja e kufijve është e ndjeshme për të gjithë qytetarët. Për ta sqaruar, a ka lidhje mungesa e kufijve detarë me marrëveshjen detare me Greqinë?

Analiza logjike e zhvillimit të ngjarjeve dhe veprimeve konkrete të ndërmarra nga qeveria dhe përfaqësuesit e saj të çojnë në përfundimin se të dyja këto janë të lidhura ngushtësisht. Fakti është se të pyetur në Gjykatën Kushtetuese përfaqësues të Kuvendit, kryeministrisë, Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes pohuan se “nuk kanë ekzistuar më parë kufij detarë me Greqinë”. Për këtë mund t’i referoheni Vendimit të Gjykatës Kushtetuese në faqet 6,7 dhe 8. Për mua këtu duhet të hyjë në lojë neni 210 i Kodit Penal, i cili flet për tradhtinë kombëtare dhe prokuroria duhet të kishte hapur një dosje për të gjithë përgjegjësit që kanë shkaktuar këtë situatë skandaloze.

 

Qeveria ka konfirmuar se po diskutohet me Greqinë përsëri marrëveshja detare, madje dy ministritë kanë ngritur sërish grupe pune. A ka informacione Komisioni i Sigurisë se ku kanë shkuar bisedimet dhe çfarë po diskutohet?

Informacioni që kemi është sporadik dhe ai vjen vetëm nga media. Gjithçka mbahet në sekret dhe nuk ka aspak transparencë sa i përket asaj se çfarë po bëhet me rinegociimin me Greqinë. Ne nuk kemi asnjë lloj informacioni dhe ishte pikërisht ky qëllimi që unë në emër të përfaqësuesve të Partisë Socialiste në Komisionin e Sigurisë Kombëtare kërkova që ministri i Jashtëm të raportojë urgjentisht.

Ndryshimet e bëra në ligjin e vitit 2008 flasin për marrëveshje duke hedhur poshtë një praktikë dhe realitet që ka ekzistuar që me protokollin e Firences të 1925. Megjithatë tek e fundit ajo ç’ka është e rëndësishme është që në mënyrë urgjente qeveria të ndërmarrë hapat e duhur për të sjellë situatën në normalitet dhe për këtë duhet që menjëherë të rishikohet përmbajtja e nenit 3 të Ligjit 9861 dhe njëkohësisht miratimi i dispozitave transitore lidhur me kufirin detar (sipas përcaktimit të pikave 1 dhe 2 të nenit 3 të Ligjit të 2001), të cilat do të jenë të vlefshme deri në ratifikimin e marrëveshjeve apo protokolleve me Greqinë dhe Malin e Zi.

 

Duke komentuar rëndësinë e përcaktimit të kufijve detarë në jug të vendit, ju nuk keni dhënë votat në Komisionin e Sigurisë për Kodin Detar. Mazhoranca e ka cilësuar si një lojë e juaja për të mos votuar ligjet që kërkojnë 3/5.

Kjo nuk është aspak e vërtetë. Së pari maxhorancën duhet ta kishte shqetësuar fakti që e kanë lënë vendin pa kufij, pastaj të përdornin atë argumentin bajat, të cilit tashmë i ka dalë boja. Ne e sollën në vëmendje të opinionit publik çështjen skandaloze të kufijve së pari për të ndërgjegjësuar opinionin publik, duke kryer atë funksion që ka opozita dhe një detyrë qytetare e patriotike ndaj vendit. Sa i përket Kodit Detar, ne në Komisionin e Sigurisë kemi argumentuar se së pari qëllimi i hartuesve të Kushtetutës për ligje të tilla që dalin tej interesave të qeverive dhe kanë ndikim në mbarë shoqërinë, jo pa qëllim janë lënë me votim 3/5, Kjo pasi nënkupton arritjen në konsensus dhe punë të përbashkët mes forcave politike të përfaqësuara në Kuvend. Ne kërkojmë pikërisht këtë, të jemi pjesë e procesit të përmirësimit të këtyre ligjeve dhe të gjejmë miratimin për atë ç’ka do të pasqyrojmë në këto ligje në interes të shtetasve. Së dyti në vetë Kodin Detar, në mos gaboj neni 32 përcakton institucionet që janë përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji. Ato janë nëntë të tilla. Amendimet që u paraqitën për ndryshime, vinin nga dy dikastere të ndryshme, një nga Ministria e Transporteve dhe një nga Ministria e Financave dhe të dyja amendimet ishin kërkuar në periudha të ndryshme kohore. Këtu del në pah një fakt që ne e kemi theksuar disa herë. Kjo qeveri nuk është në gjendje të menaxhojë vetveten. Amendimet mund të ishin prurë nga Këshilli i Ministrave, si trup ekzekutive, të përmbledhura në një dokumentacion. Për më tepër siç thashë, asnjë prej dikastereve që kishte prurë amendimet, nuk kishte marrë mendim nga institucionet e tjera, gjë që është praktikë normale në funksionimin e ekzekutivit. Ne jemi të ndërgjegjshëm që Kodi Detar ka nevojë edhe për ndërhyrje të tjera të sugjeruara edhe nga dikastere të tjera. Është pikërisht kjo punë kuturu e ekzekutivit, që na ka bërë ne të kërkojmë më shumë seriozitet në trajtimin e ligjeve me 3/5 dhe jo të bëjmë punë me arna e ligje shkel e shko, që nuk i mbijetojnë kohës. Për dijeni, po atë ditë ne na u paraqitën edhe disa amendime për ligjin për Gjuetinë, ligj i cili ishte miratuar vjet. Pra, siç e shihni, ligjet nuk hartohen për tu zbatuar, nuk mendohen ashtu siç duhet, nuk i shërbejnë qytetarëve dhe nuk i mbijetojnë provës së kohës. Kjo është edhe një nga vërejtjet që bën dhe BE sa i përket cilësisë së ligjeve të paraqitura nga ekzekutivi. Për ta mbyllur këtë çështje, dua të ritheksoj se opozita e ka shprehur qartë se do të votojë të gjitha ligjet me 3/5, pasi ato të rishqyrtohen në Komisionet Parlamentar (ashtu siç mesa duket do të veprohet) me synimin për të prodhuar ligje që janë bashkëkohore dhe i mbijetojnë testit të realitetit dhe kohës.

Shekulli

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen