ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Maratona Kuqezi në Romë

Mbërrin në Rome Maratona Kuqezi dhe vesh me ngjyrat e saj një prej mjediseve të universitetit ‘La Sapienza’. Të ftuar nderi qenë futbollisti i njohur Lorik Cana, aktualisht lojtar i klubit të Lazios, zëvendëskonsulli i Republikës së Kosovës në Romë, Arben Muhameti dhe Miss Shqipëria 2010, Arnita Beqiraj.

Siç ndodh zakonisht në etapat e Maratonës Kuqezi në Shqipëri dhe në vende të tjera të botës, në takim u mblodhën studentë shqiptarë, të rinj e të reja, intelektualë dhe emigrantë të thjeshtë, të ardhur edhe nga qytete të tjera për t’u bashkuar me frymën që përcjell lëvizja e kryesuar nga Kreshnik Spahiu.

Tanimë janë krijuar edhe degë të Aleances Kuqezi në qytete të ndryshme italiane, përveç Romës, kryesisht atje, ku prania e emigrantëve shqiptarë është më e madhe. U fol për bashkimin kombëtar e lidhjen me atdheun, që për shumicën e të pranishmëve është i largët, e doli në pah dëshira për të bërë diçka edhe duke jetuar në diasporë.

Kryetari i Aleancës Kuqezi Kreshnik Spahiu deklaroi se rruga e Shqipërisë për në Europë nuk kalon as nga Athina dhe as nga Beogradi. Ai shtroi çështjen e të drejtave të emigrantëve, të pamundësisë së tyre për të zgjedhur e për t’u zgjedhur. Por emigranteve ose më mirë nënave shqiptare me banim jashtë vendit ai u bëri një thirrje shumë të veçantë dhe të fortë.

“Flitini gjuhën shqipe fëmijëve tuaj, flitini shqip, sepse ky është një nga misionet më fisnikë dhe është kontributi më i madh që mund të bëni”, u shpreh Spahiu.

E ndërsa hapja e takimit u bë me notat e himnit kombëtar, mbyllja e tij u shoqërua me himnin e Aleancës. E përpara largimit, një fotografi grupi, kujtim të një ditë të karakterizuar nga ngjyrat kuqezi.

Në mbrëmje, në një pub rreth 200 anëtarë dhe përkrahës të Aleancës Kuqezi festuan deri vonë me këngë e valle nga gjithë trevat shqiptare.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen