ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Lorik Cana: Për mua ia vlen vetëm Aleanca Kuqezi

Lorik, le ta fillojmë me një pyetje të përgjithshme. Cili është Cana jashtë fushës së futbollit?

Është një pyetje shumë e gjerë dhe përgjigjet janë të të gjitha fushave. Përgjithësisht, gjithçka që bëjmë jashtë fushës, është e lidhur me atë në fushë, për të pasur një rendiment optimal. Bëj një jetë shumë të organizuar, pasi dëshiroj ta shijoj atë pjesë kohe pa futbollin. Na mungon shumë. Në jetën e përditshme, koha është e pushimit është e rëndësishme. Jam mësuar të planifikoj gjithçka. Në çdo vend ku kam luajtur jashtë, jam munduar të mos shkëputëm nga Shqipëria, si kur kam qenë në Francë, Angli, Turqi, por dhe tani në Itali. Televizioni e konsideroj shumë të rëndësishëm. Shoh shumë kanale shqiptare. Kaloj shumë kohë me miqtë që kam. Jam një lexues i mirë, në momentet kur jam vetëm apo në lëvizje. Sigurisht, në ato pak kohë që kam vizitoj familjen. Në përgjithësi, i gjithi programi im është në funksion të futbollit.

Lë të flasim më konkretisht. Ju jeni përzgjedhur si ambasador i UNICEF-it për Shqipërinë, në një klub që bëjnë pjesë për vendet e tyre disa emra të mëdhenj, si Kaka dhe Ronaldinjo për Brazilin, apo Kristiano Ronaldo për Portugalinë. Përse u jeni bashkuar këtyre iniciativave dhe projekteve?

Bashkëpunoj me UNICEF-in në Shqipëri, por dhe me organizata të tjera. Jam ambasador i UNDP-së në Kosovë. Gjithashtu, kam bashkëpunuar me Fondacionin e Fëmijëve Shqiptarë të drejtuar nga zonja Liri Berisha, si dhe programin “Alo 116”, një projekt në ndihmë të fëmijëve. Kam marr pjesë edhe në iniciativa të tjera, në çështje bamirësie. Gjëra, që nuk të marrin shumë kohë, por që janë të rëndësishme. Kur ke mundësi t’i bësh është mirë të jeshë pjesë. Jam munduar të sensibilizoj, dhe çdo njeri e ka impaktin rreth opinionit. Kur mund të kapësh një pjesë të opinionit është shumë e rëndësishme t’i sensibilizosh njerëzit për këto çështje.

Cana, jeni pjesë e një dokumentari për Shqipërinë, të realizuar nga aktorja shqitaro-amerikane Eliza Dushku, që promovon vendin tonë në Shtetet e Bashkuara. Si ndodhi?

Në fakt, ishte shumë e rastësishme. Në muajin gusht, unë ndodhesha për një vizitë në Shqipëri. Aktorin Blerim Destani e kam shumë mik. Folëm së bashku. Mësova se ai ishte me fotografin e mirënjohur, Fadil Berisha. Kur Fadili mori vesh se isha në Tiranë, u takuam dhe më foli për dokumentarin rreth Shqipërisë. Diçka ndodhi në mënyrë spontane. Normalisht, që pranova të jem si pjesë e sportit në këtë projekt. Patëm një bisedë, rreth 25-30 minuta rreth Shqipërisë, sportit, historisë, e gjëra të tjera që unë i kam pasion. Në fakt, nuk e kam parë ende si do të dalë.

Është transmetuar ditët e fundit, gjatë një galaje në Nju Jork, të organizuar nga shqiptarët e Amerikës, ku merrnin pjesë edhe kryeminstrat Berisha dhe Thaçi, si dhe i ish-kreyministri anglez, Toni Bler…

Më bëhet qejfi. Sigurisht, nëse ka pasur impaktin e duhur, është një shenjë e mirë. Është bukur të pasqyrosh vendin tonë në një mëntyrë sa më dinjitoze dhe të prekë sa më shumë shikues. Nuk kemi shumë raste të tilla, që Shqipëria të përmendet si Amerikë, apo në një opinion tjetër më të gjerë.

Lorik, si Shqipëria, ashtu dhe Kosova kanë pasur lojtarë shumë të mirë, por ti mesa duket je ai që i lidh etnikisht më së miri dy pjesët e vendit amë. Sa e ndjen ti këtë?

Jo, jo, nuk dua ta ekzagjeroni. Dua të kujtoj, se aktualisht në Kombëtaren shqiptare janë disa lojtaërë nga Kosova: Armend Dallku, Samir Ujkani, Ahmed Januzi, Debatik Curri, më parë kanë qenë Besnik Hasi, Arjan Beqaj, Besart Berisha, etj. Shumë lojtarë kosovarë ka dhe në përfaqësueset e U-21, U-19 dhe U-17 të Shqipërisë. Në shumë momente, na kanë pyetur gjithmonë se çfarë do të bëjmë nëse Kosova do të pranohet në FIFA dhe do të ketë Kombëtaren e saj. Unë besoj se ne e kemi realizuar një ëndërr, që çdo shqiptar të ketë bashkimin e trojeve tona. Nuk e kemi realizuar këtë akoma në politikë, apo diçka tjetër, por ne po e realizojmë. Kombëtarja dhe fanella e saj është bërë një simbol i bashkimit. Për këtë arsye, ajo ka dhe një mbështetje të madhe nga Tirana, Prishtina apo Tetova. Ka një pritje të madhe të njerëzve, që të shohin Kombëtaren. Ne jemi munduar të bëjmë më të mirën. Është një nder dhe krenari. Për ne është një nder dhe lavdi të luajmë për Kombëtaren, ajo është dhe e jona. E të gjithë shqiptarëve. Mundohemi të japim sa më shumë kontribut. Shpresojmë, që të gjithë djemtë e rinj që do të vijnë pas ta kenë si shembull.

U prite në mënyrë madhështore, kur ekipi juaj në Itali, Lacio, luajti në Maqedoni kundër Rabotniçkit për Ligën e Europës, si në aeroportin e Shkupit, por dhe gjatë ndeshjes. Cilat ishin përjetimet e tua?

Ishte një gjë e jashtëzakonshme. Me shumë emocione. Që nga pritja në aeroport, në hotel dhe në stadium. Ishte fantastike. Kur ty të presin kështu, atëherë të detyron të analizosh se sa punë të mirë mund të bësh ti, me bindjet e tua. Me imazhin tënd. Të bën që të vazhdosh në këtë mënyrë. Gjithmonë, në jetëm time jam munduar të kem një karrierë të suksesshme në skenën europiane, pasi nuk kemi shumë lojtarë të tillë, që shkëlqejnë, kanë luajtur në kampionate kryesorë dhe në klube të mëdha. Kur vjen në Kombëtare, duhet të japësh maksimumin dhe kontributin tënd, e të japësh disa mesazhe për bashkimin e vendit tonë. Njerëzit të tillë identifikohen me këto vlera dhe krijojnë shumë besim. Në fakt, unë personalisht, e konsideroj se nuk po bëj ndonjë gjë të jashtëzakonshme, thjesht po kaloj një mesazh që besoj se e duan të gjithë shqiptarët: të shohim interesin e vendit, para atyre personale.

Jeni imazhi i Aleancës Kuqezi, një lëvizjeje me ngjyra të forta kombëtare. Keni nënshkruar të jeni pjesë e saj dhe fotoja e rastit ka bërë xhiron e botës. Përse?

Puna e Aleancës Kuqezi erdhi në mënyrë krejt të natyrshme. Nuk e di, nëse mund ta quaj atë të fuqishme, por megjihatë ajo ka marrë një simpati dhe mbështetje të gjerë të popullatës në përgjithësi. Di se së fundit, ajo ka qenë në Filadelfia dhe Nju Jork, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aleanca thjesht nisi një lëvizje popullore për të mbrojtur interesat kombëtare. Kur mua më afruan, m’u duk krejt e natyrshme, pasi Loriku nuk ka dalë kurrë haptas që të mështes ndonjë lëvizje, përveç fondacioneve të bamirësisë. Për Aleancën Kuqezi m’u duk krejt e natyrshme, pasi ka synime krejt të qarta. Thjesht, është shprehur se po mbron interesat kombëtare në emër të popullit. Derisa Aleanca do të qëndrojë në formën e saj aktuale dhe më qëllimet e saj aktuale, Loriku ka për ta mbështetur. Është një gjë, që nuk ka të bëjë interesa personale, por për të mbrojtur interesat e vendit tonë, por dhe shqiptarëve kudo që jetojnë. Kështu që, në qoftë se në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, në Diasporë mbron interesat e shqiptarëve, atëherë kjo është një gjë shumë e mirë dhe pjesë e saj nuk ka qenë vetëm Loriku. Njerëzit më të mëdhenj të Kombit tonë, si Ismail Kadareja ka dhënë një opinion shumë të favorshëm për të. Shpresoj, të vazhdoj në këtë mënyrë. Kur Aleanca do të realizojë disa misione të saj, dhe synimi i saj nuk është vetëm Censusi, pasi shumë njerëz e kanë identifikuar me të. Censusi, në një pjesë të tij ka dalë antikushtetues. E rëndësishme është, që njerëzit të kenë dikë që të identifikohen dhe të afrohen. Shumë njerëz kanë deklaruar se Aleanca Kuqezi do të shndërrohet në Parti Politike, apo do të luajë një rol në politikë, atëherë unë do të rishikoj pozicionin tim. Unë asnjëherë nuk kam qenë i angazhuar. Nuk më intereson të jem i majtë, apo i djathtë. Për momentin e mbështes me të gjitha mundësitë që kam.

Lorik ke luajtur me ekipe të mëdha në Francë, me Paris Sën Zhermenin dhe Olimpikun e Marsejës, në Angli me Sandërlendin, në Turqi me Gallatasarajin, dhe tani në Itali me Lacion. Ke bashkëluajtur me lojtarë të mëdhenj, siç edhe keni pasur përballë kundërshtarë të mëdhenj. Si e ke ndjerë veten përkrah Ronaldinjos te Paris Sën Zhermeni, apo kundër Uejni Runit të Mançester Junaitid, te Marseja me Frenk Riberin apo tani me Miroslav Klozen te Lacio?

E konsideroj veten me fat, që kam pasur një shans të tillë. Të jetosh ditë për ditë me lojtarë të mëdhenj, jo vetëm në aspektin e futbollit të fushës, por dhe të jem në prani të njerëzve të mëdhenj, të ben të mësosh shumë dhe me një shpejtësi të madhe. Të arrish të luash me disa nga lojtarët më të mirët në botë, është një kulm në karrierën tënde. Ti e bën këtë një përvojë personale, që të ndihmon në jetën tënd të përditshme. Edhe jetesa në disa vende me kulturë të ndryshme, apo qënia pjesë e disa kampionateve të ndihmon të kesh një përvojë që të ndihmon si brenda, ashtu dhe jashtë saj. Mëson kultura të tjera dhe gjuhë të ndryshme. Sigurisht, kur frenkuenton njerëz të tillë mëson shumë nga ata. Kjo besoj se më ka ndihmuar të bëhem më i fortë si futbollit, por dhe si njeri.

Pasionet e tua të njohura janë historia dhe arkeologjia. Keni bërë një gjest shumë kuptimplotë para disa vitesh duke kontribuar financiarisht, së bashku edhe me Igli Taren, në kthimin e kokës Zeusit-Asklepius. Përse e bëtë atë?

Rodhi shumë natyrshëm. Isha para katër vitesh në Romë, pasi dëshiroja të shihja derbin e Romës, Lacio-Roma. Ishim në kontakt  me një mikun tonë, i cili është akovakt në Shqipëri. Duke folur ata për pasionin tim rreth arkeologjisë dhe historisë, vëllai i Igli Tares, Auroni, më përmendi rastin konkret. Unë mendoj se ka shumë gjëra që duhen bërë për vendin tonë. Nuk duhet ta neglizhojmë kurrë trashëgiminë tonë kulturore. Është jashtëzakonisht për ne. Në fakt, dëshironim të sensibilizonim edhe njerëzit që punojnë në këto institucione.  Ishte një kokë shumë e bukur. Për ta rikthyer atë në Muzeun e Butrintit, atje edhe ku u vodh ne paguam së bashku edhe me Igli Taren, 20 mijë euro. Në fakt, dëshironim të bënim pak bujë edhe në aspektin mediatik për të sensibilizuar edhe institucionet. Kam parë, që shumë objekte i janë kthyer vendit tonë. Kur të lë futbollin, do të kem më shumë kohë të shëtis në vendet arkeologjike në Shqipëri.

A keni qenë në Butrint?

Patjetër, që po. Kam qenë gjithashtu në Bylis, në Apoloninë e Fierit. Pëlqej gjithashtu dhe gjërat historikë, më pak antike. Kam qenë në Shkodër, Krujë. Mundohem ta organizoj gjithçka gjatë kohës së verës, kur jam në pushime. Më vjen keq, pasi në disa qytete nuk kam qenë asnjëherë. Marr makinën dhe kam qejf të shoh edhe malet.

Lorik, keni pasur kontrata me kompanitë e produkteve sportive, por keni qenë edhe imazh i një shtëpie mode, ndërkohë që fotot me imazhin tuaj qarkullonin në Paris. Si i keni raportet aktuale me to?

Për momentin kam një kontratë disavjeçare me kompaninnë “Adidas”. Është përdorur imazhi im. Gjithhashtu kam punuar me një kompani veshjesh të një stilisti të njohur belg, “Bikkembergs”. Është shumë i njohur në skenën ndërkombëtare, në Itali, Francë, Belgjikë, Gjermani. Janë të famshëm në botë dhe kam bashkëpunuar me shumë dëshirë. Është një gjë fantastike. Të rit natyrshëm imazhin. Nuk jam marrë kur me gjëra që nuk ja vlejnë.

A ju pëlqen kënga popullore?

Shumë. Nëntëdhjetë për qind të muzikës që vendos në makinë është popullore. Është muzikë shqip, pop, A&B, rrok, hip-pop. Nuk bëj dallime, më pëlqen si muzika popullore e Shqipërisë së Veriut, të Mesme dhe të Jugut.

Kë pëlqeni më shumë së këngëtar?

Janë shumë, por më shumë preferoj Shkëlzen Jetishin.

Cili është shqiptari Cana, në Francë, Angli dhe Itali?

Sigurisht që, Franca është pak e veçantë. Kam familjen, është lindur motra ime aty. Babai im ka qenë ish-futbollist dhe kur kemi ikur nga Kosova, kur ajo ishte nën-Jugosllavinë, jam mësuar të lëvizë dhe nuk e kam problem të përshtatem në çdo vend. Ndihem shumë mirë. Franca, Anglia dhe Italia janë vende të mrekullueshme për të jetuar. Kam dhe avantazhin që gjuhët e huaja i mësoj shpejt. Kjo më ndihmon të ambientohem.

Anglia pak më ndryshe, apo jo?

Po, por për futboll është e mrekullueshme. Është kampionati më i mrekullueshëm për futboll. Nga pikëpamja e gjuhës është e lehtë për t’u ambientuar, ndërsa përsa i përket aspektit të jetës është më pak ndryshe. Ka më pak njerëz, apo më pak miqësi, por që sigurisht për profesionin tonë është një vend i mrekullueshëm.

Gazeta Telegraf

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen