ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Letër e hapur për z. Lubonja – “Grek apo shqiptar”

28PLEURAT-REXHEPI207

Përshëndetje z. Lubonja,

Më lejoni të shpreh konsideratën time maksimale për ju dhe për shkrimet tuaja. Unë që po ju shkruaj quhem Pleurat Rexhepi, (student i Doktoraturës në King’s College London me bursë nga Fondi i Ekselencës) dhe kam mbi 10 vite që jetoj në Angli.

Ideja dhe argumentimi juaj në debatin e fundit tek “Opinioni” (“Grek apo shqiptar”) është shumë perëndimor dhe shumë parimor për një shoqëri të avancuar. Patjetër që argumentimi juaj do të ishte shumë i denjë për një audiencë të BBC-së, ku vlerat multikulturore janë parimet bazë të një shoqërie moderne. Por, me keqardhje më rezulton se për një vend nacionalist si Greqia argumentet tuaja janë komplet jashtë realitetit aktual.

Gjatë këtyre 5 viteve të fundit kam marrë pjesë në disa shkolla verore politike në Greqi të organizuara nga George Town University dhe sinqerisht jam tronditur nga mendimet shoviniste të akademikëve grekë.

Gjatë studimeve të mia për master në Cass Business School London, më ka rënë rasti që të kem mbi dhjetëra shokë/shoqe greke, që vazhdoj t’i konsideroj shumë të afërt dhe vazhdoj të kem marrëdhënie të shkëlqyera. Por sa herë që kam hapur temën e kombësisë, opinioni i tyre vazhdon të jetë tepër asimilues në raport me shqiptarët.

Si liberal që jam, besoj se shteti i së drejtës dhe mirëqenia e qytetarit është baza e civilizimit dhe jo nacionalizmi. Absolutisht që jam dakord, por jo në realitetin e zymtë të ekstremistëve grekë, të cilët për 20 vite rresht kanë ndërtuar dhe po ndërtojnë politikën e ekspansionit ekonomik, fetar dhe nacionalist në Ballkan.

Nuk e kuptoj se si ka mundësi që një intelektual si ju akoma nuk ka kuptuar se pjesa konservatore e politikëbërësve grekë vazhdon të funksionojë si në shekullin e 19-të pasi:

• Duke krijuar një mjedis të zymtë, detyron qytetarët shqiptarë që të ndryshojnë emrat dhe fenë e tyre.

• Deklarojnë hapur se regjistrimi i popullsisë është mundësia e fundit për Vorio Epirin.

• Krijojnë varreza me “Gjeneralë të ushtrisë së vdekur”.

• I imponon presione qeverisë shqiptare për mbështetje në Bashkimin Europian.

• Organizon operacione “Fshesare” vetëm për të pasur influencë në kishën ortodokse.

• Nuk denoncon gjenocidin e popullsisë çame ku u shpërngulen 50 000 shqiptarë.

• Mohojnë të drejtën e pronës private të popullsisë çame.

• Nuk vlerësojnë studentët e shkëlqyer shqiptarë në bazë të meritokracisë për të mbajtur flamurin në parakalimet shkollore.

• Stërviten ushtarakisht para gjeneralëve me mllef dhe parulla kanibalësh kundër vendeve fqinje.

• Refuzon realitetin e ri gjeopolitik të Kosovës.

Unë thjesht dua të di dhe sa argumente të tjera dëshironi që t’ju jap që të bindeni se përpara nesh kemi një fqinj, i cili vazhdon të jetojë në shekullin e 19-të, ndërsa ne duhet që të jetojmë në shekullin 99.

Të lutem reflekto dhe kupto realitetin politik të Ballkanit.

Realiteti dhe analiza duhet të fillojnë që nga ndërtimi i marrëdhënieve shqiptaro-greke, duhet të fillojnë që nga politika “budallaqe” e shtetit grek, e cila falimentoi ekonominë e tyre vetëm për të realizuar ëndrrën e tyre të dështuar për dominimin e Ballkanit.

Ti me të drejtë mund të më pyesësh: “Përse thua budallaqe?”

E quaj “budallaqe”, pasi shpenzoi miliarda euro në “modernizimin” e ushtrisë për të balancuar influencën ushtarake me Turqinë dhe akoma nuk e kanë kuptuar që nuk mund të balancohet.

E quaj “budallaqe”, pasi shpenzoi me miliarda dollarë në ndërtimin e kishave në rajonin e Ballkanit gjatë këtyre 20 viteve.

E quaj “budallaqe”, pasi paguan mijëra pensionistë shqiptarë, maqedonas, bullgarë me pretendimin se janë minoritete greke dhe jo në bazë të kontributeve shoqërore.

E quaj “budallaqe”, pasi kompanitë e tyre që mësymën tregjet e Ballkanit e bazuan biznesin e tyre në korrupsion, e bazuan në përfitim afatshkurtër, e bazuan në korporata nepotike, në korporata false. Ndërsa tani “xhevahiret” e korporatave greke u blenë vetëm brenda 1 viti nga kompanitë gjermane, kineze, ruse, italiane apo austriake. Kompanitë celulare, portet, hekurudhat, rrugët dhe të gjitha bizneset e tjera po blihen ose po privatizohen nga investitorë të huaj me vetëm pak dollarë.

E quaj “budallaqe”, pasi po paguajnë norma të larta interesi për paratë e marra borxh, që shpenzuan në politikat e tyre nacionaliste për pensione, kisha, ushtri apo korporata nepotike.

E quaj “budallaqe”, pasi akoma nuk e ka kuptuar se me politikat e shekullit 19 nuk ndërtohet një shtet europian, ku 50% e dyqaneve në Athinë akoma nuk të presin një kupon tatimor.

E quaj “budallaqe”, pasi strategjia e tyre ekspansioniste drejt shteteve të brishta të Ballkanit dështoi totalisht, sepse nuk u bazua në punë, vlera dhe iluminimin perëndimor, por u bazua në influencë fetare, korrupsion ballkanik, presione politike dhe gjeopolitikë despotike lindore.

Duke mbetur një adhurues i historisë antike greke, që ka iluminuar të gjitha shoqëritë e njerëzimit, shpresoj që një ditë fqinji ynë ta kuptojë seriozisht gjendjen e tij aktuale dhe të kuptojë se reflektimi mbi gabimet e tyre është e vetmja zgjidhje për një shoqëri të shëndoshë dhe jo presioni politik me një shtet të brishtë ballkanik si Shqipëria.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen