ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Letër ambasadorit të Francës në Kosovë

Shkëlqesisë së tij Jean-François Fitou, ambasador,

I nderuari Ambasador,

Ditën e djeshme, nëntë aktivistë të lëvizjes VETËVENDOSJE! përdorën të drejtën e tyre për të protestuar kundër qeverisë gjatë një prezantimi për liberalizimin e vizave, që u mbajt nga ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, në Institutin e Studimeve Politike Evropiane (ISPE).

Ndërkohë që situata në veri po degradon dhe shumë njerëz e kanë jetën e tyre në rrezik, ministri Rexhepi i ka tallur vazhdimisht në publik qytetarët, duke shpërfillur kërkesat e tyre për siguri dhe për mbrojtje.

E drejta për të protestuar është e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dhe nga konventat ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut. Protestat konsiderohen si një kontribut tepër i vyeshëm për demokracinë në shumë vende evropiane perëndimore. Gjatë kësaj proteste, aktivistët tanë kanë protestuar paqësisht, por ata janë rrahur, arrestuar dhe më pas edhe janë keqtrajtuar pasi u është hequr liria.

Aktivistët e lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë vepruar ashtu siç do të kishin vepruar edhe qytetarët e ndërgjegjshëm në cilindo vend të botës. Aktivistët kanë vërshëllyer dhe kanë hedhur pamflete në ajër për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve në të gjithë vendin, si dhe duke shprehur pakënaqësinë e tyre me politikat e qeverisë.

Kjo protestë u bë për të hedhur poshtë manipulimin dhe demagogjinë e një qeverie, e cila nuk arrin dot të garantojë as lirinë e lëvizjes brenda territorit të Kosovës, një qeveri e cila ka dështuar që të mbrojë kufijtë e saj dhe nuk plotëson as nevojën bazë të qytetarëve të saj për t’u ndjerë të sigurt në atdheun e tyre.

Nëntë aktivistë u shtynë dhe u nxorën me forcë nga salla e konferencave. Por, ata nuk u lejuan të largoheshin nga ndërtesa e kolegjit ISPE. Truprojat e ministrit Rexhepi dhe disa policë i ndanë aktivistet nga aktivistët tanë, duke i mbajtur të mbyllur këta të fundit në mënyrë të jashtëligjshme në njërën prej dhomave të ndërtesës, ku dhe filluan t’i rrihnin rëndë.

E gjithë kjo ka nisur në prezencën tuaj dhe ka vazhduar gjatë kohës që ju keni qenë në prezantim. Pasi ju u larguat, aktivistët u dërguan në burg. Të gjitha mediat kanë mbuluar komentet tuaja ku ju e keni cilësuar aksionin tonë politik si një aksion “fashist”. Për më tepër, ju i keni krahasuar aktivistët tanë me fashistët e vitit 1943, të cilët u hiqnin të tjerëve të drejtën e fjalës së lirë, duke e çuar krahasimin deri aty sa keni përmendur edhe Hitlerin dhe Bavarinë.

Deklaratat tuaja janë thellësisht ofenduese për studentët që kanë marrë pjesë në protestë, për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, dhe për popullin e Kosovës. Aktivistët dhe aksioni i tyre nuk kanë asgjë të përbashkët me fashizmin.

Përkundrazi: nuk ka asnjë subjekt tjetër politik në Kosovë që ushqen qëndrime dhe ndjenja antifashiste siç e bën këtë Lëvizja VETËVENDOSJE!. Duke qenë se jemi takuar drejtpërdrejt dhe kemi diskutuar së bashku, unë nuk mund ta besoj që ju nuk jeni në dijeni të kësaj. Prandaj dhe deklaratat tuaja na kanë shokuar së tepërmi.

Nëpërmjet kësaj letre dëshirojmë të qartësojmë nësë deklaratat tuaja përfaqësojnë edhe qëndrimin zyrtar të Ambasadës së Republikës Franceze në Kosovë, dhe qëndrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Francë.

Këtë letër po e nisim edhe tek Ministria e Punëve të Jashtme në Francë, tek kryetari i Parlamentit francez, si dhe tek subjekte politike dhe media franceze. Nëse deklarimet tuaja përfaqësojnë qëndrimin zyrtar, dëshirojmë të shprehim indinjatën tonë më të thellë kundër këtyre deklarimeve të padrejta.

Franca, si popull dhe si Republikë, është një shembull i demokracisë për botën. Liria për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësinë me politikat qeverisëse përmes aksioneve paqësore politike është diçka e shenjtë që qëndron në themelet e shtetit francez. Franca gjithashtu gëzon një respekt të madh si dhe përkrahje nga Kosova. Kjo i bën edhe më shqetësuese deklaratat dhe cilësimet që ju keni artikuluar.

Ne shpresojmë me të vërtetë se ju do t’iu kërkoni falje aktivistëve dhe publikut, dhe se do ta sqaroni këtë incident sa më shpejt që të jetë e mundur.

Sinqerisht, Albin Kurti

Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

NJË KOMENT

Tetovari

26/10/2011

arrow

Reagim me vend por pak si i but, vallë pse protestat e dhunshme që u zhvilluan në Paris nuk i quajtën fashiste. Apo tjetra, si i quan ky ambasador barrikadat dhe protestat e paligjshme të serbve në veri të Mitrovices? Ma merr mendja se ambasadori këto i legjitimon në emër të demokracisë dhe të drejtës për shprehjen e lirë?!

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen