ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Kur këtu nuk me pyet kush se çfarë besoj, apo ç’kombi i përkas, pse në Tiranë ka nxitim?

13

Shefqet Meko (shqiptaro-amerikan)

Sapo  më erdhi këtë  javë  formulari i regjistrimit të popullsisë në SHBA ose i njohur   si  Census 2010! Ky aksion i madh i administratës federale, që ndodh njëherë në 10 vjet,  është shoqëruar  nga një parapërgatitje për të sensibilizuar popullsinë që gjithkush të numurohet dhe llogaritet. E prita me një interesim të veçantë këtë formular, i cili vërtet me befasoi me thjeshtësinë e pyetjeve, por edhe me shpjegimet dhe mbrojtjen ligjore për informacionin që mund të jepet. Sipas ligjit federal të gjitha përgjigjet janë konfidenciale  dhe nuk mund të ndahen me ndonjë palë të tretë. Sipas këtij ligji të dhënat mund të bëhen publike pas 72 vitesh dhe ky informacion mund të përdoret për  histori familjesh apo kërkime të tjera historike.

A e dini se çfarë  më kërkon të deklaroj ky formular?

Fare  thjeshtë: Sa njerëz banojnë në shtëpinë time, nëse  jetoj me qira, apo  jam pronar i shtëpisë (qoftë edhe kur financon banka).

Ky është fillimi. Dhe më pas për secilin person nuk kërkohet me shumë se: mosha më 1  Pril 2010, ditëlindja e plotë, në një kapitull të veçantë kërkohet të thuash nëse je Hispanik, Latino, ose me origjinë spanjolle (në këtë census   origjina hispanike nuk  llogaritet si racë). Ndërsa tek raca e personit radhitet nëse je: I bardhë, Afrikan-Amerikan ose Negro, Amerikan -Indian, Alaskian (për këto dy të fundit kërkohet emri i fisit nëse je regjistruar) dhe më pas janë: Azian-Indian, Kinezë, Filipino, Azitikë të tjerë, Japonezë, Korean, Vietmanezë, etj.

Ky formular  të  kërkon vetëm 10 minuta kohë dhe shumë thjeshtë  për t’u kuptuar  qëllimin  e tij.  Kështu për secilin person  kërkohet një informacion i thjeshtë, që secili të bëhet e mundur të numurohet dhe llogaritet. Në këtë regjistrim të popullsisë nuk kërkohet kurrkund se çfarë nacionaliteti ke,  ku ke lindur, apo se cili është besimi jot fetar.

E lexova dy herë, për  të qënë i sigurtë se nuk kisha humbur ndonjë pjesë informacioni. Por ishte e qartë. Qeveria Amerikane nuk u kërkon qytetarëve të  vet të deklarojnë kombësinë apo besimin fetar. Dhe  më  erdhi në  mendje  një deklaratë e Ilir Metës  rreth një regjistrimi të njëjtë që synohet të bëhet në    Shqipëri. Me fodullëk  kryediplomati shqiptar Meta thotë: “Njeriu i lirë duhet të deklarojë kombësinë dhe besimin…”.   Dhe për më tej ai pohon zyrtarisht praninë e një minoriteti  sërb, gjë të cilën jo vetëm e ka një “marre të radhës” siç thonë shkodranët, por ka demonstruar edhe idjotësinë e vet si politikan i rritur “me pekule”.

Por shqetësimi është tek aksioni i qeverisë shqiptare për të regjistruar popullsinë duke u bazuar në etninë dhe besimin fetar. Kjo është një “minë me sëhat” në  Balkanin e trazuar nga etniciteti dhe shovinizmi. Qëndrimi i palëkundur i  qeverisë për të regjistruar  popullsinë e “një pëllëmbë” vendi bazuar në kombësi dhe fe, jo vetëm është një shërbim i majmë ndaj fqinjëve që nuk e kanë dashur kurrë kombin dhe ekzistencën  shqiptare, por ndërkohë duke  çuar ujë “tek mullinjtë  e tyre”, duket se qeveria shqiptare është më shumë e interesuar për të evidentuar “pakicat kombëtare”  se sa për të  mësuar realisht se sa njerëz jetojnë në territorin shqiptar. Është regjistrim i qytetarëve shqiptarë. Thjesht! Duhet pranuar  se në Ballkan ka “xhepa pakicash”  sa në një shtet tek tjetri, por është një mjerim i mjerueshëm të  dobësosh të vërtetën historike se  shqiptarët në ballkan përbëjnë  kombin më të lashtë, madje themeltar të kulturës   dhe lashtësisë ballkanike. Ky është kombi më i ndëshkuar nga fqinjët dhe politikat e “të mëdhenjve” në Ballkan. Madje vetëm gjuha shqipe është anatemuar në mesha dhe  ”fjalime patetike” fetare… Kombi shqiptar është i vetmi komb “i tkurrurr” prej  brigjeve të Danubit, në Shqipërinë e   sotme… Kombi shqiptar mbase “kurrë  nuk ka pushtuar” sikurse mburremi, por vetëm është sakatuar si askush në Ballkan… Është momenti të jemi nacionalistë përpara se të jemi Europjanë, sepse vetëm Amerika është “Vendi i tolerancës”, vetë Europa ende fshihet nën nacionalizma dhe  ”tango të mplakura”… Jam skeptik ndaj çdo këshille nga Brukseli, ndërsa nuk besoj se “SHBA  nuk gabon ”… Të ndërmarrësh një aksion adminsitrativ me fondet e taksapaguesve shqiptarë dhe në fund të fundit t’i  ”raportosh” Janullatusit apo sërbëvë se  cili është numuri i bashkëkombasve të tyre që jetojnë në Shqipëri, për mendimin tim pësonal është një  përdhosje e luftës së brezave që me mjerim, sakrifica dhe gjak, bënë aq sa bënë, por ruajtën kombin dhe gjuhën midis  kuçedravë të Ballakanit.

Unë nuk dua të futem në detaje për vlerat apo praktikat që  do të  ndiqen  për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, por kjo koincidon me një aksion të  njëjtë që po bëhet në Amerikë. Ne gjithmonë e kemi parë këtë vend si “shembull të demokracisë së madhe”, por gjërat e mëdha janë edhe shumë të thjeshta, miq të dashur. Këtu njerëzit numurohen thjesht, madje informacionet bëhen  publike pas 72 vitesh. Kam  mbi 10 vjet në  SHBA. Ky është regjistrimi i dytë që përjetoj. Në asnjë moment nuk më është kërkuar  të deklaroj në letra se cilit besimi i përkas. Madje  regjistrimi i tanishëm nuk kërkon të dijë për kombësinë. Nuk dua të them se Amerikës nuk i intereson  kombësia e çdo qytetari, por ka rrugë të tjera për të realizuar   atë. Unë nuk mund të bëhesha qytetar amerikan pa deklaruar nënshtetësinë e mëparshme dhe kombësinë e mëparshme.  Por në Shqipëri nuk kemi një “proces natyralizues”, aty kemi thjesht një regjistrim të popullsisë. Dhe shembulli që sjell, i mëson administratës shqiptare, që milionat qytetarë në SHBA numurohen thjesht. Pse aty nxitohet aq shumë? Kujt i duhet dhe kujt i intereson nëse do kemi 100  malazezë apo serbë, 200 rumunë apo bullgarë, 1000 grekë apo  100 italianë dhe 50 turq? ( Po sjell thjesht shifra)! Kujt i intereson se sa  besojnë të Muhamti dhe sa besojnë tek Krishti? Pse nuk e lemë besimin një çështje private të individit të lirë, i cili zgjedh atë që beson vetë? Unë  kam dyshimin se në këtë aksion adminstrativ “feja është përzjerë tek shteti” ose “shteti po i puth dorën fesë”.   Duke gjykuar nga larg, dyshoj se ka një strategji të djallëzuar, që bazuar në këto të dhëna  të anatemohen  ”politika të reja”. Jo.  Etnia shqiptare mbetet një dhe unike. Askush nuk mund të shpresojë se përmes kësaj mund të zhbëhet një komb i lashtë, që për  këtë apo atë arsye ka ndërruar fe, ka ndërruar emra dhe është konvertuar në mënyrë pragmatiste. Të gjitha këto janë të falura, përderisa si myslimanë, kristianë apo ateistë, janë qytetarë të Shqipërisë.

E përsëris: Amerika po numuron thjesht. Kam mbushur  qindra formularë duke filluar nga emigracioni dhe deri në tregun e  punës dhe sistemin financiar, kurkud nuk më është kërkuar të them nëse jam mysliman,  ortodoks apo  ateist. As tani qeveria ime që më ka bërë qytetar me të dreja të plota, nuk do t’ja dijë  se çfarë besoj unë apo familja ime.

Mosni o qeveritarë, mos e nakatosni atë komb se ai është formuar tashmë dhe ta zhbësh atë, duhen po aq shekuj sa e bënë këtë komb të lashtë. Unë krenohem me këtë lashtësi. Ndaj  po dërgoj një mesazh të thjeshtë: Numuroni thjeshtë, aq thjeshtë sa edhe  miku juaj i madh SHBA! A ka një shembull më të mirë  se si t’ua “mbyllësh gojën” të gjitha “këshillave” dhe “ekspertizave” që mund të vijnë nga Athina, Brukseli apo Beogradi?!!

Mos harroni shprehjen e bukur popullore: “Mos u bëni më katolikë se Papa”! Numuroni thjesht siç po numurohet popullsia  në SHBA!

Unë sapo kam postuar formularin  Census 2010! Thjesht!

*Minneapolis SHBA

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen