ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Kryetari i Kuvendit të Kosovës reagon për debatin e historisë. Krasniqi: Ndryshimi në tekste, kërkesë mendjelehtë

Kohëve të fundit po flitet me të madhe ku për rishkrimin, e ku ndryshimin e historisë së shqiptarëve! Përse? Se paskemi disa fjalë të pakëndshme, të cilat nuk besoj se janë më të rënda sesa ishte sundimi shumëshekullor, jeta nën këmbën ushtarake osmane, kur popullit tonë i mohoheshin të gjitha vlerat dalluese kombëtare. Ndërsa, në fund, edhe tokat tona kombëtare i dhanë në ankand publik, për t’u ndarë mes shovinistëve të Ballkanit. Çuditërisht këtë ves e patën ndjekur edhe disa shqiptarë që ishin edukuar në Stambollin osman, në krye me Esat Pashë Toptanin dhe ndonjë pasues të tij. Pasuesit e këtij soji vijnë gjithë deri në ditët tona, por ata nuk janë pjesë e historisë sonë të lavdishme. Të tjerët sado të “lavdishëm” e të “ditur” të kenë qenë, janë pjesë e historisë së perandorive a të shteteve që u kanë shërbyer. Të tillët, sado të mëdhenj të kenë qenë, sigurisht se kanë kontribuar, që edhe sot shqiptarët të jetojnë në shtatë shtete të Ballkanit, përfshirë këtu edhe Turqinë e sotme. Edhe sot, shqiptarët jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, vazhdojnë të jetojnë pa të drejtat elementare kombëtare dhe këtë realitet nuk mund ta mohojë askush. Historinë e popullit shqiptar e përbëjnë ata që u bënë digë e shteteve dhe e perandorive të huaja që luftuan për liri, për nderin e vlerat e vendit të vet, për gjuhën dhe shtetin e vet. Edhe sot jemi plotësisht të bindur se historinë si nën sundimin osman, si nën atë serb, nuk mund ta ndryshojmë. Kudo kanë mbetur gjurmët e një jete të rëndë, e dëshmuar edhe nga trashëgimia materiale, e cila është tepër e varfër dhe do të ishte një paradoks për t’iu falënderuar qytetërimit të imponuar. Më të varfrit e Evropës jemi pikërisht edhe sot. Përkundër kësaj që u tha, jemi të bindur se historinë nuk mund ta ndërrojmë, po aq sa jemi të bindur se të sotmen e të ardhmen duhet ta ndërtojmë në miqësi e partneritet me të gjitha vendet e popujt e rajonit dhe më gjerë. Se si duhet ndërtuar e tashmja dhe e ardhmja, edhe me ata që deri dje ishim në konflikte e luftëra, e kemi një pasqyrë, Bashkimin Evropian me të gjitha vlerat e tij.

Kërkesat mendjelehta

Vetë mendjelehtësia e kërkesës së disa oponentëve qarqesh, apo klanesh, për ribërjen apo rishkrimin e historisë, më jep mundësinë për të kuptuar se këta njerëz, nuk e kanë të qartë as idenë si bëhet apo si shkruhet historia e shkollimit fillestar, pa folur pastaj për historinë mijëvjeçare të popullit shqiptar (që shpesh e lidhin vetëm me emrin shqip e shqiptar). Kjo mendjelehtësi për një çështje kaq serioze siç është shkrimi i historisë së popullit shqiptar, për njeriun normal është më shumë se shqetësuese. Shegertët e zanatçinjtë, grabitësit e matrapazët që shfrytëzojnë momentet e mjegulluara të tranzicionit (“ujku do mjegull”, – thotë populli), jo vetëm që nuk kanë nivel për të bërë e shkruar histori shkencore, por ata nuk e kanë as kapacitetin e mjaftueshëm për të menduar shqip në mënyrë të pavarur. Thënë shkurt e shqip, ata shikimin e kanë larg historisë shkencore dhe përtej gjeografisë së shqiptarëve, ndoshta më shumë se për çdo gjë tjetër e kanë për zemër peshën e xhepit të korruptuar. Para çdo xhepi të korruptuar shoh korruptimin moral dhe politik, që është shkalla më e rrezikshme e korrupsionit. Të paktën kështu ishte gjatë gjithë historisë sonë sa të dhimbshme, aq edhe të lavdishme.  Me të tillë “historianë”, jo vetëm që nuk shkruhet historia shkencore, por nuk shkruhet as një përrallë didaktike e përsëritur shpesh pas darkave për t’i vërë në gjumë fëmijët, duke qenë se gjumi i rrit fëmijët, por jo edhe kombet të cilat gjumi i shpie në harresë. Kjo e fundit, në fakt ishte një porosi e urtë e të mençurit mjekërbardhë, Ismail Qemali e thënë në filmin “Nëntori i Dytë”. Shqiptarët nuk fjetën, veçse nuk qëndruan as pa gjumë, siç i porosiste Ismail Qemali. Sigurisht, unë nuk jam kundër shkrimit e rishkrimit të historisë, pasi shkenca nuk është dogmë se edhe dogmat sot e kanë të vështirë të mos iu nënshtrohen një reformimi të thellë e përmbajtësor. Aty ku mungon gatishmëria për reforma, shoqëria dehumanizohet, njerëzit mësohen të jetojnë me moralin e dyfishtë. Zhvillimet e fundit në një pjesë të botës e konfirmon këtë. Shkenca që shndërrohet në dogmë, jo vetëm që nuk zhvillohet, por ajo dehumanizohet (kujtojmë socializmin shkencor të Marksit, si nisi e ku katandisi). Shkenca duhet të zhvillohet dhe ajo zhvillohet përditë, ajo evoluon, por dhe bëhet revolucionare sa herë bën zbulime të mëdha. Kështu ndodh edhe me ndryshimet  e hopet e mëdha shoqërore. Këto hope i njeh historia e shoqërisë njerëzore. I njeh edhe historia e kombit tonë. Por, për t’u bërë arritje shkencore duhen investime paraprake në shumë segmente përgatitore, një plan hollësisht i detajuar, duke kulmuar me hartimin e Historisë së Popullit Shqiptar, ndonëse nuk mund të themi se jemi edhe pa histori të shkruar. Gjatë dy dekadave të fundit në hapësirën tonë kombëtare, nuk kam njohuri se kemi bërë ndonjë investim për përgatitjen e studiuesve për studime historike (veç përpjekjeve individuale), si edhe në krijimin e infrastrukturës paraprake planifikuese për shkencën e historisë.

Historianë të papërgatitur

Në rrethana të tilla domosdoshmërisht shtrohen disa pyetje që kërkojnë përgjigje pa hidhërim, pa inate e xhelozi, por, edhe pa ndarjen e vlerave kombëtare në të majta e në të djathta. Historinë na e bëjnë të dinjitetshme si të majtët, ashtu edhe të djathtët sa herë që janë në shërbim të kombit e të atdheut. Prandaj, janë disa pyetje që kërkojnë përgjigje me dorë në zemër, si:

1. A kemi në shoqërinë shqiptare e pastaj edhe në shkencën shqiptare frymën e mjaftueshme, ambientin e duhur, mbase edhe të domosdoshëm për debat shkencor? Nëse kemi parasysh faktin se në një sërë debatesh që janë zhvilluar deri tani edhe për disa çështje gati shteruese, siç ka qenë rasti me debatin për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, por edhe për kombin dhe gjuhën njësuar shqipe, nuk mund të themi se kemi klimë të duhur për debat shkencor. Aty ku debati nuk zhvillohet me fuqinë e dëshmive e të fakteve, por me fuqinë e së mundshmes, me arrogancë e mohim ekstrem të çdo vlere, me etiketime ideologjike, atëherë shkenca fillimisht është shmangur dhe sigurisht aty nuk do të këtë frymë për zhvillim shkencor.

2. A mund t’u besohet shkrimi i historisë së popullit shqiptar, asaj kategorie të “historianëve”, që historinë e popullit shqiptarë e lidhin me emrin e mesjetës së vonë kur emrat Alban, epirot dhe maqedon u zëvendësuan me emrin: shqip për gjuhën, shqiptar për popullin dhe Shqipëri për hapësirën gjeografike të iliro-albano-epiroto-maqedonëve dhe shqiptarëve? Duke mohuar parahistorinë e pellazgëve dhe historinë iliro-albane…?

3. Gjatë këtyre 20 viteve të ndryshimeve demokratike, të tranzicionit diku më të shkurtër e diku më të gjatë, shoqëria shqiptare sa ka investuar për të përgatitur historianë të kohërave të ndryshme historike, për t’i hyrë një ndërmarrjeje të re për shkrimin e një historie të re të shqiptarëve? Ti hyjmë një ndërmarrjeje kaq të madhe siç është shkrimi i historisë sonë, në kohën kur shqiptarët nuk merren vesh as për një datë historike, është pothuajse punë Sizifi.

4. Një pyetje tjetër që do sqarim është: A kemi një institut shkencor të nivelit kombëtar apo një elitë hierarkike të shkencëtarëve që do të mund t’iu besohet një ndërmarrje e tillë, kur as tekstet e historive për shkollat fillore nuk i kemi të njësuara?!

5. Kush duhet ta udhëheqë këtë ndërmarrje shkencore? Sa mund ta udhëheqin këtë ndërmarrje njerëzit që pozitat drejtuese në institucione shkencore i kanë nga politika e jo nga fusha akademike e shkencore?

6. A ka ndonjë ekip shkencëtarësh akademikë, që kanë përgatitur projekte  për shkrimin e historisë? Nëse po, të cilave profile janë dhe cili është kontributi i tyre në shkencën e historisë?  Dhe

7. Kush mund të garantojë se projekti i ri me ekipin e ri, do t’i kapërcejë kriteret shkencore të Historisë së Popullit Shqiptar që kemi në dispozicion? Për të përfunduar të një çështje krejt konkrete: Kush janë emrat që mund ta bëjnë këtë ndërmarrje kolosale dhe aspak të lehtë? Gjatë këtyre 20 viteve të fundit, nuk kam parë e as dëgjuar emra të përveçëm të historianëve të rinj që mund të përfundojnë një vepër të tillë, si po flitet më aq lehtësi. A kemi ndërtuar kategorinë e historianëve shkencëtarë që do t’ia kalonin nivelit të historianëve të brezit të Aleks Budës me shokë? Kjo punë do matur shumë. “Mate shtatë herë e preje një herë” thotë populli.

Patriot për 5 mijë euro

Unë guxoj të dyshoj se kemi kapacitete intelektuale, shkencore dhe profesionale me përgjegjësi për t’iu shmangur ndërhyrjeve politike a ideologjike të kohës për të mos thënë: Çka mendojnë krerët qeveritarë në Tiranë, Prishtinë a Tetovë e të mos përmendim Brukselin, Ankaranë apo Uashingtonin, apo çka mendojnë ambasadorët e këtyre vendeve në kryeqytetet tona. Me  këtë frymë nuk bëhet asnjë shkencë e aq më pak Historia e Popullit Shqiptar.

Për të shkruar një histori të re të popullit shqiptar, edhe pse unë mendoj se e kemi një histori të mirë, duhet ta kemi të një niveli tjetër guximin intelektual, shkencor e profesional. Duhet të kishim investuar tashmë në krijimin e shkencëtarëve të rinj, gjë që nuk e kemi bërë as hapin më të vogël. Përkundrazi, gjatë këtyre viteve kemi lejuar një degradim të tmerrshëm në këtë drejtim. Po e përmendi një fakt “Ami 5 000 euro, – thotë një ‘historian’, prindin ta bëj më patriot se Hasan Prishtinën”, anipse ai ka mundur të jetë një i humbur. E kemi këtë gjendje se për dekada kemi investuar tepër pak për arsimin, kulturën e shkencën përgjithësisht.

Historiografia shqiptare ka një histori shekullore dhe nisi me Marin Barletin e Frang Bardhin, për të ardhur këtu ku jemi. Ndaj duhet shfrytëzuar kontributi i secilit dhënë nëpër kohë të ndryshme për të shenjtën historiografi shqiptare. Unë e njoh dhe e respektoj kontributin e njerëzve të dijes edhe atëherë kur mund edhe të mos pajtohem për shumëçka. Thuhet se edhe në librin më të keq mund të gjesh gjëra të mira, por vetëm në “librat” e pashkruara s’gjen dot gjë!

Gazeta Shqiptare

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen