ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Kreshnik Spahiu propozon zgjidhjen e çështjes Çame

I ftuar nga Instituti i Studimeve për Çamërinë dhe i mbështetur nga shumë akademikë nga Tirana, Prishtina, Shkupi e më gjerë, Z.Kreshnik Spahiu analizoi dhe ofroi një zgjidhje konkrete për çështjen Çame.

Z.Spahiu deklaroi se prej 70 vitesh çështja Çame dhe të drejtat e liritë themelore të çamëve kanë qenë të braktisura, të harruara dhe të tradhëtuara. Z.Spahiu theksoi se ka ardhur momenti për një zgjidhje ligjore, kushtetuese dhe juridike në standardet e sistemit të së drejtës ndërkombëtare. “Ndonëse çështja Çame është harruar prej 70 vitesh, goditjen më fatale të saj çështja Çame po e merr me regjistrimin aktual të popullsisë”. Censusi I porositur nga Athina i errësoi sytë qeverisë shqiptare, duke shpërfillur mundësinë e vetme për të inventarizuar pronat dhe pasuritë e shqiptarëve jashtë Shqipërisë, ka thënë Spahiu.

Në regjistrimin e popullsisë, theksoi me forcë Kreshnik Spahiu, qeveria shqiptare po regjistron tualetet me vaska apo wc alla franga dhe nuk ka parashikuar të regjistrojë pasuritë e shqiptarëve jashtë kufirit, përfshirë këtu në veçanti, pasuritë e çamëve aktualisht në shtetin grek, apo dhe shqiptarëve të tjerë me prejardhje të ndryshme nga jugu i Shqipërisë.

“Asnjë parti politike nuk e ka kundërshtuar këtë ligj, këtë proçes, dhe nuk ka votuar kundër këtij ligji, i cili lë përfundimisht në harresë pasuritë e shqiptarëve e për rrjedhojë të drejtën themelore që është e drejta e pronës” – vazhdoi Spahiu. “Për këto arsye, zgjidhja juridike për njohjen e të drejtave dhe lirive themelore të shqiptarëve me prejardhje çame apo më gjerë, duhet të fillojë me një regjistrim të organizuar të të gjitha pronave dhe pasurive, të luajtshme dhe të paluajtshme, brenda dhe jashtë Shqipërisë me qëllim invetarizimi si dhe pasqyrimin statistikor, çka do të ishte barra e parë e provës për të evidentuar, argumentuar dhe mbrojtur më pas ligjërisht të drejtën e kthimit dhe kompesimit të këtyre pronave dhe të drejtat e pronarëve te tyre në gjykatat greke e më pas në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut”.

Më tej Z.Spahiu u shpreh se, nëse shteti shqiptar pengon numërimin, regjistrimin dhe inventarizimin e vlerës apo sipërfaqeve të trashëguara nuk ka bërë gje tjetër, përveçse ka braktisur dhe nuk mund të mbrojë të drejtat e shqiptarëve në përgjithësi dhe të çamëve në veçanti. Kjo është një arsye më shumë për të provuar se ky census është thjesht një kërkesë tekanjoze e Athinës në dëm të interesave të shqiptarëve dhe parimeve kushtetuese, tha Spahiu. “Për këtë arsye, dhunuesve të ligjit duhet ti tregohet dera duke mos lejuar që ky census anti-shqiptar të zhvillohet, që më pas të dëmtohen interesat e shqiptarëve” –shtoi Spahiu.

“Shqiptarët janë një nga popujt me numrin më të madh të popullsisë në rajon, por regjistrimet në dëm të interesave kombëtare po e reduktojnë ndjeshëm numrin e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe kudo ndodhen ata” – përfundoi Z. Kreshnik Spahiu.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen