ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Krenaria shqiptare dhe turpi i Vehbiut

Ditën e djeshme Respublica.al  botoi një shkrim të publicistit Ardian Vehbiu, ku autori polemizonte me z. Zheji rreth çështjes Topi-Topalli, duke e parë nga këndvështrimi i krenarisë. Më tërhoqi vëmendjen posaçërisht ilustrimi i konceptit të krenarisë duke marrë si shembull krenarinë e të qenit shqiptar, jo se është e papritshme prej z.Vehbiu të marrë poza  kundër gati gjithçkaje që mbart frymën shqiptare, por sepse argumentimi ishte haptazi inekzistent. Kështu per z.Vehbiu:

– ….kjo shprehje më dëgjohet kështu: “jam krenar, megjithëse jam shqiptar;” meqë është e vështirë të përfytyrosh ndonjë kontekst ku duhet ta përdorësh një shprehje të tillë, përveçse se atje ku të qenët shqiptar shoqërohet me dështimin, humbjen, nëpërkëmbjen dhe fyerjen.

Po të kërkohet me qiri argumentimi,  se përse krenaria shqiptare na qenkesh boshe,retorike, e vetmja gjë që gjendet është ky pseudo-argument. Lidhëza e theksuar ”’megjithëse”’, i jep frazes kuptimin , ”kam turp që jam shqiptar”, po kështu edhe shpjegimi.

Atëherë ç’lidhje ka në këtë mes fjala krenari ?  Vetë fraza nuk qëndron dot në këmbë nga pikëpamja kuptimore, dmth megjithëse jam shqiptar, jam krenar, ka kuptimin, kam turp por jam krenar, si me thënë jam i bardhë, por i zi. Si gjuhëtar që është z. Vehbiu duhet ta dijë se gramatikisht edhe në shkollen fillore ta refuzojnë një shprehje të tillë.

Në fakt z. Vehbiu nëpërmjet kësaj ‘gjetjeje’ po thotë që krenaria shqiptare është retorike, sepse sipas tij i vetmi lexim i mundshëm i realitetit na qenka, se të qenit shqiptar është turp. Ky lexim subjektiv i realitetit, në thelb nuk përbën kurrfarë argumentimi rreth krenarisë, por është thjesht ndjesia që i jep të qenit shqiptar z.Vehbiu.

Sikur kjo ndjesi të ishte vetëm e z.Vehbiu nuk do të kish asgjë të rëndësishme në nivel publik, por kjo ndjesi e turpit për të qenit shqiptar, ka karakterizuar një pjesë të mirë të shqiptarëve gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit, një ndjesi e thellë inferioriteti ndaj të huajve, që pastaj ka ndikuar jashtëzakonisht edhe në zgjedhjet politike, legjitimimin e shitjes së Shqipërisë për 1 euro, futjes së barbarizmave gjuhësore në shqip, shpërfytyrimin e kulturës kombëtare, goditjen ndaj figurave kombëtare dhe së fundmi e më e rëndësishmja në legjitimimin e goditjes ndaj frymës kombëtare dhe identitetit kombëtar.

Krenaria shqiptare si produkt i kultivimit të frymës shqiptare  ka dobishmërine e vet edhe në mundësinë që i jep shqiptarit të refuzojë nëpërkëmbjen prej të huajit, por ky është vetem  negativi i krenarisë, që synon të mbrojë individin dhe bashkësinë shqiptare nga mendësia e të nënshtruarit, skllavit, çifçiut, nga mendësia e të përulurit ndaj të huajve, që pranon çdo gjë që vjen nga ata, sikur të ishte ar i kulluar. Pra nëpërmjet mospranimit të sugjestionimit, mendja ngel e kthjellët dhe e aftë të shohë realitetin.

Por dobishmëria kryesore e krenarisë shqiptare, biles arsyeja e ekzistencës së saj, (pa rënë fare në retorikë) është se ushqen dashurinë për kombin, për bashkëkombësit, nxit frymën e bashkëpunimit e mirëkuptimit në bashkësi, frymën e sakrificës së përbashkët, të altruizmit brendakombëtar, përfaqëson një shtysë të fortë në rrugën e kohezionit kombëtar, një pengesë të pakapërcyeshme për forcat qendërikëse dhe për ato armiqësore, si dhe forcimin e ndërgjegjes kombëtare, pa të cilën vetë shteti i Shqipërisë nuk do të ekzistonte.

Prandaj  krenaria shqiptare ushqehet që në vogëli, si një ndjesi e pandashme e jetës së shqiptarit, qytetarit të shtetit shqiptar, sepse krenaria e kombësisë është ‘a priori’ përbërës thelbësor i qytetarit të sotëm modern në mbarë botën, qytetarit të përgjegjshëm për fatet e kombit. Kaq e vërtetë është kjo saqë krenaria kombëtare hyjnizohet në çdo shtet të Europës, në Amerikë e në botën mbarë.

Qytetari pa krenari kombëtare (ka kudo, biles plot të tillë), sot në mbarë botën e shtet-kombeve, përbën një problematike për vetë shtetin, sidomos nëse ky i fundit ka probleme të politikës së jashtme, sepse pa krenarinë kombëtare i mungon ajo ndjesi që si rendita lart, e bën pjesë të domosdoshme e të pashkëputshme të bashkësisë. Ky lloj qytetari e braktis kombin dhe shtetin e vet në orën e nevojës dhe një qytetar i tillë për shtet-kombin nuk mund të quhet as i denjë e as model.

Historia e Shqipërisë është një deshmi jo vetëm e ekzistencës së krenarisë kombëtare, por edhe e rolit të saj vendimtar në ngjarjet madhore pozitive. Po kështu të gjitha figurat kombëtare, politike e kulturore, të mbrujtura me frymën kombëtare rrezatojnë krenari shqiptare për të gjithë brezat që kanë qenë, janë e do të vijnë. E çuditshme si i ka shpetuar z. Vehbiu fakti se krenaria shqiptare ushqehet sidomos nga figurat kombëtare, prandaj nuk mund të jetë e përkufizueshme nga një ngjarje e veçantë si i shembullit të tij, mospranimit të Shqipërisë si vend kandidat.

Krenaria shqiptare është pikërisht ajo ndjesi përkatësie që të jep nxitjen, shtysën e duhur për të qenë një qytetar i denjë i Shqipërisë (sikundër çdo lloj krenarie, edhe ajo individuale për punën e bërë, të nxit të punosh më shumë), biles as që mund të konceptohet një qytetar i denjë i Shqipërisë, të cilit i vjen turp për shqiptarinë e vet, sepse qytetari pa krenari e dinjitet kombëtar mund të jete i denjë për ndonjë perandori të së shkuarës, republikë komuniste a republikë islamike, por kurrsesi jo për një shtet-komb si Shqipëria.

Ledjan Prifti

 

 

 

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen