ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Krenarë e të vetëdijshëm për nacionalizmin shqiptar

Le ta themi të vërtetën përsëri, ta themi hapur, pa droje, pa mëdyshje, ta themi si thuhej para komunizmit; Shqipërinë e bënë nacionalistët. Pa përpjekjet madhore të Rilindasve, nuk do të kish Shqipëri, pa përpjekjet madhore të Lëvizjes Kombëtare, do të ishim si kurdët, pa shtet kombëtar, pa dinjitet kombëtar, pa kulturë kombëtare.

Sado të përdoren fjalë si atdhetar e patriot, fryma kombëtare gjen vetveten pikërisht tek të qenit kombëtar, nacionalist. Hijet e fantazmat kozmopolite duan të rëndojnë si gur mbi këtë fjalë fisnike, mbi ndërgjegjet vërtetë kombëtare, që këto ndërgjegje të tuten, të tkurren, të mohojnë natyrën e tyre kombëtare, a thua se të qenit kombëtar përbën ndonjë akuzë historike, a thua se fryma shqiptare përbën ndonjë faj !

Vetë Kadareja i largohet kësaj fjale, për arsye të korrektesës politike që sundon në korridoret e Parisit e për shkak të hijenave mediatike që kutërbojne erë të rëndë antikombëtare, të fshehur, të maskuar tashmë pas kozmopolitizmit, sikur maska, sado e sofistikuar, të ndalonte edhe erën e rëndë. Intelektualët e mëdhenj shqiptarë, që nga rilindasit e deri tek Cabej e Kadare, kanë qenë përshkuar tejpërtej nga fryma kombëtare, tek ajo gjenin burimin e fuqisë, tek ajo gjenin nxitjet, motivet për punën e palodhur.

Sot, kush është krenar e i vetëdijshëm për rolin gjithnjë pozitiv të nacionalizmit në hapësirat shqiptare, duhet ta shprehë hapur, pa droje shqiptarinë aktive të tij. Sepse ky është dallimi i shqiptarisë së nacionalistit, ai ka gjithnjë një shqiptari aktive, të cilën e përdor si burim jetësor në aktivitetet e tij në të mirë të bashkësisë. Nacionalist më së pari do te thotë aktiv; aktiv në shoqërine civile, në politikë, në kulturë dhe të qenit aktiv ia detyron pikërisht shqiptarisë së tij të pasur, të tejmbushur.

Ky është nacionalisti që prodhon, ai i penës, i pushkës, i politikës, i  përkujdesjes për fatet e kombit. Ndërsa kush e përdor nacionalizmin për qëllimet vetjake, nuk ka si të jetë prodhimtar, atij i mungon pikërisht ajo shqiptaria aktive e tejmbushur, ajo që do të japë. Dëshmorët janë aty për të na kujtuar se shqiptaria e tejmbushur do të japë, deri edhe jetën për lirinë, kombin e atdheun.

Ajo nga ç’duhet vërtetë të ketë droje nacionalisti, nuk është lukunia e hijenave ‘kozmopolitike’, por pikërisht pesha e rëndë e traditës kombetare, pesha e rëndë e gjakut të derdhur, pesha e rëndë e intelektualëve, dijetarëve nacionalistë; pyetjet që  duhet t’i shtrojë vetes, nuk kanë lidhje me hijenat mediatike e produktet e tyre, por janë pikërisht:

– A jam i afte të përballoj peshën e rëndë e të qenit nacionalist ? A është shqiptaria ime aq e kultivuar, e pasur, aq e tejmbushur, saqë të më nxisë të jap ? A është egoizmi im i përputhshëm me altruizmin e nacionalizmit, individualizmi im i përputhshëm me idenë sociale të bashkësisë-komb ?

Duhen karaktere të fortë, duhen mprehur më tej karakteret e duhet shtrënguar zemra, sepse rreziqet s’paskan të sosur për këtë komb dhe në Ballkan jemi vetëm, s’kemi miq, kemi vetëm veten tonë, kemi vetëm njerëzit e një race e  një gjuhe ku mund të mbështetemi në orët e zeza. Turqia u rikthye në osmanizem, Greqia mëshon mbi Shqipërine jugore, Maqedonia e Serbia kryejnë vetëm akte armiqësore, Rumania nuk njeh Kosovën.

Jemi në shek 21 e megjithatë retë e zeza po shtohen si në shek 19. Nga regjistrimi ku shumë vllehë të Korçës u vetëdeklaruan grekë, na vjen edhe sinjali se pakicat po hedhin poshtë paktin e miqësisë brenda shtetit shqiptar. 111 vjet më parë, Sami Frashëri në kryeveprën e tij, ”Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, me urtësi të paçmuar na jepte keshillën që të mos u kemi besë disa vllehëve dhe në fakt sot më 2011, vllehët jo vetëm nuk u vetëdeklaruan si të tillë, por u deklaruan grekë, duke hedhur poshtë haptazi traktatin e pashkruar të miqësisë shqiptaro-vllahe, traktat në jetë qysh në kohën e Kristoforidhit.

Po shtohen shenjat e rrezikut të ardhshëm, tashmë është koha për bashkim, për të lënë menjanë përçarjet, hakmarrjet e mëritë, ka ardhur koha për një Besëlidhje të re, për një Besëlidhje KuqeZi; nacionalistët të marrin përsipër përgjegjësitë që u shtron historia, sa pa qenë vonë.

Ledjan Prifti

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen