ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Kozmopolitizmi ‘shqiptar’ ose streha e shqiptarofobisë

Fjalën kozmopolit e përdori për herë të parë në shek 4 p.l.k Diogjeni i Sinopit, i mbiquajtur Ciniku, kur e pyetën për atdheun e tij. Ai mohoi atdheun e vet, duke u përgjigjur se është kozmopolit (qytetar i botës).

Ciceronit i mvishet shprehja se atdheu është kudo ku gjendesh mirë (‘Patria est ubicumque est bene’).

Pavarësisht se në shekujt 18-19, kozmopolitizmi u zbukurua me dashurinë për njerëzimin, biles edhe për dijen, artin e kulturën në përgjithësi, në thelb kozmopoliti është mohuesi i atdheut dhe individualisti që sheh veç mirëqenien vetjake. E thënë me fjalë të tjera, kozmopolitizmi është reaksion ndaj atdhetarisë dhe bashkëpunimit kombëtar.

Përgjatë 20 vjetëve të fundit, ndër shqiptarë u përhap atdhemohimi, të qenit qytetar i botës, demonizimi i nacionalizmit, me pak fjalë të qenit kozmopolit na u shit si virtyt, ndërsa të qenit patriot si ves. Rol kyç ka luajtur sidomos Sorosi, me financimet e vazhdueshme të personazheve publike si Lubonja, Klosi, Misha etj, të cilët kanë kryer një kryqëzatë të egër kundër figurave kombëtare, ndjenjës kombëtare, vlerave e virtyteve shqiptare, me qëllim shpërbërjen e identitetit kombëtar.

Mbështetja e gjerë që kanë gëzuar për shumë kohë e që gëzojnë ende sot, sidomos në disa mjedise elitare ose pothuaj-elitare, ka mundësuar një përplasje nacionalistë vs kozmopolitë, e cila ështe degëzuar edhe në frakturat sociale, sidomos qytetar-katundar, ku kozmopolitizmi na dalka si shenjë qytetarie, progresi, ndërsa nacionalizmi si katundarizëm, folklorizëm. Jo vetëm kaq, por kozmopolitizmi u propogandua, si ‘condicio sine qua non’ (kusht i domosdoshëm) për të hyrë në Europë, pra shqiptare mohoni atdheun, identitetin kombëtar, qenien tuaj shqiptare, përndryshe nuk hyjmë dot në Europë.

Shqiptarofobia e kësaj rryme ka arritur deri aty, sa përpos çirrjeve për braktisjen e të qenit shqiptar, na nxorën historikisht të rehabilituar edhe serbët, grekët, turqit, madje edhe figura tradhetarësh (si Esat pasha).

Hapi tjetër që u ngeli pa ndërmarrë ishte propogandimi i multietnicitetit të shtetit, një atentat i mirëfilltë ndaj themeleve kombëtare të Shqipërisë. Para pak ditëve, një prej këtyre rimohuesve (term i Kadaresë), Lubonja, u vërsul sërisht kundër figurave kombëtare, duke fyer profesionalizmin e historianëve të njohur ndërkombëtarisht si Arben Puto e duke ngritur në katedër, një spekullatore e sharlatane si Clayer, të cilën e quajti shkencëtare e historiane.

Ndërkaq një prej ideatoreve të ‘kombit kosovar’ Nexhmedin Spahiu, tek Panorama, na doli me teorinë që kombi shqiptar është multietnik ?!!! Sipas tij, meqë pakicat nuk janë përndjekur, por përkundrazi respektuar e integruar në shoqërinë shqiptare, atëherë i bie që kombi shqiptar na qenkesh bere multietnik, biles shton edhe se ”Të qenët multietnik për një komb është dëshmi e zhvillimit të atij kombi….”

Përballë produkteve të tilla të perversionit logjik e mendor, nuk di ç’të bësh, të qeshësh apo të çjerrësh faqet. Më e keqja është se një pjesë e mirë e inteligjencës shqiptare, sidomos me bindje të majta, është hedhur pa kushte në prehrin e kozmopolitizmit shqiptarofob, duke ndikuar ndjeshëm në (keq)formësimin e opinionit publik.

Problemi më i thekshëm politik i të qenit kozmopolit në kushtet e Shqipërisë, lidhet me faktin se mohimi i atdheut dhe shtet-kombit, në kushtet kur gjithë bota e ka identifikuar shtet-kombin si ‘polis-i’ ku zhvillohet jeta politike, largon përgjegjësitë reale qytetare, duke aventuruar kozmopolitin në përgjegjësi pa lidhje me realitetin ose krejt dytësore për gjendjen ku gjendet kombi shqiptar. Fakti më kokëfortë që e vërteton këtë pohim është shoqeria civile, e cila duke qenë krejt në duart e tyre, ka falimentuar totalisht në gjithë detyrat e saj dhe aktualisht gjendet në gjumë letargjik (jo rastësisht Aleanca Kuqezi, që është e vetmja organizatë aktive, udhëhiqet nga fryma kombëtare).

Pra, perpos dëmtimit të identitetit kombëtar, kozmopoliti i sotshëm shqiptar ka tharë rrënjët e shoqërisë civile si dhe ka keqdrejtuar  interesat e përbashkëta, kah çështjeve dytësore, jo vetëm jashtë interesit kombëtar, por shpesh edhe jashtë interesit qytetar. Në vend që të shërbente si zbutës i krizës së gjithashme që kaploi Shqipërinë post-komuniste, kozmopoliti nxiti thellimin dhe zgjatjen e krizës. Së bashku me politikën e klaneve, intelektuali kozmopolit mund të mbahet si përgjegjës për mbajtjen peng të Shqipërisë.

Ndërsa kozmopolitizmi fetar ka mbajtur peng të shkuarën e Shqipërisë, ku falë përçarjes fetare ka qenë tepër e vështirë të krijohej një vullnet popullor e shqiptarët të flisnin me një zë të përbashkët, kozmopolitizmi i sotëm shqiptarofob ka zënë rrënjë  e ka hedhur shtat, me qëllim pengimin jetëgjatë të çështjeve te mprehta që duan zgjidhje, si çështja kombëtare, sepse me anë të përçarjes së shqiptarëve në nacionaliste e antinacionaliste, ka për të qenë shumë e vështirë të krijohet një vullnet kombëtar, i cili është i domosdoshëm në çështjen madhore, atje ku përpos konjukturave ndërkombëtare, ndikon në mënyrë vendimtare edhe vullneti kombëtar.

Kozmopolitizmi në kushtet e shqiptarëve është një luks, që kombi s’mund t’ia lejojë dot vetes. Sado të pastërta e të sinqerta të duken në paraqitje dëshirat e qëllimet e kësaj rryme, në praktikë ato përkthehen në mbështetje të jetëgjatësisë së kësaj politike e krizës 20 vjeçare, në shtrembërimin e vizionit për të ardhmen e në mbajtjen e përhershme të shoqërisë civile në stadin eksperimental.

Mendoj se është detyra e patriotëve, atdhetarëve, nacionalistëve, sido të vetëquhen, që jo vetëm të krijojnë një platformë socio-politike mbarëkombëtare, por edhe të marrin përgjegjësise historike të nacionalizmit shqiptar në fushën e edukimit shoqëror, formësimit të opinionit publik, vendosjes së përparësive kulturore e rikthimit të frymës së bashkëpunimit kombëtar. Këtë shtet e krijuan patriotët me pushkë e me penë, i dhanë frymën kombëtare, ashtu si Zoti i dha baltës frymë e krijoi Adamin, u takon atyre ta nxjerrin këtë shtet nga kriza e stërzgjatur post-komuniste. Në këtë këndvështrimin Aleanca KuqeZi mund të shihet edhe si reagim i trupit të drobitur shqiptar, si vullnet metafizik i kombit për tu ringritur në këmbë, për të ripërvetësuar dinjitetin e humbur dhe ringjallur shtetin e katandisur në një kufomë rreth së cilës vërtiten korbat.

Ledian Prifti

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen