ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Kontrata e Administratës publike me Etikën, rasti shqiptar

…nga BLEDAR DIKA

Në përpjekjen për të dhënë një përkufizim, merr rëndësi gnoseologjike (për ta “njohur” Administratën publike) – funksioni – që shprehet si fenomenologji esenciale e brendshme e Administratës. Funksioni i Administratës publike përfitohet duke analizuar dialektikisht ratio-n e saj (administrimin), kështu që jo-administrimi do të evoluonte në administrim në mënyrë që ti jepte racionalitet entit “artificialo-abstrakt” Administratë publike, prandaj funksioni në një sintezë të fundit, mund të evidentohet nga tautologjia “Administrata publike administron publiken”.

Për të vazhduar në trajtimin e temës lind nevoja për një “excursus historik” të evoluimit dhe/ose ndryshimit të modeleve funksionale të Administratës publike, të cilat janë propozuar dhe vazhdojnë të propozohen me qëllimin e identifikimit të një modeli, që të mund të kryejë me efikasitet dhe efiçencë “funksionin”. Në një sintezë ekstreme “exursusin” mund ta paraqesim duke nisur nga fillesa politike e institucioneve administrative, e cila (në Europë) identifikohet me proçesin e krijimit të Shtetit, brenda së cilit merr origjinë modeli burokratik, model që konceptimin e tij më të rëndësishëm e gjen në ideal-tipin Weberian. Modeli Weberian fillon të përhapet e të rrënjëzohet në Evropë, të bëhet si të thuash gjithpërfshirës, por sidoqoftë nga momenti i instalimit e në vijim do të vihen re sintomat e para të një këqfunksionimi. Kjo dobësi mund të paraqitet nga faza rënëse e një parabole, trajektorja e së cilës fillon me afirmimin e Shtetit liberal të së drejtës, vazhdon me zhvillimin dhe solidifikimin e Welfare State dhe vijon me krizën e këtij të fundit. Krizë kjo, nga e cila buron nevoja për reforma administrative, reforma të cilat kanë sjellë në dritë modele si New public management, Public governance, gjithashtu dhe konfigurime (inovative-eksperimentale) post-burokratike.

Në kuadër të realitetit shqiptar (duke marrë parasysh edhe reformat që janë dhe priten të ndërmerren), modeli për të cilin po synohet, po kanalizohet drejt një tendence që të kujton New public management-in. Model ky I cili ka për bazë, trasferimin e disa teknikave të reja me burim korporativ, drejt administratës publike, domethënë përdorimin e instrumenteve dhe teknikave të sektorit privat nga sektori publik.

Në mbarëvajtjen e funksionimit me efikasitet dhe efiçencë të këtij modeli (por gjithashtu të çdo modeli tjetër), do të mund të shërbenin mjaftueshëm, normat juridike disiplinuese të strukturës (institucionit)  dhe të Management-it, por kjo nuk do të mjaftonte për të realizuar efikasitetin dhe efiçencën në rastin shqiptar. Kjo është shumë e lehtë për tu vërtetuar, mjafton të vrojtojmë disa karakteristika anapodiktike të administratës publike shqiptare, siç janë super-korrupsioni, nepotismi, klientelizmi etj të këtij lloji, elemente këto që “s’kanë pyetur e s’ja kanë ditur fare për normat juridike”.

Në funksion të paragrafit të mësipërm, domethënë të pamjaftueshmerisë së “normës juridike”, lind domosdoshmëria e një etike të administratës publike, e cila të mund’ të kalojë pra, limitin e “normës juridike” në minimizimin e atyre karakteristikave (korrupsioni..etj), të lartpërmendura. Vlen për tu theksuar fakti që, kjo etikë mund të ekzistojë vetëm në qoftë se, konceptohet si një sërë normash të cilat, në radhë të parë duhet të brendëzohen ose te vetë-zbulohen nga “Administruesi” qoftë ky politikan ose nëpunës; në radhë të dytë duhet të reflektojnë si në raportet horizontale (me qytetaret ose më mirë me të “jashtmit”), ashtu si dhe në ato vertikale (hiearkike, nga lart posht dhe anasjelltas); në radhë të tretë, këto norma njëherë të identifikuara nuk duhet të pozitivizohen, sepse kështu do të njësoheshin me normat juridike.

Në këtë sens mund të evidentojmë një gabim që është bërë më ligjin nr. 9131, dt 08.09.2003 “Për Rregullat e Etikës në Administratën Publike”, me të cilin ka marrë jetë ajo që kemi lartpërmendur, pozitivizimi i disa normave, le të themi etike. Mjaft thjesht mund të vëmë re, që shumë dispozita të këtij ligji kanë karakter subjektiv, relativ dhe vështirë-interpretimi, dhe zor që politikani dhe nëpunësi të mund të detyrohen nën respektimin e dispozitave. Japim një shembull në nenin 3 titulluar “parime të përgjithshme të etikës” në pikën 1 shkronja ç, citohet; “në kryerjen e funksioneve të tij, nëpunësi i administratës publike duhet të respektojë parimet si […]të jetë i sjellshëm në marrëdhëniet me qytetarët që u shërben, dhë me eprorët, kolegët e vartësit e tij”. Menjëherë vëmë re subjektivitetin e normës, relativizmin e saj. Të jesh i pasjellshëm, si do vërtetohet, nga kush? Le të banalizojmë duke vazhduar me nje rast hipotetik, -nëpunësi që po kryen detyrën ndodh që të jetë një “tip” pesimist dhe për këtë qesh rrallë ose nuk qesh fare, ndodh edhe që të ketë zërin e vrazhdë, me tonalitet të lartë dhe te jetë strabik e s’mundet të shikojë drejt e në sy, duke kryer detyrën e tij ndaj qytetarit ose eprorit, këto të fundit mund të thonë që nëpunësi është i pasjellshëm sepse ai nuk qesh, bërtet e s’të shikon as në sy. Kështu që nëpunësi nuk mund të detyrohet dot nga këto norma, sepse thjesht ai do të shfajësohej dukë thënë, jam strabik, kam zë të lartë etj, dhe kjo mund të jetë e vërtetë, por kujdes (dhe përbën rrezik), mund të jetë dhe jo e vërtetë dmth, që ai është realisht i pasjellshëm, porse mund të shfajësohej duke përdorur relativitetin e theksuar të normës. Kjo për të dëshmuar “kotësinë” e pozitivizimit të këtyre normave.

Duke dalë nga banalizimi, edhe sikur nëpunësi të detyrohej vërtet nga këto dispozita, në rast shkeljeje ai do të penalizohej, sanksionohej nga një interpretim/vendim diskrecional që kalon kufijtë e lejuar, për tu bërë me të vërtetë arbitrar. I penalizuari nga ana e tij, ku mund ta ankimonte vendimin sanksionues? Në një drejtësi hierarkike, e cila mund të interpretonte përsëri arbitrarisht? Apo në gjykatën administrative?!!! Pavlefshmëria e kësaj zgjedhjeje, së fundmi evidentohet gjithashtu nga fakti, që edhe sikur këto norma që pozitivizohen, në një vizion eskatologjik të kenë efikasitet, “funksionin do ta kryenin më mirë kodet deontologjike të profesioneve, pa nevojën e shpërdorimit të “konceptit tonë të etikës”, -pra në një sintezë të fundit shqiptari politikan ose nëpunës “duhet ta ndiejë etikën e jo ti vijë nga lart”.

Duke u kthyer në shtjellimin e “konceptit tonë të etikës”, kjo e fundit duhet veçuar nga morali, i cili mund të operojë në aktivitetin e administratës edhe si irracional, ndërsa etika duhet patjetër të ketë një themel racional. – Tani lind problemi që racionalja dhe irracionalja mund të relativizohen dhe kështu të nderkëmbehen (humb sensi i ndarjes moral/etike dhe ngel vetëm morali) në qoftë se si finalitet merret një “status deontik” (bazuar mbi moralin) i aktivitetit të administratës. Ateherë zgjidhja në funksion të ndarjes(moral/etike) do të ishte, objektivizimi i racionales nëpërmjet një proçesi epistemologjik të aktivitetit të administratës.

Ky proçes gjendet mjaft mirë (duke marrë parasysh dhe modelin në të cilin a.p. shqiptare po drejtohet) në përqasjen privatistike (management-i sektorit privat) të etikës, që në një sinteze ekstreme mund të shprehet mirë nga 2 imperativat kantianë të një “menaxhimi strategjik” ku – a) Të drejtat dhe interesat e të gjithë stakehorder-ve(stakeholder janë të gjitha ato “subjekte” që kanë interesa kundrejt administratës, dhe  gjithë ato subjekte kundrejt të cilave administrata ka interes) duhet të përndiqen, dhe çdo ‘stakeholder’ duhet të marrë pjesë në proçesin e vendimit që ka influencë kundrejt tij. –b) Management-i ka marrëdhënie besueshmërie si kundrejt gjithë stakeholder-ve ashtu edhe kundrejt administratës publike si një “entitet artificialo-abstrakt”, të cilit duhet ti garantojë mbijetesën dhe shëndetin.

Në një konsiderim të fundit, Shqipëria duhet domosdoshmërisht të dalë nga ky keqadministrim kaq i theksuar, që si gangrenë po e konsumon pak e nga pak të “qënit shqiptar”, prandaj “Administrata publike” duhet të jetë e hapur drejt një përqasjeje euristike që do ti vlente etikës. Kështu që qytetari i miradministruar do ta enfatizonte përkatësinë e tij shqiptare.

Për ta mbyllur, kjo etikë (“privatistike”) që konceptimin e saj e maturon në një arenë kozmopolite, – paradoksalisht në administrimin e publikes (përderisa A.P. reflekton totalisht brenda polis-it) mund të jetë instrument, nga e cila mund të derivojë shpluhurosja e karakterit ontologjik të të “qënit shqiptar”, sikundër një karakter ontologjik dhe metafizik, përkatësisht i “të qënit” dhe “qënies” shqiptare, mund të jetë instrument për të brendëzuar më mirë etikën në administratën publike, si nga ana e politikanit shqiptar ashtu edhe nga ana nëpunësit shqiptar.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen