ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Jusuf Buxhovi: Jo ndryshimit të historisë, osmanët si pushtues në Ballkan

TIRANE-Historia e Shqipërisë nuk mund të ndryshojë, Perandoria Osmane ka ardhur si pushtuese në Ballkan, ky është fakt historik që nuk mund të kundërshtohet apo ndryshohet. Historiani dhe shkrimtari kosovar, Jusuf Buxhovi është i prerë në atë që thotë. Debati i nisur së fundmi lidhur me rishikimin e teksteve shkollore të historisë i duket më tepër politik sesa shkencor e sipas tij, është krejt pa sens të mendohet se tekstet duhet të ndryshojnë në esencë. Ai bie dakord me mendimin se tekstet e historisë mund të jenë të ndikuara edhe nga patetizmi, propaganda apo ideologjia dhe se ato duhet të përmirësohen, por se kjo është çështje e historisë dhe historianëve dhe s’mund të lidhet me vendime politike e aq më pak të jetë konsum i politikës ditore. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, ai komenton kërkesën e Turqisë për të rishikuar tekstet dhe elementët më të diskutueshëm të tyre.

Cili është mendimi juaj lidhur me kërkesën e Turqisë për ndryshimin e teksteve të historisë?

Unë kam reaguar menjëherë sapo është shfaqur ministri turk në Prishtinë me atë deklaratë dhe mund t’ju them se reagimi ka qenë mjaft i ashpër ndaj hapjes së temave të tilla. Janë disa arsye që nuk lejohet që probleme të tilla të imponohen nga qarqet politike veçanërisht nga ato të politikës ditore. Aq më tepër nga një shtet siç është Turqia me të cilin pretendojmë që kemi marrëdhënie të mira dhe është në interesin tonë që këto marrëdhënie të zhvillohen më tej. Por, në rastin konkret ministri turk erdhi me ultimatum dhe na ka urdhëruar të ndryshohet historia. Këto janë pikëpamje të papranueshme, janë të një natyre që duhet të refuzohen. Nuk është e vërtetë se duhet ndryshuar historia. Unë kujtoj se sa i përket teksteve të historisë në Shqipëri dhe Kosovë, lidhur me perandorinë osmane ka qëndrime korrekte. Në tekste thuhet se perandoria osmane ka qenë pushtuese dhe në fakt kështu është; perandoria osmane ka qenë pushtuese, ky është fakt. Realitetet historike janë të tjera, por ato nuk mund të imponohen në këtë pikë. Unë them se ka nevojë për ndryshime, por jo për ndryshime që i imponon politika. Historia dhe tekstet tona kanë shumë probleme, të natyrës ideologjike, patetike, etj, por ndryshimet duhet të bëhen nga historianët, ekspertët, duhet të dominojë e vërteta historike dhe të jetë objektive si dhe duhet të largohen ato që e kanë cenuar apo dominuar historinë tonë; ideologjia dhe patetika.

Po a mendoni se ka fjalë që duhen hequr, për shembull a mund të zëvendësohet fjala pushtim me administrim në rastin e Perandorisë Osmane?

Ne duhet të merremi me këto çështje, por kujtoj se përshkrimi ndaj perandorisë osmane ka qenë korrekt, ajo ka qenë pushtuese dhe si e tillë duhet të konsiderohet. Lidhur me termin “pushtues”, nuk besoj që ai mund të kthehet në “administrues”…këto janë fakte historike dhe kjo s’mund të ndryshojë fare. Kemi të bëjmë me procese historike. Nëse lufta e Kosovës është bërë më 28 qershor 1989, ne nuk mund ta ndryshojmë datën sepse dikujt i pëlqen të jetë ditën e enjte apo e diel. Perandoria osmane ka ardhur në Ballkan si pushtuese dhe këtë e di gjithë bota e nuk mund të themi tani për hir të një konjukture politike se ka ardhur si administruese apo ka qëndruar këtu për disa kohë. Nuk dua të hyj në realitetet që janë krijuar se shqiptarët në Perandorinë Osmane kanë pasur rol apo kanë pasur të drejtat e tyre të përfaqësimit dhe ka nga ato ide që thonë se Perandoria Osmane është drejtuar nga shqiptarë, por kjo nuk e ndryshon fare faktin se ata erdhën si pushtues në Ballkan.

Ka historianë e politikanë, që mendojnë se historia duhet ndryshuar…

Unë desha t’u them se politikanët nuk e kanë të drejtën të japin vendime nëse do të ndryshohet apo jo historia. Kjo është çështje e historisë dhe historianëve. Politikanët që bëjnë premtime të tilla janë të papërgjegjshme dhe këtë e them me bindje të plotë, se nuk ka guxuar as ministri i Arsimit në Kosovë dhe as ministrat në Shqipëri ta thonë një gjë të tillë. Kjo nuk është çështje e politikës.

A ju duket se ka diçka politike në këtë mes?

Nëse pala turke është e papërgjegjshme, siç po tregon kohëve të fundit duke shfaqur pretendime të tilla, edhe ajo duhet ta largojë nga politika çështjen dhe t’ua lërë në dorë ekspertëve, historianëve. Mund t’u them edhe Turqia e sotme nuk ka të drejtën morale e as historike që të kërkojë vlerësime për Perandorinë Osmane, Turqia e sotme është shkëputur nga Perandoria Osmane e madje në mënyrën më brutale, nëse mund të themi kështu. Turqia e sotme është fryt i mendësisë europiano-perëndimore dhe nuk ka të bëjë fare me Perandorinë Osmane dhe kjo është çudia më e madhe që vjen një ministër turk e kërkon të drejtat e Kalifatit që nuk ekziston më dhe nuk duhet të ekzistonte as në vetëdijen politike. Po për mendimin tim këtu po luhen lojëra të tjera.

Kërkesa e Turqisë, siç thuhet, ka qenë konform komisionit Europian…

Edhe unë pajtohem që të mos ketë fyerje dhe gjuhë të urrejtjes, por kjo nuk do të thotë se duhet të ndryshohet esenca e çështjes. Nuk mundet që një perandori pushtuese të jetë perandori e dashurisë. Kjo ka të bëjë me esencën e Perandorisë Osmane, si me atë të Perandorisë së Romës, Gjermanisë, etj. Po të shkojmë sipas kësaj logjike, kur serbët e shqiptarët të pajtohen një ditë, atëherë dikush mund të thotë në tekstet e historisë, ju mos e quani Millosheviçin vrasës e gjakatar e të tjera. Por, a ka mundësi të ndodhë kjo?

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen