ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Jo çdo lesh eshte mjeker (Pjesa 2)

hysa-2

Vijon nga: Jo çdo lesh eshte mjeker (Pjesa 1)

Reduktimi i shtetit në OJF sociologjike
Duhet të ndërtoni shtet more zotëri! Problemi është se nuk ndërtoni
dot shtet! Shteti duhet të jetë i informuar, të dijw sa ka “kaq.. e
aq..”, “kështu… e ashtu…”. More zotëri, shqiptarët e ndërrojnë
kombin se nuk kanë krijuar shtet!
Sigurisht shteti modern di dhe është i interesuar të dijë gjithçka
për qytetarët e vet, dhe madje të të tjerëve. Vetë fjala statistikë
vjen nga “state” d.m.th. shtet, të dhënat që krijoheshin dhe
prodhoheshin nga shteti e për arsyet e shtetit. Sot, një ndër problemet
e qytetarëve me shtetin është pikërisht ky kontrollim i qytetarëve nga
shteti dhe ky kthim i shtetit në “Big Brother”.
Sidoqoftë, njeriu që “ka lënë mjekrën duke lexuar”, tani del në
pozitën e specialistit të shtetndërtimit. Dhe, me çka tha aty, del se
shteti ndërtohet nëse bëhet OJF sociologjike, dhe shqiptarët do të
bëjnë atë që nuk kanë mundur të bëjnë deri sot, të krijojnë shtetin
nëse shtetin e bëjnë, e shumta, Institut Sociologjie, dhe këtë duke
krijuar të dhëna sociologjike.
I obsesionuar nga monizmi nocional dhe ideor, nuk mundet të vërejë
askund dallimin, pluralitetin e gjërave të ngjashme por jo të njëjta.
Të dhënat sociologjike dhe faktet sociologjike dallohen në shumë
drejtime nga të dhënat shtetërore, ose si quhen zakonisht, “të dhënat
zyrtare”. Çka i dallon, nuk është aq vërtetësia, mbasi të dy palët mund
të gabojnë, njëlloj, pa dashje ose t’i shtrembërojnë të dhënat me
dashje. Dallohen, ndër të tjera, në mënyrën si krijohen.
Sociologjia i krijon të dhënat përmes sondazheve, anketimeve,
intervistimeve, ose mbledh të dhëna dhe i klasifikon, rendit, vendos në
marrëdhënie, etj., sipas interesit studimor të një hipoteze. Nëpërmjet
tyre konstaton fakte sociologjike. Shteti krijon të dhënat nëpërmjet
dokumenteve zyrtare, shërbimeve informative, spiunazhit tekonologjik
dhe të tjerë, instituteve dhe shoqatave sociologjike kur i duhet të
dhëna të tilla, nëpërmjet shkëmbimit të të dhënave me shtete të tjera,
etj. Shteti, për të dhënat e veta urdhëron të tjerët ta pajisin me të
dhëna, kontrollon saktësinë e të dhënave dhe ndëshkon këdo që i jep të
dhëna të rrejshme, etj. Ndërsa sociologu nuk mundet ta ndëshkojë dikë
pse i jep të dhëna të rrejshme (p.sh. përgjigjet rrejshëm në një
anketim), as nuk ka të drejtën e kontrollit të burimit të
informacionit, p.sh. dokumentacionin e një firme prodhimi, as të
urdhërimit që t’ia dërgojnë informacionin, p.sh. të një banke. Ndërsa
shteti i ka të gjitha këto. Për më tepër, shteti vetë i përdor të
dhënat sociologjike dhe sociologjinë, mundet të porosisë me pagesë ose
të urëdhërojë krijimin e të dhënave sociologjike, kur i duhen të tilla.
Nejse. Lexuesit të gëzohen sepse për këtë nuk e kam ndërmend të jap
listë autorësh, autoritetesh shkencore, etj.
Mirëpo, njeriu që “ka lënë mjekrën duke lexuar”, i obsesionuar nga
monizmi nocional dhe nacional, me “veshët e futur në lesh”, nuk mundet
të dëgjojë zërin ndryshe dhe zërin e dallimit. Prandaj nuk mundet të
shquajë se “formulari i regjistrimit”, si po quhet, është sociologjik
dhe jo shtetëror. Prandaj, nuk shquan paradoksin kur kërkon që
shqiptarët të ndërtojnë shtet dhe shtetin kërkon ta kthej në OJF
sociologjike që punon me mjetet e sociologjisë. Prandaj, një nga
pengesat që kanë shqiptarët për të krijuar shtet janë njerëzit e tipit
që “kanë lënë mjekrën duke lexuar” por “mjekra u ka shkuar për lesh”,
sepse nuk dijnë të lexojnë, dhe sepse lexojnë “me vesh në lesh”,
d.m.th. vetëm çka tanimë u pëlqen, dëgjojnë vetëm zërin e brendshëm, të
vetin, sepse janë mbyllur brenda vetes private pa qenë në gjendje të
ndajhapen ndaj botës.
Formulari me vetdeklarimin e përkatësisë kombëtare e privatizon
kombin, do ta kthejë kombin në çështje të brendshme të ndërgjegjes së
individit me veten, njëlloj si ka vepruar modernia me privatizimin e
besimit fetar dhe ndarjen e fetares nga publikja, politikja,
shtetërorja, p.sh. në të famshmen “Letër për tolerancën” të J. Locke.
Mirëpo, modernia nuk e ka privatizuar kombin dhe kombëtaren.
Përkundrazi modernia e lidhi shtetin me kombin dhe krijoi shtetet
kombëtare që nuk njiheshin më parë si të tilla. Sot pothuaj të gjitha
shtetet janë të një kombi dhe, vetëm më pas, edhe të të gjithë
qytetarëve dhe kulturave të tyre të ndryshme, pothuaj të gjithë janë të
një kulture dhe më pas edhe multikulturave. Me fjalë të tjera, kombësia
nuk është çështje private dhe nuk mund të braktiset në sferën e
privates, ashtu siç po synon të bëjë “formulari”. Me fjalë të tjera:
“’Kombet’ kanë karakter politik. Ata janë grupe politike… ata
karakterizohen nga dëshira e qëndrueshme që grupi të ndërtojë një
shtet… Në një kuptim të rëndësishëm një komb nuk është domsodo i
organizuar në shtet, dhe as nuk është shteti organi politik i
domosdoshëm i kombit. Mendoni për kombin ukrainas, i cili vetëm së
fundmi krijoi një shtet, dhe mendojeni Perandorinë Austro-Hungareze, e
cila përfshinte disa kombe. Mbani parasysh kombin skocez”. (David
Copp). Kombi është politik par excellence, në vetvete, madje po aq dhe
pavarësisht nga vetë shteti. Prandaj kombi nuk mund të privatizohet,
veçse po ta zhbëjë natyrën e vet, dhe atëherë nuk do të ishte më fare
komb.
Formulari, me vetëdeklarimin rrënon qëllimin e vet të shpallur: të
konstatojë identitetin kombëtar të shtetasve. Mirëpo, nëse identiteti
është diçka e barabartë me veten, e pandryshueshme, e qëndrueshme
përgjatë ndryshimit të rrethanave, nuk mund të konstatohet nëpërmjet
një treguesi shumë të ndryshueshëm siç janë ndjenjat subjektive,
humoret e çastit, qoftë “çasti” edhe 10 a 20 vjet. Prapëseprapë i lë
humore, ndryshorë të lehtë nga natyra e vet. Njohja e këtyre humoreve,
ndjenjave, opinioneve dhe besimeve subjektive është me interes për
shtetin, por këtë mund ta marrë si të dhënë vetëm nga sociologjia,
shkencat politike, psikologjia sociale e politike, etj., si fakt
socio-psikologjik, por jo si fakt zyrtar. Nëse shteti është i
interesuar për këtë lloj faktesh e të dhënash statistikore, duhet t’ua
lërë specialistëve shkencorë.
Formulari është një pyetësor i keq sociologjik dhe si i tillë i
papërdorshëm, dhe nuk është fare në natyrën e dokumentit zyrtar. Një
pyetësor i mirëfilltë sociologjik e di se përkatësia kombëtare, si
ndjenjë subjektive, nuk mundet të konstatohet me një pyetje të vetme,
pa pyetje kontrolluese, pa pyetje plotësuese, rrethuese, pa hipotezë
dhe pa asgjë që mban një pyetësor profesional. Ndoshta me këtë më falin
sociologët që më parë thashë se formulari është e shumta një pyetësor
sociologjik. E kisha fjalën vetëm për ta dalluar nga mënyra si i krijon
dhe mbledh të dhënat shteti në dallim nga sociologjia. Por, formulari
në fakt e revolton edhe çdo sociolog profesionist.
More zotëri, po kombësia dhe shtetësia e qytetaria janë e njëjta gjë!
Po me kë flas edhe unë!?
Mirëpo, nëse kombësia dhe shtetësia janë e njëjta gjë, atëherë del
se formulari është duke i pyetur dhe kërkuar shtetasve të vet ta
vetdeklarojnë shtetësinë e tyre. Me këtë, del se edhe shtetësia është
subjektive, private. Në fund, shteti, do ta regjistrojë si dokument të
vetin zyrtar, dhe me vlerë ndërkombëtare, numërin e shtetasve të vet,
sipas vetdeklarimit “të lirë dhe demokratik perëndimor”. Kështu, do të
dijë se sa shtetas ka.
Po more zotëri! Unë kam shkruar edhe një artikull për këtë. Shteti
është i interesuar dhe duhet ta dijë sa banorë ka, sa homoseksualë, sa
të sëmurë, me çfarë sëmundjesh, sa meshkuj e sa femra, çfarë moshe kanë
etj., etj.
Vërtet shtetit i intereson t’i ketë të gjitha këto të dhëna dhe
informacione. Madje i intereson fort.
Veçse shteti nuk i krijon këto të dhëna nëpërmjet anketimit dhe
vetdeklarimit. Shteti nuk i krijon të dhënat e veta për numërin e
popullsisë duke i pyetur secilin se sa veta janë; as të dhënat për
sëmundjet nëpërmjet vetdeklarimit të popullsisë për sëmundjet që
mendojnë subjektivisht se i kanë; as për gjininë duke u kërkuar të
vetdeklarohen nëse janë femra apo meshkuj, hermafroditë apo
homoseksualë, etj.
Shtetit i intereson t’i dijë të gjitha këto, por si dokumentim dhe
të dhëna zyrtare i krijon nëpërmjet instrumenteve të veta për të
dhënat. Kështu, p.sh. për sëmundjet krijon të dhëna duke u kërkuar
spitaleve, publikë e privatë, t’ia japin të dhënat, duke i urdhëruar
t’ia japin të dhënat; duke i kontrolluar nëse raportojnë saktë të
dhënat apo i shtrembërojnë për t’i shpëtuar detyrimit fiskal; duke i
ndëshkuar nëse i japin të dhëna të rrejshme, etj. Kështu edhe për
shumicën e të dhënave të tjera që i duhen. Për çka nuk mund të marrë të
dhëna në këtë mënyrë, porosit dhe paguan OJF, shoqata sociologjike,
etj., t’i krijojnë të dhënat që i interesojnë.
Po ku di ti more!? Shteti ndërtohet kur heq dorë nga të gjitha
mjetet e veta, kur kthehet në OJF sociologjike dhe kur bën një pyetësor
sociologjikisht të keq, të papranueshëm profesionalisht. Ohu, “kam lënë
mjekrën unë duke lexuar për këto gjëra”!
Shteti me kompleks të pazgjidhur edipal
Ndoshta shteti shqiptar duhet t’i hedhë në kosh të gjitha të dhënat
e krijuara prej tij, sepse këto të dhëna i ka krijuar ndryshe, në kohë
dhe regjime të ndryshme. Kështu dukej se po thoshte një dikush, tanimë
jo dikush që ka lënë mjekrën duke lexuar për shtetformimin, por një
pjesëmarrës në ndërtimin e shtetit shqiptar, për aq sa shteti ndërtohet
nëpërmjet ligjeve, një ligjvënës me mbiemrin Dule.
Sipas Dules shteti shqiptar nuk është i besueshëm në të dhënat
zyrtare sepse i ka ndryshuar disa herë: ndryshe në fillim, ndryshe “në
kohën e Zogut”, ndryshe “në kohën e Enevrit”, ndryshe tani, etj. Këtë
problem me të dhënat e shtetit shqiptar, Dule e ilustroi me rastin e
tij personal: gjyshi ka qenë grek në kohën e Zogut, babai u regjistrua
shqiptar në kohën e diktaturës enveriste, nipi (Dule) u regjistrua grek
në kohën e tashme demokratike.
Në të vërtetë duket se rasti ilustron më mirë moszgjidhjen e
“kompleksit edipal”,të urejtjes së birit për babain, të pajtimit
ndërmjet Id-it, Ego-s dhe Super-ego-s në një identitet personal të
integruar në moshë të pjekur. Rasti më shumë duket sikur ilustron sesi
nga kompleksi i pazgjidhur edipal gjyshi regjistrohet grek, nga
urrejtja për babain biri e mohon identitetin me të dhe regjistrohet
shqiptar, nga urrejtja për babain nipi riregjistrohet grek, e kështu
mund të vazhdojë pambarim.
Rasti nuk ilustron aq mirë edhe shtypjen dhe detyrimin për ndërrim
kombësie nga diktatori sepse diktatori kishte vënë nënkryetare të
Kuvendit të Shipërisë një dikë vetëm pse ishte greke, të tjerë kishte
emëruar në poste vetëm pse ishin minoritarë, etj. Kështu, shansi për
karrierë dhe mirëqenie, nëse mund të flitet për mirëqenie në atë
regjim, rritej duke qenë minoritar dhe nuk pakësohej.
Sidoqoftë, nga rasti si ky dalin disa përfundime të shpejta edhe në
lidhje me shtetformimin. Kështu, del se, së pari, ndryshimet e të
dhënave të shtetit shqiptar në kohë e regjimeve të ndryshme qenkan jo
vetëm të legjitimuar, por madje pak, sepse me anëtarë të tillë
skizofrenik, të çarë në subjektivitetin e vet të Id-it, Ego-s dhe
Super-ego-s, është vështirë të krijohen të dhëna të qëndrueshme
identitare. Po nga kjo del se shteti e ka ndjekur mirë këtë dhe e ka
regjsitruar saktë si fakt. Së dyti, del se shtet i mirë nuk mundet me
qenë një shtet edhe vet skizofren, pa identitet të qëndrueshëm, shtet
edipal, si propozon Dule modelin e ndërtimit të shtetit shqiptar. Së
treti, del se duke mos ia lënë këtë çështje vetdeklarimit është e
mundur të provohet lëkundëshmëria e tillë identitare. Rasti “Dule” mund
të dokumentohet si i tillë sepse është i shënuar nëpër dokumentet
zyrtare të shtetiti shqiptar, bashkë me arsyetimet përkatëse, ndërsa
nuk do të mund të vërtetohej nëse do të ishte bërë thjeshtë nëpërmjet
vetdeklarimit.
Pra, dy propozimet për ta ndërtuar shtetin shqiptar, ose e
reduktojnë atë OJF sociologjie, ose në shtet me kompleksin e pazgjidhur
edipal. Hiç faleminderit, sepse shqiptarët nuk kanë arsye t’i pranojnë
asnjërin, meqenësëe asnjëri nuk janë mundësi ndërtimi të shtetit, dhe
meqenëse të dy janë propozime të rrënimit të çfarëdo shteti.
Gjithsesi, dua të mbyllë me një sintagmë kadareane-shekspiriane, se
“të lexuarit me vesh në lesh” është vetëm “helm në vesh” të opinionit,
nga “Opinioni”-sti. Është nje helm që nuk ka asnjë lidhje me rregullat
e arsyes, të intelektit, të kuptimit dhe kategorive të tjera të
modernes, e aq më pak të pasmodernes së sotme europiane e perëndimore.
Është thjeshtë “një helm në vesh” dhe një “mjekër e shkuar për lesh”.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen