ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Jo çdo lesh eshte mjeker (Pjesa 1)

hysa-2

Hysamedin Feraj

Nga një debat analistësh (zbërthyesish) televiziv: Ku di t’i mor?! Me kë flas edhe unë?! Më ka rënë mjekra duke lexuar për këtë çështje, e ti…

Problemi është se dikush mund “ta lërë mjekrën duke lexuar” për diçka, por “mjekra i ka ikur për lesh” nëse nuk di të lexojë. “Leshrat” duhen përzier sipas një parimi dhe të kenë një territor të caktuar që të mund t’i quajmë “mjekër”.

Territori i diskutimit ishte “identiteti”, ndërsa gjeografia e tij – fusha semantike e lulëzuar nga termat “komb”, “shtet”, “qytetar”, “etni” dhe filizave dalë prej tyre: “kombësi”, “shtetësi”, “qytetari”, “etnicitet”.

Pakuptimësi…

Ishte e pritshme që në mungesë të çdo parimi organizues të kuptimit, kur nuk di leximin as të shenjave as të shënjuarës, vetë kuptimi i termave të bëhej lesh, sepse thjesht “mjekra e rënë” nuk mundet me qenë parim organizues i kuptimit (të “mjekrës”) në fushën e dijes.

Problemi është se u bënë lesh jo vetëm e shënjuara, “kombi”, “shteti”, “qytetari” dhe “etnia”, por edhe vetë shënjuesit: konceptet, fjalët, termat, shenjat. Konceptet e marrin kuptimin në marrëdhënien me njëri-tjetrin në fjali, sipas parimeve të ndërtimit dhe përdorimit të koncepteve. Mosnjohja e tyre prodhon fjalitë që janë një lloj i fjalive pa kuptim (nonsens).

Ta shohim pak këtë mendim lesheli: more zotëri, koncepti “komb”, “shtet” dhe “qytetar” janë e njëjta gjë!

Nëse janë e njëjta gjë, janë të tillë në konotacionin, denotacionin, intensitetin, semantikën, semasiologjinë dhe semiotikën e tyre. Shkurt, si thoshin latinët, janë “idem”, “identik”. Nëse janë identikë atëherë nuk munden të krijojnë diferencat e nevojshme në fjali që fjalia të ketë kuptim, veç tautologjisë pa kuptim. Prandaj fjalitë që rridhnin nga ky gabim fillestar identifikimesh mbeteshin nonsens.

More zotëri, “shteti ndërton kombin”, po ku merr vesh ti! Kjo fjali, “shteti ndërton kombin” është pakuptimësia e parë: nëse “shteti” dhe “kombi” janë e njëjta gjë, termat mund të zëvendësohen dhe/ose ndërrojnë vendet, pa i ndërruar kuptimin fjalisë. Pra fjalia është duke thënë: “shteti ndërton shtetin”, ose njëlloj, “kombi ndërton shtetin”. E para është tautologji, pra pakuptimësi; e dyta i ndërron kuptimin fjalisë, madje e kthen në të kundërtën e tezës që mbron dikush që i “ka rënë mjekra duke lexuar” dhe nuk e ka vrarë mendjen për kaq reflektim rreth kuptimit të asaj që flet, dhe as se fjalia bëhet nga fjalë-koncepte-shenja. E njëjta vlen edhe nëse barazimi bëhet i pafund: “komb”, “shtet”, “qytetar” etj., përkatësisht, nëse “kombësi”, “shtetësi”, “qytetari” kanë të njëjtin kuptim. Vetëm se sa më shumë koncepte dhe terma të barazohen në një, në një monizëm konceptual dhe nocional, aq më e paktë është mundësia të ndërtohen fjali me kuptim, aq më shumë e dobëson mendimin, dhe aq më lesheli e bën parimin organizues dhe territorin e ligjërimit. Monizmi nocional, nuk është më pak “i keq” se monizmi nacional.

Gjithë bota e barazon “kombin” me “shtetin”, “kombësinë” me “shtetësinë”, me “qytetarinë”. Po ku merr vesh ti! A nuk i thonë “shtetësisë” amerikanët, anglezët, dokumentet ndërkombëtare, “nationality”; a nuk i thonë shtetësisë, qytetarisë edhe “citizenship”?! Si e ke në pasaportë? Po me kë flas edhe unë!?

Kombi dhe shteti

Vërtet. Amerikanët dhe anglezët i kanë përdorur si sinonime këto fjalë për një kohë të gjatë, e nga përdorimi ndërkombëtar i anglishtes, kjo ngatërresë është bartur edhe në përdorimin ndërkombëtar (International English).

Problemi është se vetë anglezët dhe amerikanët e quajnë gabim këtë barazim dhe përpiqen të kthjellohen. Ndërsa ata që “lënë mjekrën duke lexuar” përpiqen ta marrin këtë ngatërresë e ta ngatërrojnë “mjekrën” që tanimë është e qartë, për ta bërë lesh të ngatërruar sa të mos mund t’i gjendet filli për të “tjerrë” qoftë edhe një fjali me kuptim, për të mos folur për ndonjë mendim me kuptim.

“Një nga shfaqjet më të zakonshme të devijimit terminologjik është përdorimi këmbyeshëm ndërmjet fjalëve shtet dhe komb. Kjo prirje është hutuese, sepse në një nivel të ndërgjegjes shumica e studiuesve janë qartësisht të vetëdijshëm për dallimin jetik të këtyre dy koncepteve. (Walker Konnor në: Ethnic and Racial Studies, ¼, 1978, 379-78). Në SHBA, “fjala (komb – H.F.) shpesh është përdorur këmbyeshëm me ‘shtet’ dhe ‘vend’ (country)”; nëse pyesni njerëzit e zakonshëm se çka është kombi ata do të të tregojnë shtetin – ato njësi që kanë sovranitet politik, që kanë kontroll mbi kufijtë e tyre, që janë në gjendje t’u bashkohen Kombeve të Bashkuara etj. Por ky vështrim është i pakënaqshëm…” (Judith Lichtenberg në: Robert McKim/Jeff McMahan (ed.): The Morality of Nationalism, Oxford University Press 1997, f. 159). Për më tepër: “Shembulli i Shteteve të Bashkuara mbështet pikëpamjen se kombi kuptohet më mirë si kulturë” (po aty, f. 160).

Me fjalë të tyre, sado të kenë lexuar, edhe aq sa t’u ketë rënë mjekra, prapëseprapë, ata që ngatërrojnë dhe barazojnë kombin me shtetin mbeten “njerëz të zakonshëm” dhe me vështrim që është “i pakënaqshëm”. Po ku dinë gjë Konnor dhe Lichtenberg, të cilët janë një copë…, autoritete të sotme në studimin e fushës në fjalë. Madje, Lichtenberg, duke qenë femër, nuk ka pas as mjekër që t’i bjerë duke lexuar.

Mbase duhen autoritete klasike:

Max Weber: “kombi është një bashkësi ndjenjash, të cilat e shfaqin veten si duhet në një shtet të vetin; kështu, kombi është një bashkësi e cila normalisht priret të krijojë shtet të vetin” (Max Weber: Essays in Sociology, ed. H.H. Gerth and C. Wreight-Mills, Routledge&Kegan Paul: London, 1948:179). Po me kë flas edhe unë! Me Max Weber-in, një copë sociolog klasik në sociologjinë moderne. Në studimet anglo-amerikane të kombformimit, nga këndvështrimi i shkencës politike, mbahet si klasik Karl Dojç. Ja çfarë thotë edhe ai që në fillimet e këtyre studimeve: “kombësi është populli që bën presion për të fituar një masë të kontrollit efektiv mbi sjelljen e anëtarëve të tij… Sapo një kombësi e ka shtuar këtë fuqi detyruese të kohezionit dhe të lidhjes së mëhershme me simbolet e grupit, shpesh e konsideron veten komb, dhe kështu është konsideruar prej të tjerëve. Në këtë kuptim njerëzit kanë folur për kombin polak, çek ose irlandez, edhe mbasi këto grupe i kishin humbur shtetet e tyre të mëhershme, ose para se të kishin marrë kontrollin e çfarëdo shteti në përgjithësi” (Karl W. Deutsch: Nationalism and Social Communication, 2nd edn., MIT Press: Cambridge, Mass, 1966:104-5). Por, mbase nuk duhen klasikë sociologjie dhe shkencash politike, sepse të dyja konceptet u përkasin këtyre fushave. E, ndoshta në fushën e vet askush nuk është specialist. Ndoshta specialist është ai që flet jashtë fushës së profesionit, të interesit dhe të specialitetit. P.sh., një gati-shkrimtar kur flet për bujqësinë, ekologjinë, sportin, arkitekturën, seksin, median, për çdo gjë, veç letërsisë ku s’ka çka thotë as me fjalë e as me vepra.

Mbase duhen mendimtarë më të thellë, duhen filozofë.

Gabimisht, por gjerësisht, anglosaksonët e patën barazuar punën e filozofisë me kthjellimin e koncepteve. Rrjedhimisht të filozofisë politike me kthjellimin e koncepteve të filozofisë politike. Ndër to, të koncepteve “shtet” dhe “komb” në marrëdhënien kuptimore ndërmjet tyre.

Ja një: Louis. P. Pojman. “Konsideroni konceptet themelore të shtetit dhe të kombit. Shteti është një shoqatë, e cila përfshin ide të tilla formale si një trupë legjislative me një komponent ekzekutiv dhe gjyqësor. Shteti është autoriteti i fundit, një trupë sovrane, e cila ka e vetme autoritetin përfshirës mbi një territor gjeografik. Nga ana tjetër, një komb është një grup njerëzish, të cilët janë të lidhur së toku përmes burimesh të përbashkëta të kuptimit dhe identitetit, përmes ngjashmërisë etnike, përmes gjuhës, letërsisë, historisë, mitit, fesë dhe elementesh të tjera kulturore” (Global Political Philosophy, McGraw Hill, 2003:2). Ja edhe një anglez: “Duket se më mirë është që shtetin ta shohim si një shoqatë sesa si një bashkësi… Shteti në botën moderne është shtet-komb, d.m.th. një komb i organizuar si shtet. Kombi është bashkësi, një grup me të gjitha kushtet për jetë të përbashkët dhe që u jep jetë sentimenteve të natyrshme të besnikërisë e të identifikimit, por jo të kufizuar në ndonjë tog të posaçëm të qëllimeve… Shteti dhe kombi nuk koincidojnë gjithnjë. Disa kombe janë të ndarë, dhe të shpërndarë ndërmjet më shumë se një shteti; disa shtete përfshijnë më shumë se një komb. Mbretëria e Bashkuar përfshin kryesisht anëtarë të kombit anglez, të kombit skocez dhe të kombit uellsian… Madje edhe në rastin kur shteti dhe kombi kanë të njëjtët kufij territorialë, anëtarësia e të dyve nuk është domosdo identike… Kombi është një bashkësi, shteti është një shoqatë; anëtarësia në komb është çështje ndjenjash, që varen nga përvojat dhe historia e përbashkët, ndërsa anëtarësia në shtet është çështje e statusit ligjor” dhe se “koncepti ligjor mund të quhet edhe qytetari” (D.D. Raphael, Problems of Political Philosophy, Macmillan, 1991, f. 41, 42,43). Ja edhe një tjetër… Jo, më tej redaktori nuk më lejon të vazhdoj, sepse kjo nuk është monografi dhe e mërzit lexuesin.

Mbase filozofët amerikanë dhe anglezë nuk e dinë se në anglisht “komb” dhe “shtet” janë e njëjta gjë. Ndoshta duhen krahasues, anglezë dhe amerikanë… që “kanë parë botë me sy”, duhet dikush që ka parë si përdoret ky koncept “në të gjithë botën”. Dhe kur ndryshojnë, kush e përdor drejt e kush gabim.

Për shkak të interesave amerikane në të gjithë botën dhe për shkak të mjeteve të shumta për përdorim, në studimet shkencore politike krahasuese kanë prirë shkencëtarët amerikanë. Duke dalë në botë, amerikanët konstatuan se janë ata që i përdorin gabim konceptet “shtet” dhe “komb” duke i barazuar dhe jo të tjerët, si shqiptarët, që i dallojnë dhe i përdorin saktë. Prandaj, në çdo kurs hyrës, në çdo botim hyrjeje në shkencën politike krahasuese, në filozofi, kritikën e ideologjive (përfshi idetë nacionaliste), në sociologji, në antropologji etj., ndër gjërat e para që u shpjegojnë studentëve dhe amerikanëve është se: “Po të flasim saktë fjalët komb, shtet dhe komb-shtet nuk janë e njëjta gjë. Koncepti ‘komb’ ka qenë përdorur në antropologji për të shënuar një grup njerëzish, të cilët kanë karakteristika të përbashkëta, ndoshta gjuhë, histori ose kulturë të përbashkët. Nga ana tjetër, një ‘shtet’ është njësi politike, i krijuar nga burrat dhe gratë, bazuar në kufijtë e pranuar dhe të ndryshueshëm nga burrat e gratë. Një ‘komb-shtet’ përfshin rastet në të cilat shteti dhe kombi përputhen…” (Gregory S. Mahler: Comparative Politics, University of Mississippi, 1995:8). Edhe më ngatërruese: fjala shtet “në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zakonisht u referohet shteteve në sistemin federal–Teksasi, Kalifornia e kështu me radhë. Por në politikën e krahasuar shteti u referohet institucioneve kyçe të vendit, të cilat janë përgjegjëse për bërjen, zbatimin, përforcimin dhe përshtatjen e politikave të rëndësishme të atij vendi… Në të folurit e rastit termat shtet dhe qeveri nganjëherë përdoren këmbyeshëm. Mirëpo në krahasimin e politikave qeveria shpesh nuk u referohet…’ etj. (Kesselman/Krieger/W.A. Joseph (ed.): Introduction to Comparative Politics, Houghton Mifflin Company, 2000, f. 6). Po ashtu, Lawrence C. Mayer: “Komb: një grup i madh njerëzish që kanë të përbashkët ndjenjën e përkatësisë, të të qenët një popull. Shtet: njësia ligjore që ushtron fuqi sovrane mbi një territor të caktuar. Shteti mund të jetë identik ose jo me kombin. (Politikat Krahasuese, Ora 2003, f. 10).

Po ku dinë gjë anglezët dhe amerikanët se si përdoren prej tyre konceptet dhe fjalët në anglisht! Shumë prej tyre nuk kanë pasur as mjekër.

Autoriteti i arsyes

Dhe analisti ka të drejtë: të gjithë këta filozofë, sociologë, politologë, të viteve dhe prejardhjeve të ndryshme, të studimeve monografike ose teksteve hyrëse universitare janë autoritete në fushat përkatëse. Por një lexues dhe mendimtar i mirëfilltë modern nuk është i detyruar të bindet nga një mendim vetëm pse e thotë një autoritet. Qoftë ai edhe zoti. Në fund të fundit, edhe për pikëpamjen e kundërt, që i barazon nocionet “komb”, “shtet”, qytetar”, mund të ndërtohet një listë autoritetesh që e bëjnë këtë gjë, duke përfshirë p.sh. një autoritet të sociologjisë bashkëkohore angleze si Anthony Gidens. Prandaj lexuesi i mirëfilltë modern i bindet vetëm një autoriteti: parimeve dhe rregullave të arsyes. Modernia e ka nxjerrë para gjyqit të arsyes edhe vetë zotin. Dhe e pamë që në fillim se për sa i takon kuptimit nga arsyeja, ky barazim prodhon vetëm pakuptimësi dhe tautologji. Me fjalë të tjera është e kundërta e arsyes. Prandaj, p.sh. Gidens mundet me qenë autoritet në sociologji në përgjithësi, por nuk bind askënd në barazimin e kombit me shtetin, sepse nuk ka zgjidhur problemet konceptuale sipas rregullave të arsyes, dhe tipike për filozofinë anglosaksone, problemin e këmbimit të vendeve në fjali, të zëvendësimit, të tranzitivitetit, të kuptimit etj. Por, as zërin e autoriteteve në këto fusha dhe as zërin e arsyes nuk mundet ta dëgjojë dikush që “i ka futur veshët në lesh”.

Lexuesi modern, i obsesionuar nga objektiviteti i arsyes, së paku për hir të këtij objektiviteti, pranon se ka edhe mendim tjetër, se prandaj nuk është aq i sigurt sa të shpërthejë me sigurinë e njeriut që ka “lënë mjekrën duke lexuar”, por ka dëgjuar vetëm një zë, sepse lexon duke “futur veshët në lesh”. Leximi “me vesh në lesh”, me veshë të mbyllur për të dëgjuar çka nuk pëlqen, është një mënyrë “mos me ditë me lexu” modernisht, me lexu me ndjenjë në vend se me arsye, një mënyrë tjetër për të mos lexuar sipas kërkesave të arsyes kritike.

Ndoshta dikujt i ka “rënë mjekra” duke lexuar mendimin “postmodern”, i cili e ka shfronësuar arsyen nga froni i gjykatësit suprem. Por, atëherë, aq më pak mundet të flasë kundër ndjenjave nacionale e nacionaliste, estetikës së këtyre ndjenjave dhe politikave. Aq më pak mund të flasë kundër vullnetit të shpallur thjesht si vullnet, ku argumentet e arsyes që sjell dikush që “ka lënë mjekrën duke lexuar” janë vetëm një zë krahas të tjerëve.

Shkurt, nuk gjendet ndonjë kënd vështrim perëndimor, sipas të cilit del se nëse “e ka lënë mjekrën duke lexuar”, mjekra nuk “i ka shkuar për lesh”.

Marre nga gazeta-shqip 2011-03-27

NJË KOMENT

arrow

[…] Vijon nga: Jo çdo lesh eshte mjeker (Pjesa 1) […]

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen