ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Jo “Varreza Monumentale Çame” në Kllogjer, por në Çamëri

Nga Gëzim ZILJA Ti pse klan moj Çamëri? Ç’të mos klaj moj Shqipëri Gjithë huduti i Çamërisë I mbeti resto Greqisë Para disa ditësh PDIU-ja dhe shoqata “Çamëria” me anë të kryetarëve të tyre na bën të ditur se në Kllogjer, një fshat në kufi me Greqinë do të ngrihet një “Varrezë Monumentale” për nder të viktimave të shkaktuara prej genocidit grek mbi popullsinë e pambrojtur çame. Për këtë u hap dhe një konkurs në ambjentet e Muzeut Historik ku artistë nga të gjitha trevat shqiptare mund të paraqesin punimet e tyre. Duket një nismë për tu përshëndetur por po të lexosh historinë dhe masakrat e grekëve mbi popullsinë çame të paktën qysh nga viti 1913, do të kuptojmë se ngritja e “Varrezës Monumentale” në tokën shqiptare nuk ka kuptim dhe nuk i shërben qëllimit për të cilën do të ngrihet. Nëse do të ishte fjala për ndonjë “Përmendore Qëndrese” a “Përmendore Kujtese” do të ndryshonte puna por “Varrezë Monumentale” kur të varrosurit janë matanë kufirit nuk shkon. Le të arsyetojmë hap pas hapi.Qysh me caktimin e kufijve në vitin 1913, ku Çamëria iu fal Greqisë, politika e kësaj të fundit u orientua drejt shpërnguljes me forcë dhe shfarosjes fizike të banorëve autoktonë të asaj treve. Çamët e pasqyruan bukur këtë fatkeqësi në këngën që fillon me vargjet: Këta kralat evropianë/ Në male përmbi Sojadhë/ Vunë një nishan të bardhë/ Për të ndezur shamatanë. Qarqet reaksionare greke nuk humbën aspak kohë për të vënë në jetë planin e tyre kriminal. Më 23 shkurt të vitit 1913, banda greke nën komandën e kapitenit famëkeq Deli Janaqi, e përkrahur nga autoritet greke masakroi jo pak, por plot 72 burra nga më të shquarit e Çamërisë, në Paramithi, në vendin e quajtur Përroi i Selamit. Ndoshta edhe sot vendi skuq nga gjaku i martirëve çam të ekzekutuar me plumb, e therur me hanxharë nga banditët grekë. Ky ishte fillimi i një masakre që do të përfundonte me dëbimin e çamëve nga tokat e tyre. Ndjekjet e persekutimet kundër popullatës çame vazhduan duke u sekuestruar pasuritë e shpronësuar tokat, mbi 6000ha tokë në Dushk, Gumenicë, Kardhiq, Karbunar etj., e duke i degdisur me forcë në Azinë e Vogël. Masakrat greke mbi popullsinë çame do të arrinin kulmin në vitet 1944-1945. Më 27 qershor të vitit 1944, regjimenti i XIV-të i divizionit të X-të të EOEA-së nën komandën e Kranjës dhe kriminelëve të tjerë me uniformë: Stugari, Stavropullosi, Ballumi e Pantazio hynë në qytetin e Paramithisë. Këtë herë jo si më 1913, numri i të masakruarve, burra, gra e fëmijë do të kalonte të 600-ët (gjashtëqind). Masakrat greke vazhduan me të tjerë kriminelë me uniformë në 28 korrik në Pargë, më 23 shtator në mesnatë në Filat e Spatar etj. Masakra nuk u ndal. Burrat, gratë e fëmijët thereshin si bagëtia. Të lemerisur nga ajo batërdi ata që shpëtuan u drejtuan në anën tjetër të kufirit në Shqipëri, ku për ta filloi një odise tjetër. Duke iu referuar “Memorandumit të Komitetit Antifashist të Emigrantëve Çamë”, të firmosur nga Taho Sejko, Kasëm Demi, Rexhep Çami, Tahir Demi, Dervish Dojaka, e Hilmi Seiti, dërguar në fund të nëntorit 1947, zëvendëssekretarit të Jashtëm të Ballkanit McNeil, që po vizitonte Greqinë, numri i të vrarëve gjatë viteve 44-45 është 2877, Filati 1286, Gumenica 192, Paramithia 673, Margëllëçi 106 dhe Parga 620.Atëherë përse duhet të ngrihet një “Varrezë Monumentale” për nder të viktimave të shkaktuara nga genocidi grek në tokën shqiptare? Ç’kuptim ka kjo? Unë mendoj të ngrihet në Paramithi se atje filloi politika shfarosëse, se atje u vranë 72 burrat e djemtë e parë, në vendin që quhet Përroi i Selamit. Por po u ngri në Filat a në Pargë mirë do të jetë se edhe atje janë varret e atyre që u vranë se ishin çamë dhe donin vatanin e tyre. Çamëria është një tokë e larë në çdo metër katror me gjakun e njerëzve të pafajshëm dhe atyre që luftuan për të mbrojtur tokat e tyre, vendin ku ishin lindur e rritur, e që gjyshërit e stërgjyshërit ua kishin lënë amanet.Arsyeja e dytë nuk është e fortë sa e para por ama nuk mund të rri pa e thënë. Në luftën italo-greke mjaft ushtarë e oficerë grekë pasi kaluan kufirin u vranë në tokën shqiptare. Qeveria greke në mënyrë të drejtë dhe të tërthortë, me presione diplomatike ose jo, i ka detyruar qeveritë shqiptare të lejojnë ngritjen e varrezave monumentale, pikërisht atje ku janë vrarë ose janë zhvilluar luftime shpesh edhe duke e ekzagjeruar problemin. Të tilla sot kemi disa në tokën tonë të pakët. Po atëherë zotërinj të PDIU-së dhe të shoqatës “Çamëria”, nismëtarë të ngritjes së “Varrezave Monumentale Çame” përse kërkoni ta ngrini këtë varrezë monumentale në Shqipëri, në Qafë Botë apo Kllogjer, kur gjaku i burrave, grave e fëmijëve çam i derdhur rrëke për hesap të Çamërisë ka skuqur fushat, luginat, përrenjtë e ullishtat e Paramithisë, Filatit, Galbaqit, Gumenicës, Karbunarit, Dushkut, Kardhiqit, Margëlliçit, Pargës, Spatarit, Granicës, Picarit, Varfanjit, Volës e Arpicës? Është një e drejtë legjitime e atyre burrave, grave e fëmijëve që u masakruan nga xhelatët e Megal-Idesë. Nuk po flasim për marrje e zaptime territoresh as për kthim pronash. Po flasim për varret e atyre që u vranë, e u poshtëruan në prag të shtëpive, me bukë në golë e fëmilë në krah. Më çudit fakti që krerët e PDIU-së dhe shoqatës “Çamëria “as e ngrenë këtë si problem. Madje kryetari i shoqatës thotë gjithë krenari se: “kanë një copë tokë në Kllogjer pronë të tyre”, dmth, të shoqatës. Nuk ka kuptim të bëhet një përmendore kur varret janë matanë. Çamët e mençur e dinë mirë se ku duhet ngritur kjo lloj varreze qoftë dhe jo monumentale, por ma do mendja se si zakonisht, vendimet i marrin krerët e pastaj ia bëjnë me dije popullit

Sot

2 KOMENTE

erjon

06/12/2011

arrow

po ne na qelbet peshku nga koka c’te bej populli

Perparim Buçaj

07/12/2011

arrow

Ngritja e ketij monumenti ne rradhe te pare eshte shume i vonuar. Eshte me e pakta qe organizatat atdhetare por pse jo edhe qeveria qe te ngrejne nje monument per nder te atij genocidi, njerit prej me te medhenjve qe ka njohur kombi yne i sakatuar.
Eshte koha per “revolucionin” e madh kombetar.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen