ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Ja ndryshimet ligjore që kërkon Aleanca

regjistrimi

“Çfarë është “Aleanca Kuq e Zi” dhe çdo të ndodhë nëse s’na merren parasysh kërkesat”

Të gjithë ndjehemi dhe jemi Kreshnik. Nisma e numrit dy të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të ndaluar falsifikimet e kombësisë ka gjetur një përkrahje të gjerë si nga politika, por edhe nga aktorë jashtë saj. Ndoshta ky është edhe ndër rastet e rralla që shqiptarët bashkohen tej ndasive politike. Atë që nuk e bëri askush, Kreshnik Spahiu me intelektualë të tjerë e realizoi, bashkoi të gjithë të majtë dhe të djathtë nën sloganin “Aleanca Kuq e Zi”. Por në të vërtetë çfarë është kjo lëvizje? A është vetëm një lëvizje atdhetare apo shkon më tej se kaq. Çfarë kërkojnë pjesëmarrësit e Aleancës? Endri Shabani, jurist, pedagog në Fakultetin e Drejtësisë pranë Universitetit të Tiranës dhe njëherazi një ndër aktorët kryesorë të shoqërisë civile në Shqipëri gjendet më shumë se pranë kësaj lëvizje. Në një intervistë për “Telegraf” Endri Shabani sqaron të gjitha hapat e mëtejshme të Aleancës Kuq e Zi.

Ka kohë që një lëvizje e gjerë nën sloganin Aleanca Kuq e Zi ka marre jetë. Pse u krijuar kjo  lëvizje dhe cili është qëllimi i vërtetë i këtij grupimi të gjerë?

Aleanca Kuqezi është krijuar për të mbrojtur identitetin kombëtar, dinjitetin njerëzor dhe shtetin ligjor në Shqipëri. Ky grupim i shoqërisë civile u krijua për të ndalur falsifikimin masiv që po bëhet me kombësinë dhe për të ndryshuar ligjet, të cilat në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe me parimet ndërkombëtare favorizojnë jo vetëm falsifikimin e kombësisë, por krijojnë shteg për probleme tepër serioze në të ardhmen.

Duke qenë se e ardhmja jonë do të jetë evropiane, sa me vend e shihni ju patriotizmin kombëtar?

Në kushtet kur thuajse i gjithë populli shqiptar aspiron të bëhet pjesë e familjes evropiane, vërej se ka një farë droje për të shfaqur dashurinë për vendin tënd. Ajo që ne duhet të kuptojmë është se nuk do të mund të bëhemi kurrë qytetarë të barabartë të Bashkimit Evropian nëse në radhë të parë nuk mësojmë të respektojmë identitetin tonë dhe të duam vendin tonë. As Bashkimi Evropian nuk e kërkon këtë.

E gjithë lëvizja juaj është perceptuar në publik thjesht si një lëvizje atdhetare. Përveç notave patriotike, nga ana ligjore ku qëndron problemi kryesor?

Lëvizja jonë është padyshim atdhetare, pasi nuk mund të kërkosh të përmirësosh vendin tënd pa e dashur më parë atë. Por kjo nuk mbaron këtu. Ne kërkojmë që të mbrojmë shtetin ligjor në Shqipëri dhe respektimin e Kushtetutës. Aktualisht ligji i gjendjes civile është në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese. Nga ana tjetër Aleanca Kuqezi kërkon ndryshimin e ligjit për regjistrimin e popullsisë dhe banesave (REPOBA). Ky ligj që në Nenin 1 të tij shprehet se qëllimi i regjistrimit të popullsisë është të përditësojë me të rejat më të fundit regjistrat e gjendjes civile. Pra ky proces nuk na qenka vetëm statistikor por paska për synim të ndryshojë regjistrat e gjendjes civile. E thënë me pak fjalë; nëse një qytetar deklaron një emër, moshë apo kombësi tjetër nga ajo që ka në pasaportë, merret për bazë deklarimi i tij dhe jo pasaporta. Më thoni ju a mund të ndodhë kjo në një shtet ligjor? E pra, ne kërkojmë që në këtë ligj t’i jepet përparësi regjistrit të gjendjes civile dhe të dhënat e formularit të regjistrimit të shërbejnë vetëm si të dhëna statistikore.

Ku e gjeni ju legjitimimin për të kundërshtuar ligjet, të cilat i ka aprovuar organi më i lartë ligjvënës në Shqipëri, Parlamenti?

Ne jemi qytetarë të këtij shteti dhe e drejta jonë buron nga Kushtetuta, e cila në nenin 81 të  saj thotë  se iniciativën ligjore e kanë edhe 20 000 zgjedhës. Për këtë arsye ne i jemi drejtuar qytetarëve me të drejtë vote që të nënshkruajnë këtë nismë ligjore në mënyrë që të ndryshojmë ligjin aktual mbi regjistrimin e popullsisë.

Z. Spahiu ka deklaruar se ka patur presione për të mbyllur zërin e kësaj lëvizjeje. Sa nën presion ndiheni ju në aksionin që keni ndërmarrë?

Ajo ka qenë një keqinterpretim i medias. Në fakt z.Spahiu, në aktivitetin e organizuar në amfiteatrin e Durrësit u shpreh se pavarësisht situatës së rënduar politike lëvizja duhet të vazhdojë. Në lidhje me presionin që kemi ndjerë ne si pjesëmarrës në këtë aleancë, mund të them se nuk ka munguar. Megjithatë ne nuk do të ndalemi në nismën tonë deri në përmbushje të qëllimit për të cilin e kemi krijuar këtë aleancës.

Në rast se në shtator do të shkohet po me të njëjtin formular regjistrimi, cilat do të jenë hapat që do të ndërmerrni ju si “Aleanca Kuq e Zi”?

Ne do të dorëzojmë në Parlamentin Shqiptar propozimin për ndryshimet që duhen bërë në ligjin mbi regjistrimin e popullsisë. Kjo është një nismë ligjore e mbështetur nga dhjetëra mijëra qytetarë të këtij vendi, prandaj nuk besoj se, deputetët tanë do të zgjedhin të veprojnë në kundërshtim me vullnetin e popullit që i ka zgjedhur. Por nëse kjo ndodh ne, do të jemi sërish këtu për ta çuar këtë çështje deri në fund.

Profesor Eshref Ymeri i dërgon letër nga USA përmes “Telegraf”, Kreshnik Spahiut: Jam me shpirt e zemër tek ju

Mirënjohje të thellë për ju, zoti Kreshnik

I nderuar zoti Kreshnik,

Meqenëse nuk e kam adresën tuaj elektronike, përmes faqeve të internetit, dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht për betejën që po përballoni për hedhjen poshtë të ligjit famëkeq 1029, të cilin deputetët tradhtarë të parlamentit shqiptar e aprovuan që në vitin 2003. Asokohe kryeministër i vendit ishte Fatos Nano. Pra, dy vjet para se të largohej nga skena politike, ai, me deputetët e tij, në bashkëpunim me deputetët e PD-së, kreu një akt tradhtie të lartë, duke kaluar në Parlament ligjin në fjalë, të parapërgatitur në zyrën e Kryeministrit grek, me frymëzimin e kamillafit të kishës shoviniste greke. Ai ligj me siguri që është përgatitur edhe me nxitjen e Bashkimit Evropian, i cili Shqipërinë ia ka lënë nën kujdestari shovinizmit grekomadh dhe kishës shoviniste greke, me qëllim që kjo të shndërrohet në një vend multietnik, pa një fizionomi kombëtare. Jam i bindur se beteja që ju keni marrë përsipër, bashkë me prof. Pullumb Xhufin, zotin Nuri Dragoj dhe të tjerë, do të hyjë në historinë e kombit shqiptar si një faqe e ndritur në përpjekjet e tij shekullore për mbrojtjen e identitetit kombëtar. Këtë ligj të poshtër, antikombëtar, Partia Demokratike u mundua ta kalonte në Parlament që në vitin 1993. Por asokohe në Parlament ishte deputet një nacionalist i shquar i kombit shqiptar, zoti Abdi Baleta, i cili, duke pasur edhe përkrahjen nga ndonjë deputet i majtë, arriti të mos lejonte kalimin e atij ligji antikombëtar. Deputetët e Parlamentit të vitit 2003 dhe deputetët e parlamentit të sotëm, nuk kanë asnjë dallim nga deputetët tradhtarë të Parlamentit shqiptar të kohës së fashizmit, të cilët, fill pas pushtimit të vendit tonë nga Italia fashiste, u ngritën e shkuan në Romë, për t’i çuar si peshqesh Viktor Emanuelit kurorën e Skënderbeut. Me aprovimin e ligjit 1029, deputetët tradhtarë të parlamentit shqiptar, në vitin 2003, shovinizmit grekomadh dhe kishës shoviniste greke i çuan si dhuratë identitetin tonë kombëtar, duke e pajisur shovinizmin në fjalë dhe kishën shoviniste në fjalë me licencën për krijimin e një bashkësie multietnike në mbarë trojet tona etnike, pa fizionomi dhe pa formatim kombëtar. Ky ka qenë synimi i kahershëm i Evropës, që prej Kongresit të Berlinit të vitit 1878, Konferencës së Londrës të vitit 1913, Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915, Konferencës së Paqes në Paris të vitit 1919 dhe deri tani. Bashkimi evropian ka qenë në dijeni me kohë për hambarët e parave që ka harxhuar dhe vazhdon të harxhojë shovinizmi grekomadh dhe kisha shoviniste greke për pensione shqiptarësh që s’kanë punuar asnjë ditë në Greqi, për blerje eshtrash shqiptarësh për ngritjen e varrezave, manastireve dhe memorialëve për ushtarët agresorë grekë, për blerjen e shqiptarëve pa identitet kombëtar, me qëllim që të shndërrohen në grekë, vetëm e vetëm për të marrë 200-300 euro të qelbura greke dhe kësisoj të shumëfishohet artificialisht numri i minoritetit grek në Shqipëri, Pra, Bashkimi evropian e ka ditur shumë mire se ku i ka harxhuar dhe vazhdon t’i harxhojë shovinizmi grekomadh dhe kisha shoviniste greke paratë e taksapaguesve evropianë. Në këto kushte, unë ju bëj thirrje juve, zoti Kreshnik, dhe, përmes jush, gjithë përkrahësve nacionalistë të betejës së fuqishme që po përballoni për mbrojtjen e identitetit tonë kombëtar, që, pas  përfundimit me sukses të nismës për hedhjen poshtë një herë e mirë të ligjit famëkeq 1029, Lëvizja Juaj të shndërrohet në një formacion politik, ashtu si edhe Lëvizja “Vetëvendosja”, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të paraqitet si subjekt zgjedhor më vete. Siç jeni në dijeni, zoti Kreshnik, parlamenti shqiptar i ditëve tona, nuk ka në ndenjëset e veta kurrfarë krahu nacionalist. Në çdo parlament të botës është i pranishëm krahu nacionalist. Vetëm parlamenti shqiptar përbëhet prej deputetësh pa identitet kombëtar, të cilët tërhiqen zvarrë para shovinizmit grekomadh dhe kishës shoviniste greke. Prandaj edhe me ligjin 1029 kërkojnë të na zhbëjnë identitetin kombëtar, duke na shndërruar në argatë të të huajve në trojet tona etnike.

Ju uroj suksese në aksionin tuaj me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare.

Me shpirt dhe me zemër jam me ju.

Prof.Eshref Ymeri

Nga  Santa Barbara, Kaliforni

14 prill 2011

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen