ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Interesi kombëtar si përcaktor i suksesit të Aleancës KuqeZi

Mes interesave shtetërorë, interesi kombëtar paraqet interesin suprem prej të paktën 2 shekujsh, kur kombësia rithemeloi e ripërkufizoi konceptin e shtetit. Nga pikëpamja historike, ky koncept ka prejardhjen (shpesh njehsohet) nga interesi shtetëror ose më mirë nga arsyeja shtetërore (raison d’Etat, ragione di stato), e cila që prej kohës së kardinalit Rishelje (gjysma e parë e shek. XVII) ka mbizotëruar ne skenat e skenaret politike të Europës e më gjerë, aq sa Luigji XIV i Francës, për të vendosur parësinë e interesit të mbretit nxori frazën e famshme ‘shteti jam unë’ (L’état, c’est moi), kështu interesi i shtetit do të ishte vetë interesi i mbretit.

Në Shqipëri, koncepti i interesit kombëtar ka qenë përherë i dobët e i mjegullt, për vetë faktin se përgjatë historisë 100 vjeçare të shtetit, çdokush që ka marrë pushtetin ka bërë të vetën shprehjen e Luigjit XIV, pra shteti ka qenë Zogu, Hoxha, Berisha etj. Interesat vetjake të kryepushtetarëve janë trajtuar si me qenë vete interesi suprem i shtetit. Kështu kombi dhe vetë interesi i tij, kanë qenë thjesht në shërbim të interesave të kryepushtetarëve, duke mos krijuar atë respektin e domosdoshëm për konceptin, sikundër ndodh në shtete të tjera. Një koncept tjeter po aq jetik e po aq i dobët e i mjegullt është ai i Kushtetutës, që përndryshe në vende të tjera shërben pothuaj si fjalë fetare, si me thënë Bibël apo Kuran për besimtarin.

Ndërsa në shumë vende interesi kombëtar është i barazvlefshëm me interesin shtetëror,  psh në Francë, Amerikë, Poloni etj vende si Shqipëria, janë të detyruara të dallojnë në praktikë mes interesit të kombit dhe interesit të nënshtetasve, sepse tërësia e shqiptarëve si komb nuk përputhet me tërësinë e shqiptarëve si nënshtetas të Shqipërisë. Kështu ‘national interest’ do të përkthehej në shqip si interesi kombëtar, por edhe arsyeja shtetërore e interesi shtetëror (meqë national ka edhe kuptimin ‘shtetëror’). Mirëpo në rrethanat kur gjysma e kombit shqiptar gjendet jashtë kufijve të Shqipërisë, koncepti i interesit kombëtar për shqiptarët ka kuptim të papërkufizuar mirë.

Perpos problemit midis interesit të kombit dhe atij të kryepushtetarit (i cili në Shqipëri ka zëvendësuar përherë sovranin e vërtetë qe duhet të jetë kombi), në këto 20 vjet gjendja është përkeqësuar nga përpjekjet e kozmopolitëve , të cilët duan ta zbehin deri në zhdukje konceptin e interesit kombëtar, ashtu sikundër çdo koncept që lidhet me kombin (shtet-komb, trashëgimi kombëtare, identitet kombëtar etj) e për fat të keq jo vetëm nëpër media, por edhe në çdo mjedis, politik e diplomatik, ku kanë depërtuar.

Kështu, koncepti dhe praktika që përbën fjalëkyçin e vetë shtetit, tek ne gjendet i zbehtë dhe i dëbuar jo vetëm prej opinionit publik, por edhe prej politikës e diplomacisë. Rastet e Paktit Detar apo të Censusit, janë domethënëse në këtë drejtim, pasi do të mjaftonte veç peshimi në cënojnë apo jo interesin kombëtar për të gjykuar vlefshmërinë e tyre. Po njësoj edhe në lidhje me qëndrimet ndaj Serbisë dhe Maqedonisë, njësia matëse e marrëdhënieve duhet të ishte pikërisht interesi kombëtar, ku padyshim përpos kuptimit të tij si arsyeja shtetërore e Republikës së Shqipërisë, do të kishte peshën e vet edhe fakti që në Maqedoni e Kosovë ka bashkëkombas, të cilëve me Kushtetutë, Shqipëria u ka marrë përsipër mbrojtjen e të drejtave.

Në këto kushte, dalja në skenë dhe fuqizimi i vazhdueshëm i Aleancës KuqeZi, duhet konsideruar edhe si një ndërgjegjësim i shqiptarëve për nevojën e konceptit dhe praktikës së interesit kombëtar. Më në fund shqiptarët nuk e shohin shtetin e Shqipërisë vetëm mbi bazën e interesit vetjak, fisnor, klanor, partiak e krahinor, por edhe sidomos mbi bazën e interesit kombëtar, si interesi suprem i shtetit dhe esenca e vetë nënshtetësisë e kombësisë së tyre.

Pra me Aleancën KuqeZi, një pjesë e shqiptarëve , të vetëdijësuar për nevojën e ‘kombëtarizimit’ të shtetit, dalin si pararoja e modernizimit real të tij, si pjesëtarë të një çasti pothuaj revolucionar , ku ndodh shkëputja nga mendësia feudale e shtetit si pronë e kryepushtetarit dhe familjes e klanit të tij, për të arritur tek modernia, ku shteti i takon vërtet kombit, ku kombi është sovrani dhe ku interesi suprem i shtetit është interesi kombëtar.

Ledjan Prifti

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen