ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

HISTORIA DE UN AMOR

Nga Bledar Dika.

Historia përfshin ngjarjet si produkte të një kohe dhe një hapësire të përcaktuar. Nga ky përkufizim i thjeshtë deduktojmë që historia është një sintezë e derivuar nga vlerësimi ‘a posteriori’ i produkteve të lartëpërmenduara. Historia është mbi të gjitha një vlerësim, një gjykim dhe jo vetëm një konstatim, kështu psh. në kujtesën antike nuk mjaftohemi të themi që Kartagjena u dogj, por shtjellohemi, se nga cili u dogj, si u dogj, sa u dogj, kur u dogj dhe pse u dogj.
-Në këtë sens ndërtohet e zhvillohet dhe teoria mbi një ngjarje të përcaktuar historike. Për solidifikimin e historisë faktet janë të rëndësishme, por vetëm në një masë të përcaktuar ose më mirë në një pozicion praparendës, dmth. faktet historike duhet të jenë në bazë të teorisë duke ofruar prova empirike rreth vlefshmërisë së saj. Gjithsesi kjo nuk do të mjaftonte për të na dhënë mendjemadhësisht të vertetën.
Për të vazhduar në këtë drejtim duhet prekur përciptas koncepti hegelian i “qartësisë ndjesore”. –ashtu si shqisat tona na japim nivelin bazë të përceptimit të realitetit, ashtu edhe faktet historike na japin ‘spunto’ domethënëse rreth ekzistencës së një populli dhe elementëve të tij. Sidoqoftë, në asnjë mënyrë këto fakte mund të jenë të plotfuqishme apo të pakontestueshme. Në eksperiencën e njërës prej shqisave tona, sic është shikimi, shpeshherë zbulojmë që gjithsesi perceptimet shqisore na gënjejnë rreth së vërtetës, psh. siç ndodh me mirazhin gjatë një ekspozimi të përzgjatur nën nxehtësi.
Pra, teoria duhet zhvilluar nga një proces deduktiv reflektimi, inspirimi e arsyetimi, dhe jo nga një proces induktiv, e pastaj të pasurohet dhe justifikohet me faktet historike. Teoria mund të nisë nga intuita që ekzistojnë disa faktorë të kahershëm të një populli, të cilat pararendin antitezën e joekzistencës, si psh. në rastin tonë gjuha e folur është originare e ekzistencës sonë, dhe pararend antitezën e jo-kombtarisë shqiptare ose të burimit tonë nga ndonjë popull tjetër, për këtë bie poshtë antiteza, përderisa gjuha jonë nis para polemikës e vazhdon të jetë edhe mbrapa saj. Pra shqiptarët nuk janë turq apo italianë, sepse flasin një gjuhë tjetër nga këta popuj. Edhe sikur të dalin fakte që “shqiptarët nuk janë shqiptarë” apo nuk janë pasardhës të Ilirëve, teoria që ne jemi shqiptarë dhe pasardhës të ilirëve nuk duhet hedhur poshtë, sepse asnjëherë edhe në prani të qartësisë ndjesore (fakteve në këtë rast) nuk mund të pretendojmë të vërtetën, mbasi kanoset rreziku i një mirazhi.
Vlen për tu theksuar, që nga ana e tyre këto fakte janë mjete justifikuese të një teorie tjetër (dhe kjo e nisur me një objektiv) që përkon me antitezën e teorisë sonë, dmth është teza e teorisë tjetër, e cila për teorinë tonë është antitezë, dhe teoria jonë shndërrohet në antitezën e teorisë tjetër që i kundërvihet tonës.
Kështu psh. teoria jonë ka si tezë: “Skënderbeu është shqiptar” ose “Himara është shqiptare”; dhe si antitezë: “Skënderbeu nuk është shqiptar” ose “Himara nuk është shqiptare”. Teoria tjetër ka si tezë; “Skënderbeu është italian” ose “Himara është italiane”; dhe si antitezë “Skënderbeu nuk është italian” ose “Himara nuk është italiane”. Pra, teza e teorisë tjetër mund të përkojë me antitezën e teorisë tonë, ndërsa teza e teorisë tonë bëhet antitezë e teorisë tjetër. Kështu që faktet e reja (mund të jenë mirazhe) nuk na sjellin një të vërtetë në teorinë tonë ( as një të vërtetë absolute), por thjesht përkrahin tezën e teorisë tjetër. Pastaj këto fakte janë kerkuar sepse historiani ka patur një qëllim, një ide të përcaktuar për të justifikuar tezën e tij, por kjo sdo të thotë edhe që ato fakte të jenë të plotfuqishme , nga ana tjetër historiani që ka një objektiv dhe një qëllim të kundërt me të parin, do të kërkojë e gjejë fakte që të justifikojnë teorinë e tij për të vazhduar me një polemikë të pafundme.
Kjo për të dëshmuar që historiani shqiptar, nuk duhet të jetë arrogant e të flasë në emër të vërtetës, duhet të ndjekë një drejtim që i qaset më mirë “principeve parësore”, metafizikës osë më mirë “shpirtit të popullit tonë”. – Sidoqoftë kjo s’do të thotë që teoria kështu ndjek një drejtim të parakonceptuar apo teleologjik, duke vënë si të thuash faktet thjesht si justifikuese të qëllimit. – Përkundrazi në këtë mënyrë, duke patur një objektiv, një mbërritje, ajo do të dilte nga ngërci dialektik, tezë-antitezë-sintezë (e kështu duke filluar nga e para në një progresion polemizues të pafund) i cili nuk do të arrinte asnjeherë objektivin final të arsyes, dhe i gjithë procesi historik do të binte në atë që Hegeli quan “pafundësia e keqe”.
Së fundmi edhe njëherë për ti dhënë një sosje dialektikës teze-antitezë-sintezë duhet të kemi parasysh për parashtrimin e teorisë një mbërritje finale, dmth jo një sintezë që do përsëriste dialektiken, por një sintezë që do të përkonte me thelbin e misionit të popullit tonë, ose më mirë që përkon me finalitetin e shpirtit shqiptar …. me lirinë!

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen