ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Cilët janë dredharakët?

…nga Bledar Dika.

Shqipëria ose më mirë populli ynë, duke filluar që nga antikiteti e në vijim ka pasur periodikisht figura, përbri atyre të shquara, që duke përdorur një eufemizem do t’i quaja “dredharak”. Kështu, në kohen e Teutës ishte Dhimiter Fari, në kohën e Skënderbeut ishte Hamzai, sa për të përmendur, dy nga më të njohurit. Cfarë ndodh në 2011 në Shqipëri, vallë kjo specie të jetë zhdukur?

Në Tetor, në Shqipëri fillon regjistrimi i popullsisë, ku në anketë është dhe kualifikimi i fesë dhe etnisë. Regjistrimi e ka emrin “census”- i cili është një nga elementet më të rëndësishëm të metabolizmit të një popullsie, sepse informohet mbi sasinë dhe në mënyrën se si është kjo sasi e  popullsisë, që do të thotë, se merren informacione mbi lindshmërinë, vdekshmërinë, alfabetizimin, nivelin e shkollimit, mobilitetin (imigracion/emigracion si jashtë vendi ashtu edhe brenda vendit), etj. Me pak fjalë, censusi është burimi më i rëndësishëm i demografisë së një populli, është si të thuash fotografia e tij, dhe si pasojë nga këto informacione, Shteti mund të performojë më mirë, duke ingranuar politikat e tij me efikasitet.

Cfarë ndodh kur në vjeljen e këtyre informacioneve (që kujtojmë, burojnë nga aktiviteti i shtetit dhe për këtë si të thuash institucionalizohen, bëhen të vërteta de-jure), kërkohet të dihet feja dhe etnia?

Në konsiderim të elementit të parë, fesë, kujtojmë që shteti shqiptar është laik, i garanton çdo individi të drejtën e besimit, të fesë, dhe nuk duhet të ndërhyjë absolutisht, me asnjë metodë dhe asnjë instrument, në mënyrë që të imponojë një lloj feje ose të prodhojë aktivitete, nga të cilat mund të burojë diskriminimi midis feve të ndryshme. Le të shpjegohemi, feja ose më mirë besimi në një fe, është karakteristikë e brendshme dhe subjektive e njeriut, është një “gjykim-vlerash”, që zbulohet/arrihet nëpërmjet një proçesi personal racionalizimi. Kështu që individi, mund të ndryshojë fenë papritur e pakujtuar, mund ta mohojë fenë ose të gënjejë mbi të (psh. përballë një shantazhi social), etj. Pra, është e pamundur të formalizohet si e vërtetë, nëpërmjet një pyetjeje të lirë nga anketuesit apo censuesit se; “çfarë feje i përket?”.

Atëherë, si mund të arrihet një formalizim në këtë drejtim, si do ta konstatojnë censuesit që individi është mysliman, i krishterë, budist apo hebre? Kjo mund të ndodhë nëpërmjet një verifikimi të një dokumenti të një të dhëne objektive, e cila konsiston në faktin që individi ka formalizuar përkatësinë e tij fetare me anë të një riti fillimi/pranimi, që feja e tij parashikon, psh. siç mund të jetë pagëzimi. Mund të ndodhë, që disa fe të kenë rite të tilla e disa të tjera jo, kështu që një fe, që s’parashikon rite fillimi/pranimi do të ishte e diskriminuar, sepse nga censusi (i cili kështu nuk do verifikonte “zyrtarisht”) do t’i ulej, madje asgjësohej numri i ithtarëve realë të saj. Sidoqoftë, kjo temë sjell dhe probleme të tjera, ku këtu nuk është vendi për të vazhduar, por është e rëndësishme të theksohet që Shteti ynë laik nuk duhet të lundrojë në këto ujëra, porse të garantojë që në këto ujëra individët të mund të lundrojnë, pastaj janë institucionet e kultit si Xhamia, Kisha etj, të cilat mbledhin informacione rreth adeptëve të tyre dhe një kurioz mund të konsultohet tek to.

Përsa i përket elementit të dytë, etnisë, fillojmë duke pranuar sikur Shteti të informohet rreth numrit të individëve, që kompozojnë një etni (ose më mirë, në ç’masë kontigjente etni të ndryshme ndodhen në vende të ndryshme brenda territorit shqiptar), në mënyrë që ti sigurojë këtyre ‘a posteriori’ shërbime dhe të drejta, si shkolla, universitete publike, autonomi rajonale speciale, madje dhe njohjen e një gjuhe të dytë kombëtare. Përpjekje, që mund të jetë dhe fisnike, por ç’ndodh?

Pranojmë aksiomën, që element (gjithashtu dhe elementë të tjerë, si raporti me një territor të përcaktuar) jetik i një etnie (për tu bërë pakicë kombëtare ose dominuese, por edhe për t’u kushtetutizuar si etni),  është sasia e individëve, që përbëjnë këtë të fundit. Atëherë nqs. censusi parashikon edhe etninë, a mund të sigurohet që nëpërmjet proçedurave, që “censusi” do të ndjekë, të mos ketë absolutisht spekullime? Për këtë, ligji parashikon penalizime (me gjobë) për kundravajtësit  dhe për zbulimin e këtyre, Instat-i do të mund të verifikonte (ashtu siç parashikon dhe ligji në nenin 20, pika 4) duke “konstatuar bazat e të dhënave shtetërore të Republikës së Shqipërisë”, dhe këtu dua të ndalem: -Fakti është që etnitë në Shqipëri (ato që janë) njihen, atëherë sasia mund të evidentohet duke konsultuar të dhënat e Shtetit (meqënëse i paska) ose duke i aritmetikuar këto të dhëna me përqindjen e lindshmërisë, së vdekshmërisë, mobilitetit e për të finalizuar me një vlerësim statistikor zyre. Pra, ç’kërkon Shteti me censusin, kur për etninë informacionet i ka ose mund ti ketë thjesht nëpërmjet nje elaborimi matematikor? Kërkon të prodhojë një sasi tjetër? -sepse përherë kanoset rreziku i spekullimeve. Nqs. do të ishte kështu, kjo do të thotë të shpikësh një etni, e cila emrin mund ta ketë të njëjtë, por substancën (dmth numrin) të ndryshuar nga e vërteta.

Nëpërmjet censusit mund të evidentohet një etni ! Kjo pra është dredhia, që në 2011 në Shqipëri na ofrohet nga pionerët e mediokritetit.  Një etni evidentohet vetëm me anë të “faktit historik” të një date, të një periudhe historike kur ka ndodhur shpërngulja, nqs. flitet për etni joautoktone, si psh. arbëreshët në Itali. Ndërsa, kur etnia është autoktone mjafton “dëshmia historike”, pra s’mund të ketë shpikje të çastit nga fotografia e censusit.

Së fundmi, ekziston rreziku që feja, nga ana e saj, mund të jetë ‘a posteriori’ element justifikues i nje përkatësie të përcaktuar etnike. Duke e mbyllur doja të thoja, që fotografia e censusit mund të pasqyrojë në mënyrë perfekte realitetin (etni/fe) shqiptar, por përherë ngel rreziku që kjo fotografi të dalë e djegur, ashtu siç duan dredharakët.

burimi: gazeta “Shekulli” 23/08/2011.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen