ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Censusi në Maqedoni, AK-ja: Rrezikohen shqiptarët

SHKUP- Aleanca Kuqezi në Maqedoni shpreh shqetësimin se procesi i regjistrimit të popullsisë në Ish- Republikën Jugosllave të Maqedonisë, rrezikon uljen e numrit të përgjithshëm të shqiptarëve.

AK-ja rendit një sërë dukurish, të cilat faktojnë “rrezikun real që pas përfundimit të procesit, numri i shqiptarëve të dalë shumë më i ulët sesa numri real i shqiptarëve në Maqedoni. “Kjo do të ketë implikime të rrezikshme afatgjata për statusin politiko-juridik dhe gjendjen ekonomiko-sociale të shqiptarëve këtu.”- nënvizon AK në një njoftim për shtyp

Aleanca KuqeZi thotë se regjistrimi ka vështirësi të natyrës teknike dhe politike. AK-ja konstaton një reduktim të përdorimit të gjuhës shqipe, si gjuhë e dytë zyrtare në vend, gjatë procesit të regjistrimit. “Edhe pse ligji për regjistrimin e popullsisë e vendos shumë qartë këtë, praktika e deritanishme flet për një reduktim të përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në vend.”. Gjithashtu denoncon mungesën e madhe të materialeve të publikuara në gjuhën shqipe dhe të bashkësive tjera më të vogla etnike si nga Komisioni shtetëror për regjistrim ashtu dhe nga Enti Shtetëror i Statistikave. AK-ja raporton dhe për mungesën e regjistruesve shqiptarë në zona të caktuara në Maqedoninë lindore.

“Në dy qytete ku numrat e shqiptarëve janë në rënie konstante dekadat dhe vitet e fundit, Ohër dhe Manastir, regjistruesit shqiptarë mungojnë krejtësisht.”- nënvizon AK-ja. Një tjetër problem shqetësues është dhe çështja e regjistrimit të punëtorëve shqiptarë me punë të përkohshme në botën e jashtme.

“Dihet se shqiptarët si popullsi me një numër të madh të familjarëve në perëndim, do të dëmtohen më shumë nga formulimi aktual, sipas të cilit të drejtë regjistrimi nuk kanë personat që ndodhen më gjatë se 12 muaj jashtë vendit.”

“Personat pa shtetësi në shumicën e tyre janë shqiptarë etnikë.- denoncon më tej AK-ja. Mënyra e regjistrimit të tyre është konfuze dhe gjithashtu kontribuon në uljen e numrit të përgjithshëm të shqiptarëve dhe tjerëve këtu.”

Me shqetësim AK-ja ndjek dhe realizimin e procesit të dhe përpunimi i të dhënave nga organe ku përfaqësimi i shqiptarëve nuk është në proporcion të drejtë me shifrat zyrtare të popullsisë. Me këtë, sipas AK-së, “ekziston dyshim i bazuar dhe i arsyeshëm, se duke mos qenë të monitoruara nga organizma ndërkombëtare, përpunimi i të dhënave nga këto institucione rrezikon të jetë manipulativ.”Aleanca Kuqezi është e shqetësuar pasi numri i popullsisë shqiptare rrezikon të dalë më i ulët se ç’është realisht edhe në regjistrimet përkatëse në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo, bashkë me manipulimet dhe mungesat e vërtetuara tashmë në Maqedoni do të çojë në zbehjen dhe dobësimin e paevitueshëm të faktorit shqiptar në Ballkan.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen