ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Bruksel, në zemër të Europës filloi Maratona Kuq e Zi

Maratona Kuq e Zi, e konceptuar si një takim me bashkëkombasit që jetojnë jashtë shteteve shqiptare, nisi sot në Bruksel, për të vijuar më pas në New York, Romë e Tetovë.

Aktivistët e Aleancës Kuqezi kanë themeluar sot degën e saj në Bruksel, ku kanë zhvilluar edhe një tubim me emigrantët shqiptarë në Belgjikë. Gjatë këtij tubimi, aktivistët kanë përsëritur qëndrimin e tyre kundër opsionit të fesë dhe etnisë në proçesin e regjistrimit, duke nënvizuar se shqiptarët janë një komb i vetëm.

“Në BE do të integrohemi vetëm si shqiptarë, do të bashkohemi si shqiptarë dhe jo si kosovarë e maqedonas”, ka deklaruar kryetari Spahiu. Aktivistët janë shprehur se, sot shqiptarët nuk kanë nevojë të numërohen, por të respektohen.

Më herët gjatë ditës, përmes një komunikimi nga Tirana, Aleanca u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në proçesin e regjistrimit, por jo duke plotësuar pjesën për etninë dhe fenë. “Merrni pjesë në regjistrim, Gjykata Kushtetuese i vuri vulën “kuqezi” censusit”, ka deklaruar Aleanca. Grupimi ka garantuar qytetarët, se do të mbrojë me çdo kusht integritetin, ndryshe nga Parlamenti, që shpërfilli 40 mijë shqiptarë. “Ne do vazhdojmë të mbrojmë në çdo kohë kauzën shqiptare”, kanë shtuar perfaqësuesit e saj.

Themelimi i degës në Bruksel është pjesë e planit të Aleancës Kuqezi për shtrirjen e veprimtarisë së saj në shtetet ku jetojnë emigrantë shqiptarë. Përfaqësues të grupimit njoftuan nisjen e operacionit të ri të pagëzuar me emrin “Maratona Kuqezi”, që do të përqendrohet në metropolet kryesore të botës ku jetojnë shqiptarë.

Fjalimet me nota patriotike nga përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi, përtej promovimit të vlerave kombëtare, synonin afrimin e shqiptarëve të të gjitha trojeve në një lëvizje mbarëshqiptare. Ata kritikuan klasën politike, veçanërisht në Shqipëri e Kosovë, për mbivendosjen e interesave personale, duke mos lejuar përparimin e vendit drejt Bashkimit Europian.

Madje për kryetarin e kësaj Aleance, Kreshnik Spahiu, ‘ka ardhur koha që shqiptarët të kuptojnë se politika më e mirë e integrimit është shqiptarizmi’. “Shqiptarët do të hyjnë në Bashkimin Evropian  si shqiptarë, e jo si kosovarë, jo si maqedonas, jo si serbë, jo si malazezë, pavarësisht trojeve se ku jetojnë ata”, theksoi Spahiu.

Në këtë takim u prek edhe çështja e pjesëmarrjes në zgjedhje të emigranteve, për të cilët ende nuk mundësohet e drejta e votës, si dhe u përsëritën kundërshtimet për proçesin e nisur tashmë nga qeveria për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen