ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Bashkimi kombëtar, fryma e kohës dhe parimet demokratike

Përsa i përket bashkimit, shqiptarët i përqasen jo vetëm pozitivisht, por edhe në mënyrë negative, qoftë duke dyshuar e qoftë duke i dalë haptazi kundër. Në përgjithësi, ana argumentuese e tyre mbështetet tek aksioma të tipit, ka ikur koha, jemi për Europën, jetojmë në kohët e globalizmit apo atë çështje e kanë në dorë të ‘mëdhenjtë’.

Në fakt, kurrë më parë se sot, koncepti i bashkimit nuk ka qenë më afër frymës historike, vetë koha e globalizmit, bazohet tek koncepti i bashkimit, vetë Europa quhet ‘Bashkimi Europian’, tregu i lirë bazohet tek parimi i bashkimit të tregjeve.
Atëherë, pse kur  koncepti i bashkimit është në themel të dukurive bashkëkohore, si parim udhërrëfyes, kur vjen çështja tek bashkimi kombëtar , ky koncept na qenka anakronik ?

Meqë koncepti i bashkimit në vetvete është thelbësor në dukuritë si Europa e globalizmi, atëherë anakronik i bie të jetë koncepti i kombit, kështu bashkimi i këtyre dy koncepteve, ‘bashkim’ dhe ‘komb’, mund të sjellë anakronizmin.
Mirëpo, t’i thuash ‘anakronik’ konceptit të kombit  do të thotë të jetosh jo vetëm në injorancë historike, por edhe të bashkëkohorësisë.

Jo më larg se 20 vjet më parë, filloi në Europë shpërbërja e shteteve të fundit shumëkombëshe, Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik dhe Cekosllovakia, nga të cilat dolën dhe pasuruan hartën e Europës dhe Botës me dhjetëra shtete kombëtare.
Në Ballkan, në kufijtë e Shqipërisë dhe Kosovës, jo më larg se 5 vjet më parë u krijua shteti kombëtar i malazezve, i cili u shkëput nga Federata jetëshkurtër serbo-malazeze.
Jo vetëm kaq, por pikërisht në zemrën e Europës, në Belgjikë, për 1 vit rresht flamingë e valonë e lanë vendin pa qeveri, sepse flamingët duan shtetin e tyre kombëtar.

Si ka mundësi, që kombi të jetë anakronik, kur historia e 20 vjetëve të fundit në Europë, tregon se mbi bazën e konceptit te kombit dhe atij që njihet si ‘parimi  kombëtar’ janë krijuar 16 shtete të reja; tregon se Belgjika rrezikon të ndahet në 2 shtet-kombe e po ashtu në Spanjë, katalanët po kërkojnë shtetin e tyre dhe po forcojnë gjithnjë e më tepër identitetin e tyre, të shkëputur nga ai spanjoll ?!

Pra, t’i thuash konceptit të kombit ‘anakronik’, në thelb dëshmon një padituri të theksuar ndaj bashkëkohorësisë europiane. Realiteti i sotëm i Europës përbëhet nga shtetet kombëtare dhe vetë Europa është bashkim i shteteve kombëtare. Kështu, një shtet kombëtar i gjithë shqiptarëve do të ishte plotësisht brenda bashkëkohorësisë europiane.

Brenda vetë proçesit të globalizimit gjendet edhe parimi i bashkimit, sepse globalizmi supozon në radhë të parë  integrimin, bashkëpërfshirjen e rajoneve e shteteve fqinjë , pasi nuk mund të konceptohet dot globalizmi, duke nisur, ta zëmë, integrimin e Shqipërise me Bolivinë, Kongon apo Tajlandën, kjo do të ishte qesharake.
Koncepti i globalizmit supozon vetvetiu, se Shqipëria duhet në radhë të parë të integrohet me vendet fqinjë, ato të rrethit te parë, pastaj me vendet pak më larg e në fund fare me Bolivinë, Kongon e Tajlandën.
Pra, kemi një integrim, bashkëpërfshirje të interesave, të cilat detyrimisht janë më të forta e më të ngushta me vendet fqinje, por edhe me vendet e largme, që kanë fuqi të atillë ekonomike,politike e kulturore sa të na paraqiten te barazvlefshme me fqinjët.
Kështu, vetë proçesi i globalizimit, meqë Shqipëria ka si fqinjë shqiptarë të ngelur jashtë saj, na vendos si imperativ kategorik  integrimin, bashkëpërfshirjen, njehsimin e interesave të gjithë shqiptarëve në Ballkan.

Prandaj , jo vetëm që bashkimi kombëtar nuk është kundër frymës së kohës, por përkundrazi është i vetmi qëndrim racional ndaj saj, sikundër e dëshmon historia e këtyre 20 vjetëve të fundit. Me qenë kundër bashkimit është jo vetëm qëndrim i gabuar dmth i pabazuar në argumente të vlefshme, por vetë kundër frymës historike.

Përveç faktit, që është vetë historia ajo që kërkon bashkimin e shqiptarëve, zakonisht harrohet që janë edhe parimet demokratike, ato që kërkojnë bashkimin .
Parimet demokratike dihet që jane liria, barazia dhe pushteti i shumicës. Lind natyrshëm pyetja:

– A nuk përmbushet liria e qytetarit shqiptar në shtetin shqiptar ?

Që të kesh një demokraci, në radhë të parë duhet të kesh polis-in ku qytetari të përmbushë parimet demokratike. Në kohën e qytet-shteteve greke, polis-i ishte vetë qyteti, ndërsa në kohën e shtet-kombeve europiane, polisi nuk ka si të mos jetë shtet-kombi.
Prandaj, polis-i i gjithë shqiptareve është vetë shteti i bashkuar.

Kaq e vërtetë është kjo, saqë Kosovës i kanë imponuar një model multi-etnik, ku shqiptarët nuk kanë mundësi të realizojnë, përmbushin as lirinë, as barazinë e parimin e shumicës, në ndryshim nga Shqipëria, ku të paktën në letër kemi mundësi ti realizojmë.
Po shqiptarët e Maqedonise, të cilët diskriminohen vazhdimisht, si mund të përmbushen parimet demokratike në një gjendje diskriminimi të vazhdueshëm ?

Prandaj është vetë demokracia, vetë vlerat e saj, të cilat u imponojnë gjithë shqiptarëve shquarjen e polis-it te tyre, ku të përmbushin qytetarinë e tyre, ku të gezojnë liritë e të drejtat politike, ku të realizojnë parimet demokratike.
Eshtë krejtësisht jo-logjike për një shqiptar, në epokën e shtet-kombeve, që të mos identifikojë si polis-in e tij Shqipërine e Bashkuar.
Po të pyesësh francezin,  hollandezin, polakun e me radhë, ata nuk do të arrinin dot ta konceptonin demokracinë e tyre jashtë shtetit-komb, sepse për ta Franca, Hollanda, Polonia e me radhë, janë polis-et ku është e mundur të realizohen parimet demokratike.

Si perfundim, me qenë kundër bashkimit nuk është vetëm një qendrim kundër frymës së kohës, i gabuar , irracional, por është edhe një qëndrim ku legjitimohet diskriminimi i shqiptarëve, prandaj si mund të kemi qëndrim demokratik, aty ku legjitimohet diskriminimi i vetë shqiptarëve?
Si mund të jetojmë në kohën e shtet-kombeve demokratike, pa pasur polis-in tonë fiziologjik e të domosdoshëm për demokracinë ?
Si mund të themi që është Shqipëria, Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi, polis-i ynë, kur në këtë mënyrë ne privojmë vetveten nga e vërteta historike dhe ajo bashkëkohore ?
Ne jetojmë në gënjeshtër, në rrena, prandaj edhe përpjekjet për bashkim  përfaqësojnë   përpjekje për dritën e së vërtetës. Me qenë kundër bashkimit, je kundër të vërtetës politiko-historike së shqiptarëve. Bashkimi është e vetmja e vërtetë politiko-historike për shqiptaret, nuk ka nevojë me qenë patriot apo nacionalist, mjafton të kërkosh e të duash të vërtetën politiko-historike dhe do shikosh, se kjo e vërtetë nuk ka si të mos jetë bashkimi.

Ledjan Prifti

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen