ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Aleanca KuqeZi Romë: ‘NJE GJUHE, NJE IDENTITET ME DINJITET’

DSC_4973


Në kuadër të fushatës së Aleancës KuqeZi, ‘Fol vetëm shqip’, dega AK-Romë, më datë 26 Dhjetor organizoi në Mentana (Romë) takimin me temë ‘NJE GJUHE, NJE IDENTITET ME DINJITET’.
Në këtë takim, të përqendruar rreth fëmijëve dhe familjeve, morën pjesë me dhjetëra familje nga Mentana bashkë me fëmijët e tyre. Zërat gazmorë të fëmijëve, që mbushën sallën, i dhanë këtij takimi ngjyra të veçanta, krejt ndryshe nga aktivitetet e mëparshme të Aleancës KuqeZi në Romë. Kësaj radhe protagonistë të takimit ishin vetë vogëlushët shqiptarë, të cilët recituan bukur vjersha në gjuhën shqipe, pa u lakmuar asgjë bashkëmoshatarëve të tyre në Shqipëri.
Koordinatorja e kësaj feste, Kledja Lazebeu, në fjalimin hapës, vuri theksin tek roli esencial i familjes në edukimin dhe mësimin e gjuhës amtare tek brezat e rinj, si dhe tek vështirësitë që hasen në artikulimin e shqipes në emigracion.  Ajo u bëri një thirrje të veçantë prindërve ” Shprehuni shqip prindër, dhe pasuroni gjuhën e fëmijëve tuaj.” Në fund të fjalimit tha ” Të lëmë mënjanë gjuhët e huaja, të cilat janë kusht për integrim, dhe të fokusohemi, të luftojmë e të sakrifikojme, të artikulojmë gjuhën tonë të pasur e të vyer, gjuhën e ngjyrës kuqezi, gjuhën e Shqiptarëve”.
Pastaj e mori fjalën nënkryetari i AK-Romë, Guxim Kola, i cili foli për problemet e shqiptarëve në emigracion dhe për nevojën e forcimit të komuniteteve shqiptare, drejt formimit të një diaspore të vërtetë, ku rol kyç ka edhe mësimi e përcjellja e gjuhës shqipe, si ngjizëse e brezave, që eviton përplasjen e tyre. Po kështu theksoi edhe se mësimi i gjuhës amtare nga femijët në emigracion u jep edhe atyre një mundësi zgjedhjeje, nëse një të nesërme do të duan të shohin nga Shqipëria.
Më tej, kryetari i AK-Romë dhe koordinatori për Italinë, Ardit Collaku, foli për nismën e AK-së, për mbarë shqiptarët në emigracion dhe për rolin e veçantë të emigrantëve në Itali.
Takimi u kthye në një festë të bukur, nën ritmet e muzikës shqiptare, ku të gjithë prindër e fëmijë, vallzuan për disa orë, duke treguar kështu se jo vetëm nuk kanë harruar gjuhën por se kanë në zemër ritmet shqiptare.
Shumica dërrmuese e prindërve u regjistruan si anëtarë të Aleancës KuqeZi, duke treguar në këtë mënyrë vlerësimin për Aleancën dhe vullnetin e tyre për të kontribuar në fuqizimin e kësaj lëvizjeje, në Romë e rrethina.
Dega AK-Romë, ka organizuar disa takime dhe ka marrë pjesë në promovime librash për Shqipërinë, por një festë e tillë për fëmijët ka lënë mbresa të forta tek aktivistët e saj, të ndërgjegjshëm se fëmijët janë jo vetëm e ardhmja dhe shpresa e kombit, por edhe bukuria e tij. Aktivistët e AK-Romë kanë në axhendën e tyre per vitin 2012 , realizimin e takimeve të tjera në Romë e rrethina, në mënyrë që çdo familje patriotike në emigrim, të ketë mundësi të afrohet me Aleancën KuqeZi e të jetë pjesë e themeleve të një Diaspore të mirefilltë shqiptare. Po ashtu shpreson të ndihmojë gjithë shqiptarët e zonës me anë të mjeteve didaktike për mësimin e gjuhës shqipe.

2 KOMENTE

sindi

29/12/2011

arrow

wow sa bukur kemi dale !!!!!!!

aldi

08/01/2012

arrow

dhe ju duhet te flisni gjuhën shqipe dhe ta shkruani bukur dhe pastër atë

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen