ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Aleanca KuqeZi-Tetovë, deklaratë për shtyp

Çdo shteti dhe  kombi në një moment të caktuar të zhvillimit të tij historik, i nevojitet një lëvizje, një grupim, një rrymë alternative mendore, e cili do të shkundë raportet e fosilizuara shoqërore drejt progresit nacional. Shoqëria shqiptare, e cila është bllokuar në një tranzicion të  tejzgjatur edhe për vetë standartet ballkanike, duket se e gjeti në lëvizjen Aleanca Kuq e Zi  katalizatorin e saj drejt një refomë të tillë jetike kombëtare.

Organizata në fjalë paraqet një bashkim vullnetar të qytetarëve, studentëve dhe aktivistëve nga të katër anët e trojeve ku flitet shqip, për një jetë më të mirë, për një Shqipëri më të bashkuar, më të fortë e më të begatë. Themelimi i një organizate të bazuar në  parime të shëndosha me mision bashkimin e energjive të shpërndara të kombit, ishte një domosdoshmëri dhe imperativ i kohërave vendimtare në të cilat jetojmë.

Kjo pasi gjatë këtyre 20 viteve në përgjithësi e sidomos viteve të fundit, u vunë re shumë vendime të pamatura dhe të dëmshme të politikbërësve shqiptarë. Duke mos anashkaluar korrupsionin galopant në ekzekutiv, gjyqësor apo shëndetësi, nepotizmin në administratën publike, mungesën e theksuar të progresit në rrugën e integrimeve europiane, duket se cështja kombëtare ka qenë më e anashkalaura, më e keqpërdorura dhe më e keqkuptuara në këto 20 vite të pseudo-demokracisë shqiptare. Gjithë qeveritë dhe partitë më të mëdha politike duke vepruar me një cinizëm dhe arrogancë të paparë nuk kanë mbrojtur atë, për të cilën i obligon kushtetuta: interesat nacionale të kombit, të cilin supozohet se përfaqësojnë dhe në emër të të cilit qeverisin. Me një fjalë, akti më i lartë politiko-juridik i shtetit tonë kombëtar është shkelur me të dyja këmbët nga ata, që obligohen për ta respektuar dhe realizuar deri në një dispozitat juridike që përmban ai.

Përveç keqpërdorimit dhe lojës me çështjen e shqiptarëve nën sundimet e huaja në rajon, qeveritë e ndryshme shqiptare në Tiranë përgjatë dy dekadave të fundit, nuk u treguan as të afta dhe as të gatshme të përmbajnë ekspansionin nacionalist grek në të gjitha poret e jetës shoqërore atje. Duke filluar me ndryshimet e legjislacionit shqiptar sipas interesave e kërkesave greke, përcaktimin e kufinjve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë në të cilat Shqipëria dëmtohej rëndë, kërkesat sa absurde aq edhe dinake për rishkrimin e historisë, hapjet vend e pavend të shkollave me mësim në gjuhën greke e deri tek marëveshjet e ndryshme tregtare të tipit neokolonialist që shndëronin ekonominë tonë kombëtare në një shtojcë të asaj greke.

Kulmi i veprimeve të pamenduara e gati aventureske të vendimmarësve aktualë ishte miratimi i ligjit mbi regjistrimin e popullsisë, ku qeveria shqiptare lejoi evidentimin etno-fetar të banorëve të vendit. Kështu u plotësua në fakt një kërkesë e hershme e qarqeve nacionaliste të Athinës, aspak europiane dhe krejtësisht bizantine, e cila synonte ritjen tej reales të numrit së pakicës greke në Shqipëri. Parapërgatitjet për këto ndryshime ndodhën që herët me ndryshimet parparake në ligjin e gjendjes civile, me të cilat qytetarët mundeshin të ndryshonin kombësinë sipas dëshirës apo vullnetit të tyre subjektiv.

Kësaj strategjie të mbrapshtë iu kundërvunë forcat e vërteta demokratike dhe europiane me iniciativë dhe nën ombrellën e Aleancës Kuq e Zi. Shikuar realisht, ishte momenti i fundit për të ndërmarë diçka. Rezultatet nga veprimet e Aleancës që mobilizuan si rininë progresiste ashtu edhe opinionin publik shqiptar nuk vonuan të vinin. Presioni i ushtruar nga aktivizmi kombëtar i Aleancës ishte më meritori për bllokimin nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë i dy akteve antishqiptare si përcaktimi i kufirit detar apo regjistrimi etnik dhe fetar i popullsisë.

Për më tepër, në një numër aksionesh këmbëngulëse dhe shumë të natyrshme, si kërkesa për një kurikulë të përbashkët në arsimin shqip, Aleanca është duke detyruar qeveritë e Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit që të ndërmarin hapa në drejtim të unifikimit të arsimit shqip në trevat tona në Ballkan. Kërkesa tjetër për rikthimin në origjinë të emërvendeve në territoret tona etnike në Europën juglindore e të ngjashme, ka gjetur miratimin dhe përkrahjen e një numri të figurave serioze e të respektuara në shkencën e sotme shqiptare.

Në kuadër të mundësive dhe sipas rrethanave, Aleanca ka përkrahur dhe vazhdon të përkrahë çështjen çame, si kauza më e dhimbshme dhe emergjente e kombit sot. Ajo ka organizuar vetë, apo edhe ka qenë prezente në shumë mënyra që nga protestat në rrugë e deri në organizimin e simpoziumeve për të gjetur rrugët dhe mënyrat më të shpejta për zgjidhjen e çështjes me shqiptarët autoktonë të deportuar nga krahina shqiptare e Çamërisë në vitet 1944-45. Shënimi i festave madhore kombëtare si 28 nëntori i shenjtë e freskojnë dhe e rikthejnë krenarinë e të qenit shqiptar tek çdo bashkëkombas kudo ndodhet ai. Kështu, organizimi i festimit sa më dinjitoz dhe popullor njëkohësisht i ditës së pavarësisë ka qenë një aktivitet i rradhës i Aleancës Kuq e Zi. Ajo e ka bërë atë më së miri si në qytetin e pavarësisë në Vlorë, ashtu edhe në kryeqendrën e Kosovës shqiptare – Prishtinë.

Parë në tërësi, brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore, duke iu falenderuar politikës së drejtë dhe largpamëse të liderit të saj Kreshnik Spahiu si dhe punës së palodhshme të aktivistëve të shumtë në të katër anët e Shqipërisë, Aleanca Kuq e Zi është shndëruar në një faktor serioz dhe ndoshta të vetëm që mbron me konsekuencë dhe maturi të rrallë interesat tona kombëtare. Aleanca nuk e ka parë asnjëherë kombin si të ndarë në gjashtë njësi të ndryshme administrativo-politike. Qëndrimi i saj i shprehur publik është shqiptarë të bashkuar në një Europë të bashkuar. Ajo e sheh kombin shqiptar si një e tërë e  pandashme, një unitet organik me një të kaluar dhe të ardhme të përbashkët shqiptare e europiane njëkohësisht. Ky parim është krejtësisht demokratik  dhe plotësisht në një vijë me synimet e politikës europiane për bashkimin e gjithë popujve të kontinentit tonë në një supershtet me peshë në politikën dhe ekonominë botërore.

Në pajtim me parimin bazë për unitetin dhe pandashmërinë e kombit, Aleanca Kuq e Zi e inicuar nga Piemonti i kombit shqiptar – Tirana jonë kryeqytet, do të përhapet në gjithë trevat shqiptare dhe më gjerë edhe në diasporë. Ajo tashmë funksionon në gjirin e mërgatës tonë të madhe në Europën perëndimore, Amerikën veriore dhe mëtej. Suksesi i saj i menjëhershëm nuk mund të spjegohet ndryshe veçse me sinqeritetin, entusiazmin dhe atdhedashurinë me të cilin ajo mbron interesat kolektive të shqiptarëve kudo janë.

Aleanca Kuq e Zi u gjend para ca kohësh në Tetovë, qytetin amblemë të shqiptarizmës, mes studentëve  të shumtë nga gjithë Maqedonia që studiojnë në dy universitetet në gjuhën shqipe atje. Ajo doli para studentëve,  pasi  ka besim të fuqishëm dhe të plotë tek ta për të ndryshuar gjendjen e rëndë në të cilën ndodhemi si komunitet nën sundimin dhe shfrytëzimin e egër kolonialist sllavo-maqedonas. Shqiptarëve në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë (Iliridën antike), u nevojitet sot më shumë se kurrë në historinë e tyre më të re një bashkim i mirëfilltë i forcave civile përtej ndarjeve partiake, sociale, krahinore apo fetare. Të ndarë ata janë të humbur. Të bashkuar mund të ndryshojnë shumëçka nga situata aspak e mirë ku ndodhen sot.

Mu për këtë, Aleanca ju bën ftesë publike studentëve, të rinjve, dhe popullit shqiptar në këtë vend që ti bashkohen asaj, në mënyrë që të jetësojmë parullat e rinisë studentore të fillim viteve 90, për liri, demokraci, bashkim kombëtar. Shqiptarët bashkë në një shtet të fuqishëm, demokratik, nacional, anëtar me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Kjo është ëndra jonë e madhe. Ta realizojmë këtë amanet të gjeneratave të kaluara që vdiqën me shpresën për të parë atdheun të lulëzuar dhe të barabartë me popujt tjerë europianë.

 

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen