ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Aleanca Kuq e Zi reagon kundër deklaratave të Athinës zyrtare

reagimi-deklrata

Aleanca KuqeZi ka ndjekur me shqetësim të thellë deklaratat e zyrtarëve të lartë të Greqisë mbi imponimet ndaj shtetit Shqiptar për të proceduar me regjistrimin e popullsisë mbi baza të vetëdeklarimit të kombësisë e etnisë.

Në një kohë kur shteti Shqiptar u garanton të drejta të plota minoritetit grek e të gjitha pakicave kombëtare në vend, është i papranueshëm presioni i qeveritarëve Grekë ndaj cështjeve të brendshme të Shqipërisë sic është regjistrimi i popullsisë. Nacionalizmi i qytetarëve tanë nuk ka arsye të ndikojë në përkeqësimin e marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-greke. Kjo në rastin kur kundërshtojmë hapur iniciativat ligjvënëse të qeveritarëve shqiptarë që janë haptazi të nxitura nga Athina zyrtare.

Aleanca KuqeZi ngre apel të fortë ndaj qeverisë Greke, anëtare e unionit të BE, se nuk mund të kushtëzojë Shqipërinë për hyrjen në Bashkimin Europian me arsye të pavërteta për pengimin e regjistrimit të minoritetit Grek. Dhe kjo në rrethana kur vetë Greqia prej vitesh nuk njeh të drejtat e minoriteteve sipas konventave ndërkombëtare e aktualisht ndodhet në kushtet e mëshirës për ndihmë ekonomike nga BE për të mbajtur në këmbë shtetin nga falimenti e kolapsi financiar më të cilin financonte pensionet prej 300 evrosh.

U bëjmë të ditur deputetëve Grekë se në Shqipëri nuk ka banorë të cilëve u është hequr arbitrarisht shtetësia greke, dhe se kjo nuk mund të jetë shkak për të përfshirë të dhënat e regjistrimit të popullsisë në regjistra; sic ka deklaruar ditën e djeshme deputeti opozitar Konstantinos Gioulekas. Sipas Av. Redi Ramaj, drejtor ekzekutiv i AK, “është tërësisht anti-kushtetuese që të dhëna të pakontrollueshme që do jenë rrjedhojë e një regjistrimi me vetëdeklarim të prevalojnë mbi regjistrin civil të vendit tonë”.

Presioni i parlamentit grek për të dërguar vëzhgues gjatë regjistrimit etnik zbulon hapur autorësinë dhe nxitësit e ligjit për regjistrimin e popullsisë, dhe natyrisht heshtja e ministrit inovator të Shqipërisë ndaj këtij presioni pasqyron marrëveshjen. Nga ana tjetër, mediat greke nuk kanë ngurruar të konsiderojnë Himarën e Nartën e Vlorës si pjesë të Greqisë menjëherë pas miratimit të ligjit në Kuvendin e Shqipërisë.

Aleanca KuqeZi i bën thirrje Ministrit inovator të përgjigjet ndaj thirrjeve e presioneve në rritje të Greqisë për të sqaruar pozicionin e tij dhe të shkaqeve të miratimit të këtij ligji sipas preferencave greke.

Pse ministri inovator hesht ndaj deklaratave të qeveritarëve dhe parlamentarëve grek për regjistrimin?

Tiranë, më 4 Gusht 2011

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen