ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

AK-Romë dhuron abetare për fëmijët e emigrantëve

Në kuadër të fushatës së Aleancës KuqeZi, ‘Fol vetëm shqip’, dega AK-Romë, më datë 26 Dhjetor organizoi në Mentana (Romë) takimin me temë ‘NJE GJUHE, NJE IDENTITET ME DINJITET’.

Në këtë takim, të përqendruar rreth fëmijëve dhe familjeve, morën pjesë me dhjetëra familje nga Mentana bashkë me fëmijët e tyre. Zërat gazmorë të fëmijëve, që mbushën sallën, i dhanë këtij takimi ngjyra të veçanta, krejt ndryshe nga aktivitetet e mëparshme të Aleancës KuqeZi në Romë. Kësaj radhe protagonistë të takimit ishin vetë vogëlushët shqiptarë, të cilët recituan bukur vjersha në gjuhën shqipe, pa u lakmuar asgjë bashkëmoshatarëve të tyre në Shqipëri.

Koordinatorja e kësaj feste, Kledja Lazebeu, në fjalimin hapës, vuri theksin tek roli esencial i familjes në edukimin dhe mësimin e gjuhës amtare tek brezat e rinj, si dhe tek vështirësitë që hasen në artikulimin e shqipes në emigracion.  Ajo u bëri një thirrje të veçantë prindërve ” Shprehuni shqip prindër, dhe pasuroni gjuhën e fëmijëve tuaj.” Në fund të fjalimit tha ” Të lëmë mënjanë gjuhët e huaja, të cilat janë kusht për integrim, dhe të fokusohemi, të luftojmë e të sakrifikojme, të artikulojmë gjuhën tonë të pasur e të vyer, gjuhën e ngjyrës kuqezi, gjuhën e Shqiptarëve”.

Pastaj e mori fjalën nënkryetari i AK-Romë, Guxim Kola, i cili foli për problemet e shqiptarëve në emigracion dhe për nevojën e forcimit të komuniteteve shqiptare, drejt formimit të një diaspore të vërtetë, ku rol kyç ka edhe mësimi e përcjellja e gjuhës shqipe, si ngjizëse e brezave, që eviton përplasjen e tyre. Po kështu theksoi edhe se mësimi i gjuhës amtare nga femijët në emigracion u jep edhe atyre një mundësi zgjedhjeje, nëse një të nesërme do të duan të shohin nga Shqipëria.

Më tej, kryetari i AK-Romë dhe koordinatori për Italinë, Ardit Collaku, foli për nismën e AK-së, për mbarë shqiptarët në emigracion dhe për rolin e veçantë të emigrantëve në Itali.

Takimi u kthye në një festë të bukur, nën ritmet e muzikës shqiptare, ku të gjithë prindër e fëmijë, vallzuan për disa orë, duke treguar kështu se jo vetëm nuk kanë harruar gjuhën por se kanë në zemër ritmet shqiptare.

Shumica dërrmuese e prindërve u regjistruan si anëtarë të Aleancës KuqeZi, duke treguar në këtë mënyrë vlerësimin për Aleancën dhe vullnetin e tyre për të kontribuar në fuqizimin e kësaj lëvizjeje, në Romë e rrethina.

Dega AK-Romë, ka organizuar disa takime dhe ka marrë pjesë në promovime librash për Shqipërinë, por një festë e tillë për fëmijët ka lënë mbresa të forta tek aktivistët e saj, të ndërgjegjshëm se fëmijët janë jo vetëm e ardhmja dhe shpresa e kombit, por edhe bukuria e tij. Aktivistët e AK-Romë kanë në axhendën e tyre per vitin 2012 , realizimin e takimeve të tjera në Romë e rrethina, në mënyrë që çdo familje patriotike në emigrim, të ketë mundësi të afrohet me Aleancën KuqeZi e të jetë pjesë e themeleve të një Diaspore të mirefilltë shqiptare. Po ashtu shpreson të ndihmojë gjithë shqiptarët e zonës me anë të mjeteve didaktike për mësimin e gjuhës shqipe.

 

Fjalimet e plota:

Kledja Lazebeu

Të dashur prindër, përcjellës së jetës; ju krijues, formues së eshtrave të njoma dhe së ardhmes shtatlartë, ju heronj të padukshëm, ju rritës, edukues, inkurajues, ju personifikimi i sakrificës dhe i nderit; u përshëndes! U përshëndes në gjuhën time, në gjuhën tonë në gjuhën nënë. Gjuha lind njësoj me jetën, gjuha lind në pasthirmën e parë, në ninullat e natës, në të qeshurat dhe lotët feminorë. Gjuha është mençuri, është armë dhe mburojë. Eshtë zhvillim, mesazhi, mjeti dhe mekanizmat mbrojtës që mendimin tonë e dallojnë nga të tjerë mendime.
Jam shumë krenare që sot jam këtu para jush, për një arsye jetike dhe themelore, të pazëvendeësueshme dhe të pashlyeshme; origjina, rrënjet, gjuha, themeli i mendimit.

Artikulimi i ndjenjës së pastër, kërkon një gjuhë të pasur, dhe shqipja jonë e shtrenjtë jeton ende krenare. Që të përjetojmë botën e fëmijëve tanë është i domosdoshëm një mirëkuptim. Veç në gjuhën amë, qenia njerëzore arrin të perceptojë ndjeshëm qenien e saj fëmijë. Gjuha e njëjtë, gjuha amë është treguesi udhëzues ndaj përvetësimit të gjuhëve të tjera. Artikulimi i mendimit, procesimi i tij, si dhe rezultati ndodh i shëndetshëm teksa shqiptohet në gjuhën amë.

Në  brezat e rinj, shohim fatkeqsisht një mangësi të dukshme të artikulimit të gjuhës shqipe. Kjo deri diku e kuptueshme, por jo e shëndetshme. Femijët tanë, janë trashëguesit e vullnetit tonë, e misionit tone si prindër, si qytetarë, si individë të një shoqërie të gjerë dhe të përbërë. Edhe pse jetojmë në një vend të huaj, të një kulture të ndryshme dhe të një sistemi të ndryshëm, mos harroni asnjëherë sakrificat për mbijetesën  e kësaj gjuhe, e cila ne pemën e gjuhëve qëndron thellë tek rrenjët e saj. Shprehuni shqip prindër, dhe pasuroni gjuhën e fëmijëve tuaj.

Kerkimet shkencore kane vërtetuar që fëmijët e një etnie të huaj të cilët socializohen në një komunitet tjetër, të huaj, janë fëmijët me trurin më të zhvilluar. Pikërisht sepse përvetësimi fillimisht i gjuhës mëmë, hap shtigje të reja zhvillimi dhe mundësish për shumë gjuhë të huaja dhe njëkohësisht rrit që në vegjëli kapacitetin e të menduarit pastër dhe të pasuruar.
Shqipja, gjuha jonë është shtegu i integrimit, që nis nga qeliza familjare dhe më tej drejt shoqërisë së hapur.
Eshtë e dhimbshme dhe aspak krenari që brezat e rinj të mos kenë hapësirën e duhur të komunikimit me brezat më të vjetër, kjo si pasojë e emigrimit.

Edhe pse dhuratat kanë një gjuhë, gjuhën e gëzimit, një gjysh apo një gjyshe dhuron dashurinë e tij veç në gjuhën amë.

Të lëmë mënjanë gjuhët e huaja, të cilat janë kusht për integrim, dhe të fokusohemi, të luftojmë e të sakrifikojmë, të artikulojmë gjuhën tonë të pasur e të vyer, gjuhën e ngjyrës kuqezi , gjuhën e Shqiptarëve.

 

Guxim Kola

Ideja e këtij takimi lindi si përgjigje ndaj pyetjes, se ç’mund të bejmë ne, shqiptarët në emigracion, për komunitetin shqiptar në Romë e rrethina. Natyrisht, duke parë problematikat e vazhdueshme që hasim si emigrantë, nuk mungojnë as arsyet për t’u takuar, po njësoj edhe problemet e Shqipërisë, të të afërmve tanë, fare mirë mund të jenë edhe arsye për t’u takuar e forcuar komunitetin shqiptar.

Megjithatë, si aktivistë të AK-së, shqëtesimet që na bashkojnë, nuk janë vetëm ato të jetesës në Itali, por edhe të kombit në tërësi. Kështu, një nga shqetësimet kryesore të kombit në tërësi dhe të emigrantëve në veçanti është ruajtja e gjuhës, si dhe përcjellja e saj tek brezat e rinj. Investimi në kulturën e brezit të ardhshëm është ndoshta ndihmesa më e e madhe në forcimin e komuniteteve shqiptare, sepse komunitetet në emigrim arrijnë të mbijetojnë vetëm nëse nuk i bashkon ekskluzivisht interesi ekonomik, por nëse shqiptarët arrijnë të ruajnë e percjellin edhe gjuhën e kulturën shqipe.

Si emigrantë erdhëm në Itali për një jetë më të mirë, dikush me familjen e dikush e krijoi familjen më vonë, çdokush bëri zgjedhjen për veten e për femijët e vet, duke shpresuar me mendje e zemër se kjo ishte zgjedhja më e mirë e mundshme. Ne fakt, zgjedhja në thelb ishte e kushtëzuar nga gjendja në Shqipëri, sepse po të ishte gjendja e mire nuk do të ishte marrë rruga e mundimshme e emigrimit, e megjithatë vendimi për t’u shpërngulur përfundimisht në Itali ngelet një zgjedhje, e cila ka munduar jo pak, shumë prej emigrantëve.

Të mendojmë për një çast për femijët kur të rriten, a nuk do të ishte mirë që edhe ata të kishin mundësinë e zgjedhjes se ku duan të shkojnë, qoftë edhe zgjedhje e kushtëzuar si e jona ? A nuk do të ishte mirë që t’u jepej mundësia që një ditë, të mund të zgjidhnin të ktheheshin në Shqipëri ? Në fakt edhe pse të rrallë, ka raste të tillë, kur fëmijët pasi janë rritur, jeta ua ka sjellë që të mendojnë edhe për kthimin në Shqipëri.

Kjo është edhe një nga arsyet që sot kemi sjellë abetaret, që femijët të kenë mundësi të pasurojnë kulturën e tyre edhe me shkrimin shqip, që të kenë mundësi nesër të lexojnë shqip në internet, të kenë mundësi të lexojnë shkrimtarët e poetët shqiptarë, të kenë atë dritaren e tyre mbi Shqipëri, sikundër e kemi ne sot. Dihet që alfabeti ynë ka më shumë tinguj e shkronja se ai italian, kjo është një pasuri shqiptare, që psh na ka lejuar të mësojmë e shqiptojmë gjuhët e huaja më lehtë, a nuk do ishte mirë që të mos i privonim femijët nga kjo pasuri që na ka shërbyer kudo, në Itali, Greqi, Gjermani, Amerikë etj ?

Nga ana tjetër, ka shumë e shumë raste kur nipi e mbesa nuk arrijnë dot të shkembejne dy fjalë me gjyshet, me kushërinjtë, me njerëzit e fisit. Këtu nuk është thjesht çështje patriotizmi, por mjaft të përfytyrojme veten tonë në atë moshe e të privuar nga të afërmit tanë, për të kuptuar sesa dashuri e afektivitet u hiqet fëmijeve.

Ka 20 vjet që në Shqipëri qahet ikja e trurit, mirëpo humbja më e madhe e Shqipërisë është pikërisht braktisja masive prej të rinjve, formimi i familjeve jashtë shtetit e ngelja në Shqipëri e pleqve dhe plakave, pra më shume se trurin, Shqipëria po humbet të ardhmen e po zhytet ngadalë në krizë të fortë demografike, që do të rëndojë më tej problemet e vendit sidomos të pensioneve sikundër e shohim në Itali.

Aleanca KuqeZi është një lëvizje që synon të jetë për gjithë shqiptarët, sidomos ata që janë më të braktisurit në fatin e tyre, siç janë emigrantët, të cilët shteti shqiptar jo vetëm që nuk i ndihmon por përkundrazi i ka parë gjithnjë si lopë për t’u mjelë, qoftë në Shqipëri, qoftë nëpërmjet ambasadave.

Ndërsa nxit kthimin dhe investimet e emigrantëve në Shqipëri, si faktor jetik për zhvillimin dhe mbrothësinë e Shqipërisë, Aleanca KuqeZi do të përpiqet edhe që shqiptarët në emigracion, të jenë në gjendje që të formojnë një diasporë të mirëfilltë sikundër diaspora në Amerikë, pra me komunitete të forta shqiptare, të cilat riprodhojne Shqipëri të vogla kudo që janë, komunitete ku shqiptari të jetë krah për shqiptarin dhe jo rival. Për këtë shërben edhe kultura shqiptare, ruajta dhe promovimi i gjuhës shqipe, përcjellja tek brezat e rinj. Pa gjuhën shqipe, komuniteti do të shpërbëhej sapo të rritet brezi i ri, në vend të komunikimit të brezave do kemi konfliktin e tyre, largimin e shpërberjen e komunitetit.

Deri më sot, prindërit janë lënë vetëm, shpesh vetëm vullneti i individit për të ruajtur gjuhën e kulturën shqiptare nuk është i mjaftueshëm. Detyra për edukimin e fëmijëve, mësimin e gjuhës shqipe nuk i takon vetëm prindit, por gjithë komunitetit shqiptar.

Aleanca KuqeZi e ndërgjegjshme për këtë problem mbarëshqiptar ju premton se nuk do t’ju lërë vetëm, por do të jetë në krahun tuaj, do të japë përherë mbështetje brenda mundësive të saj, qoftë me anën materiale, didaktike, e qoftë me këshilla, në mënyrë që fëmijët shqiptarë në emigracion ta kenë përherë të ndezur driten jeshile në Shqipëri.

 

 

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen