ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Ajo që Ne kërkojmë është e arsyeshme; Qëllimi ynë është i drejtë.

18

Jemi sot në Korçën e traditave patriotike dhe të bashkëjetesës fetare, në harmoni dhe me kulturë qytetare, ashtu siç vetëm ky qytet di të ndërtojë dhe të përcjellë këto vlera në të gjithë vendin.

Qëllimi ynë është i drejtë, është në interesin dhe të mirën e vendit tonë, të Shqipërisë dhe jo vetëm të popullit dhe kombit shqiptar, por të gjithë qytetarëve të këtij vendi pavarësisht nga kombësia e tyre.

Ajo që Ne kërkojmë është e arsyeshme, është në interesin e shtetit shqiptar dhe të shtetasve të tij dhe ka për detyrë dhe qëllim të ruajë, vlerat më të larta që reflekton populli ynë; bashkëjetesën midis komuniteteve etnike dhe fetare në një nivel të lartë qytetarie që është për t’u patur zili nga kombet më të qytetëruara dhe jo më nga shtetet fqinje ballkanike, të cilat vetëm kanë vuajtuar dhe vetëm kanë prodhur dasi në këto dy çështje të rëndësishme që Ne mbështesim sot fort, çështjet etnike dhe fetare.

Rreziku është imediat…….. dhe ajo që rrezikohet fort nuk është vetëm e vërteta, e cila duhet t’i ruhet shitjes dhe blerjes, fallsifikimit dhe abuzimit, por ato që rrezikojnë fort janë vlerat morale dhe etike të kombit, të harmonisë dhe bashkëjetëses së qetë midis qytetarëve të këtij shteti, vlera këto të gjithëpranuara dhe të vlerësuara.

Dhe ja ku jemi sot, këtu në Korcë, për të diskutuar dhe mbështetur një çështje kaq të rëndësishme dhe nuk mund të mos reflektojmë në lidhje me këtë qytet.

Korça përfaqëson sot një nga qytetet themelues të identitetit modern shqiptar dhe jep një kontribut parësor dhe me rëndësi kardinale në qenësinë tonë kombëtare. Një përfundim i tillë mbështetet fort nga reagimi i sotëm i ndërgjegjes civile këtu, i cili pasqyron qartë dhe pa ekuivoke se Korça është një qytetet, i cili gjeneron liritë natyrale dhe refuzon me përbuzje liritë e amplifikuara.

Nuk mund të mos kujtojmë Korçën, si djepin e identitetit kombëtar, i cili tundi dhe rriti ëndrrat dhe shpresat e kombit shqiptar për të mësuar dhe shkruar gjuhën tonë, në shkollën e parë shqipe.

Nuk mund të lëmë pa përmendur në këtë takim dy figura të rëndësishme patriotike korçare, Themistokli Gërmenjin dhe të Mihal Gramenon, dy rilindas të cilët punuan dhe luftuan për indentitetin kombëtar, për popullin dhe kombin tonë, i cili sot nuk mund të mjaftohet me identitetin e vet, por është në kërkim dhe mbron vlerat dhe standartet evropiane.

Nuk mund të mos shquajmë tek qytetarët korçarë, vlerat dhe parimet e qytetarëve evropianë dhe nuk mund të mos admirojmë me krenari, se si ky qytet pasqyron në nivele të admirueshme bashkëjetesën etnike dhe fetare, si një virtyt dhe cilësi të vlefshme për të gjithë shqiptarët.

Për fat të keq kombit shqiptar i është dashur gjithmonë në rrjedhën e historisë të mbrojë identitetin e vet, por sot i nevojitet të të mbrojë vlerat kombëtare duke u integruar me dinjitet të qartë kombëtar.

Nuk mund të ketë vendimmarrje të heshtura për çështje të një rëndësie të tillë, të lidhur ngushtë me identitetin kombëtar, por përkundrazi nevojitet një debat i gjerë publik, i cili të mbrojë interesat kombëtare dhe të gjejë një zgjidhje kushtetuese për situatën.

ÇËSHTJET E LIDHURA NGUSHTË ME IDENTITETIN KOMBËTAR, PREKIN NDJENJAT DHE INTERESAT E TË GJITHË KOMBIT SHQIPTAR, BRENDA DHE JASHTË KUFIJVE TË SHTETIT SHQIPTAR, PRANDAJ ATO NUK MUND TË ZGJIDHEN PA NJË DEBAT TRANSPARENT DHE NJË STRATEGJI KOMBËTARE.

Shumë debate, patos dhe ndjenja mbeshtetëse, por në ndonjë rast edhe kundërshtuese, ka nxjerrë në pah diskutimi publik rreth kësaj çështjeje, saqë tashmë është bërë e nevojshme të qartësojmë qëndrimin tonë për disa çështje ligjore dhe vendimmarrëse.

Ne jemi pro regjistrimit, por jemi kundër falsifikimit; kundër vetdeklarimit, i cili nuk mbështetet mbi kritere objektive; kundër shitjes, blerjes tregëtimit në cilëndo mënyrë të kombësisë së shtetasve shqiptar.

Ne jemi pro regjistrimit, pro standartëve të BASHKIMIT EVROPIAN, por jemi kundër standarteve të paqëna dhe kundër standarteve selektive, që nuk zbatohen nga vet shtetet anëtare të BE-së.

Ne jemi pro regjisrimit, por jemi kundër presionit të jashtëm, i cili ushtrohet mbi një çështje të tillë të rëndësishme të dinjitetit dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe kërkojmë që çështje të tilla, të zgjidhen dhe trajtohen nga kombi ynë në mënyrë të pavarur.

Ne jemi pro regjistrimi, por mbi të gjitha jemi pro debatit mbi regjistrimin, si e vetmja mënyrë dhe rrugë për të gjetur një zgjidhje të gjithëpranuar, prandaj ftojmë të gjitha palët e interesuar duke përfshirë qeverinë dhe minoritetet, për të diskutuar mbi një zgjidhje të mundshme për proçesin e regjistrimit.

Ne jemi pro regjistrimit, por një regjistrim mbi baza fetare nuk ka arsye të bëhet nga një shtet asnjanës në çështjet fetare, siç është shteti shqiptar, por mund të bëhet nga vet komunitetet fetare, palë drejtpërdrejtë të interesuara në këtë proçess.

Në shprehim ndjenja keqardhjeje dhe duam të mbrojmë dhe të mbështesim edhe atë pjesë të shoqërisë shqiptare, e cila për shkak të skamjes, varfërisë, mizerabileteti, lëvizjes së lirë apo për çfarëdo përfitimi minial për të lehtësuar një jetesë të përvuajtuar, e këmbeu kombësinë e vet për pak lehtësi, për pak frymëmarrje, për një jetesë më të durueshme.

Ne nuk besojmë që ndryshimi masiv i kombësisë ka ndodhur për shkak të një ndjenjë përkatësie etnike dhe asnjë shqiptar nuk e beson këtë, prandaj flasim dhe veprojmë në kundërshtim me këtë frymë, e cila na imponon në mënyra të pandershme, brenda territorit të shtetit tonë, një vullnet, i cili nuk është i kombit tonë, nuk është as i asaj pjesë të kombit tonë, e cila detyrohet të ndryshojnë kombësinë.

Kombësia nuk është një vlerë pasurore e një individi, të cilën ai të mund ta këmbejë dhe tjetërsojë sipas interesit të imponuar të momentit, përkundrazi është një vlerë shoqërore me interes publik, e cila duhet të mbrohet në radhë të parë nga shteti shqiptar dhe më pas nga çdo qytetar e tij.

Ne mendojmë dhe besojmë se rregullimet ligjore të kësaj çështjeje janë të tilla që nuk japin garanci për të mbrojtuar as të drejtat e kombit shqipar, as të drejtat e minoriteteve apo komuniteteve fetare, as të tilla që të mund të japin garanci për rezultatet e tyre dhe prandaj kemi ndërmarrë apo mbështesim inisiativa për t’i ndryshuar ato, për t’i hapur në këtë mënyrë rrugë një zgjidhjeje të përshtatshme dhe që të mbrojë të drejtat e shumicës dhe të pakicës në shtetin Shqiptar, të drejtat e çdo qytetari të tij.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen